“Përleshja” e Ramës dhe Nebenzit në OKB dhe “të pathënat” e dhimbshme të saj
Në një mbledhje përfaqësia jonë kreu një padrejtësi ―meqënse nuk iu përmbajt rregullores së Këshillit― dhe një pamaturi meqënse nuk mendoi efektin që mund të ketë “spektakli” i saj në OKB lidhur me grurin rus
Ylli Përmeti
21/09/2023 - 09:14
Mbrëmjen e 20 shtatorit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ndodhi një “përleshje” mes përfaqësisë shqiptare dhe ruse. Përfaqësia jonë e kryesuar nga Rama, në të drejtën e saj për të drejtuar mbledhjen e Këshillit të Sigurimit ftoi Zelenskin për të folur përpara se të fillonte mbledhja. Si pasojë, ndërhyri pala ruse duke e akuzuar Ramën si shkelës të procesit dhe planit të mbledhjes së Këshillit ndërsa shtoi se mbledhja ka rregulla dhe nuk është për të plotësuar ideologjitë.
Madje ai e quajti veprimtarinë e përfaqësisë sonë si një “spektakël” meqënse ajo organizoi anëtarët e Nato-s për të krijuar një “opozitë” kundër Rusisë. “Rusia”, tha ai, “nuk e kundërshton praninë e presidentit ukrainas në këtë mbledhje por ajo nevojitet të bëhet në përputhje me rregullat dhe proceset e mbledhjes dhe praktikën ekzistuese, sipas të cilave vendet e ftuar nën rregullin 37 flasin pas anëtarëve të Këshillit”.
Rama iu përgjigj me tallje ose thumb ligësie (“gibe” siç e quajti Reuters) duke i kujtuar atij se drejtimi i mbledhjes së Këshillit nga Shqipëria nuk është “operacion i posaçëm” dhe duke nënkuptuar operacionet ruse në Ukrainë. Madje në përgjigjen e tij të dytë Rama ironizoi qendrimin e përfaqësuesit rus duke e quajtur atë “sëmbim mjaft të rëndësishëm” dhe duke përdorur mantrën perëndimore se Zelenski nuk do të ishte i pranishëm nëse ju nuk vepronit ushtarakisht.
Në fjalët e Ramës: “Ju ndaloni luftën dhe Zelenski nuk do të flasë, [sepse] se çfarë e ka bërë atë të rëndësishëm për të gjithë ne, për të dëgjuar atë të parin dhe pastaj të bisedojmë, është bërë nga ju dhe jo nga ne”.
Në fakt, pretendimi i përfaqësuesit rus lidhur me rregullin 37, është i drejtë, sepse ai thotë se pjesëmarrja e një të ftuari në Këshill bëhet “pas një vendimi të Këshillit të Sigurimit”―çka nënkupton se i ftuari flet pasi mbaron shqyrtimi i çështjeve të planifikuara në mbledhje.
Shtypi perëndimor dhe yni u përqendrua në përgjigjen “trimoshe” dhe tallëse të Ramës dhe e anashkaloi rregulloren e mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, duke e paraqitur atë si “luftarak”. Madje shtypi ynë nuk e mendoi fare efektin e dëmshëm që mund të kenë marrëdhëniet tona me Rusinë lidhur grurin rus përmes të cilit ushqehet populli ynë me bukë të lirë!
Media e kontrolluar nga Rama, ndërkohë, e paraqiti paraqitjen e tij si “heroizëm” aq sa një “gazetar” me emërin Sokol Balla shkoi në Këshillin e Sigurimit dhe zhvilloi një intervistë me Ramën ku spikati edhe një herë qendrimin e tij ndërsa media e Berishës e paraqiti si një Enver Hoxha të dytë! Ndërsa nuk pritësh ndonjë qendrim vërtet kritik nga media që kontrollon Berisha, befasues ishte qendrimi i Arlind Qorit në protestën për “minimumin jetik”: ai tha se i ishte bërë qejfi që Rama “ia bëri rupzup Lavrovit”, meqënse, sipas tij, Rusia po ushtron agresion ndaj Ukrainës dhe “çdo njeri me dy mend në kokë duhet ta dënojë agresionin e Rusisë, e klikës oligarkike të Kremlinit...” duke hequr një paralele me qendrimin e tij ndaj oligarkëve në Shqipëri (S. Manes etj.), të cilëve “u puth duart dhe këmbët”. Sipas tij, kuraja e tij në OKB buron nga aleanca jonë gjeostrategjike.
Ndërsa për këtë të fundit ka deri diku të drejtë, për pajtimin e tij se ai u paraqit si “trim” në OKB, tregon se ndjek median e kontrolluar nga Rama dhe si shumë të tjerë e ha sapunin për djathë.
Për “agresionin” rus është pyetur dhe kritiku i mirënjohur amerikan Noam Chomsky, qendrimin e të cilit duhet ta kishte shqyrtuar Lëvizja Bashkë dhe Arlindi, bashkë me qendrimet e tjerë që kam përmbledhur në studimin përkatës: sipas tij, ndërhyrja ushtarake ruse në Ukrainë, është agresion por ai, ndryshe nga Arlindi dhe shumë të tjerë, është më i ndershëm, sepse tregon agresionin ukrainas ndaj pakica kombëtare si shkak, duke filluar me grushtin e shtetit në vitin 2014, të organizuar nga amerikanët dhe duke vazhduar me luftën në lindje të vendit. Ai shkon dhe më tej dhe tregon si shkakun kryesor të luftës në Ukrainë zgjerimin e Nato-s. Madje së fundmi ka argumentuar se lufta në Ukrainë nuk është mes Ukrainës dhe Rusisë por mes Nato-s dhe Rusisë dhe ajo është bërë tejet e rrezikshme dhe mund të çojë në luftë bërthamore. Por kur pyetet se si do të vepronte ai ndaj agresionit ukrainas nëse do të ishte në vend të Putinit, Çomski s`ka përgjigje.
Kështu, në një mbledhje përfaqësia jonë kreu një padrejtësi ―meqënse nuk iu përmbajt rregullores së Këshillit― dhe një pamaturi meqënse nuk mendoi efektin që mund të ketë “spektakli” i saj në OKB lidhur me grurin rus.
Të shohim se çfarë do të thojë Rama vitin tjetër, nëse do të jetë kryeministër, kur Shtëpinë e Bardhë ta drejtojë Trampi dhe rrëfenja lidhur shkaktarët e luftës në Ukrainë do të ketë ndryshuar.
Ky editorial është përditësuar
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 80 reads