...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

BE-ja pajtohet të krijojë buxhet europian për të shpëtuar bankat

Idetë e presidentit francez, Emmanuel Macron për reforma do të jetësohen, por të holluara tej mase

DW

15/12/2018 - 16:16

Ishte projekti më i dashur i presidentit francez, Emmanuel Macron: Ai donte një ministër Financash për eurozonën dhe një buxhet të posaçëm për ta bërë eurozonën më të rezistueshme ndaj krizave dhe për të zbutur hendeqet ekonomike brenda vendeve të BE. Por më shumë se një vit e gjysmë pas ardhjes së tij në post, shumë pak ka mbetur nga entuziazmi i reformave: Fillimisht Makronit i duhej të priste me muaj, Angela Merkelin. Më pas një sërë vendesh kishin kritika për planet e tij. E kur Gjermania e Franca ranë në ujdi për një version më të reduktuar të këtyre reformave, filluan protestat e ''jelekëve të verdhë" në Francë. Makronit i duhej të ngrinte një pjesë të reformave në vend. Kjo e ka dobësuar edhe autoritetin e tij në Bruksel.

Megjithatë një pjesë e reformave tani janë vendosur. Kreu i eurogrupit, Mario Centeno ka bërë fjalë të premten pas samitit të BE për një ''ditë të rëndësishme për të gjithë", sepse brenda pak javësh kemi lëvizur nga pozicioni ''i pamundur", në atë ''të mundshëm", tha Centeno. Ndërkohë tani flitet për ''sigurisht."

Kjo u mundësua vetëm pasi u hollua tej mase propozimi francez. Kështi buxheti i eurozonës do të jetë pjesë e buxhetit normal të BE dhe jo më vete. Po ashtu nuk do të përcaktohet fondi si e kërkonte Makroni, me disa qindra miliardë dollarë, por kontributi për të do të jetë shumë më i pakët.

Kurz - i panevojshëm një buxhet eurozone

Kancelari austriak, Sebastian Kurz, vendi i të cilit mban presidencën e radhës në BE, bëri të qartë e jo në mënyrë shumë diplomatike, se propozimi i Makronit është i tepërt. ''Nuk jam mik i një buxheti të eurozonës. Ka rregullore të qartë, kemi një buxhet të Bashkimit Europian, e përtej kësaj mendoj, se nuk është e nevojshme që të krijojmë një buxhet të ri të eurozonës. Besoj se kjo do t'i kushtonte taksapaguesve edhe më shumë para."

Shumë krerë shtetesh e qeverish tremben, se një buxhet i posaçëm i eurozonës do të mund të keqpërdorej nga vendet me probleme ekonomike dhe vendet që kursejnë do të duhej të paguanin për këtë. ''Nuk shoh nevojën  të krijojmë një stimul të ri e fonde të reja që dikush të fillojë të respektojë rregullat, por kjo duhet të jetë e vetëkuptueshme", tha Kurz. Edhe kryeministri holandez, Marc Rutte është shprehur pak a shumë në të njëjtat tone, edhe pse jo kaq drejtpërdrejt.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel kishte në fillim rezervat e saj dhe e mbështeti një buxhet të eurozonës, vetëm pasi ranë ndjeshëm madhësia e fondeve dhe përdorimi. Merkeli tha pas samitit, se ''përfytyrimet e vendeve të ndryshme kanë dallime me njëra-tjetrën", kjo nëse janë vende paguese neto ose jo. Por ajo theksoi se ''presidenti francez ishte i kënaqur, edhe unë po ashtu."

Merkeli tregon mirëkuptim

Më pak të kontestuara janë pika të tjera: Kështu fondi i shpëtimit të euros, ESM do të forcohet dhe përgjegjësitë e tij do të shtohen. ESM u jep kredi vendeve në krizë kundrejt kushteve të caktuara për reforma kursimi. Në të ardhmen ky fond do të përdoret më herët për të penguar krizat paraprakisht. Ai do të ndihmojë për të shpëtuar bankat nga falimentimi dhe do të merret me rregullimin e likuidimit të tyre në rast se ato nuk mund të shpëtohen më nga falimentimi.

Të gjitha këto plane shihen tani në një dritë tjetër pas protestave të ''jelekëve të verdhë" në Francë, që e detyruan presidentin francez të reagojë e të bëjë lëshime. Ulja e parashikuar e deficitit buxhetor francez, me një pikë nën 3% duket se do të shtyhet për më vonë. Për Sebastian Kurz, Marc Rutte e të tjerë është pikërisht kjo zvarritje që duhet tejkaluar në BE. Merkeli u tregua megjithatë e bindur, se presidenti do t'i vazhdojë reformat në Francë.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA