...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Coronavirusi: është krijuar nga bilionerët për të kontrolluar mbipopullimin e planetit apo nga sistemi?

Po i kthehem dhe një herë argumentit që po përdorin shumë kolegë (gazetarë naivë) si jashtë vendit ashtu dhe brenda, meqë sheh rrushi-rrushin, dhe “piqet”...se koronën e kanë sajuar trilionerët e tipit David Rockefeller

Ylli Përmeti

20/03/2020 - 18:53

Po i kthehem dhe një herë argumentit që po përdorin shumë kolegë (gazetarë naivë) si jashtë vendit ashtu dhe brenda, meqë sheh rrushi-rrushin, dhe “piqet”...se koronën e kanë sajuar trilionerët e tipit David Rockefeller për të ulur mbipopullimin e planetit meqë ka deklaruar më shumë se një dekadë më parë në një mbledhje sekrete bilionerësh në Nju Jork, në shtëpinë e presidentit të Universitetit Rockefeller, se mbipopupullimi i planetit duhet të kontrollohet. Në të njëjtën mbledhje merrte pjesë dhe Bill Gates, George Soros, Warren Buffet, Oprah Winfrey ,Ted Turner etj: vetëm bilionerë! Nisma e tyre u quajt “Billanthropy” dhe jo thjesht “filantropi”.

Koronavirusi (Covid: 2019) dhe pandemitë botërore: shkaqet dhe rreziqet për Shqipërinë

Shqetësime pati në atë kohë, sidomos nga e djathta kristiane amerikane, se klubi diskutoi mbipopullimin dhe kontrollin e popullatës.[1] Kujtoj se në fillim të këtij studimi kam përmendur Bill Gates: se ai ka investuar miliona dollarë për zhvillimin e vaksinave, duke nënkuptuar se nga shpërthimi i koronavirusit mund të përfitojë dhe ai por vetëm nëse e ka zhvilluar vaksinën përkatëse. Deri tani, nuk kemi parë ndonjë vaksinë të financuar nga Gejti. Por kemi parë shumë qendra studimore të cilat po përpiqen të zhvillojnë një vaksinë. Disa financohen nga bilionerët ndërsa disa nga kursimet e qeverive të BE-së dhe Kinës. Kështuqë edhe nëse bilionerët kanë një interes në këtë fazë lidhur me vaksinat, kjo s`do të thotë se ata nuk po konkurrohen nga blloqe të tjerë ekonomikë.

Ndërsa kjo është vetëm njëra anë e problematikës, tjetra është fakti se viruset krijohen nga vetë natyra, kryesisht nga kushtet klimatike dhe ndotja ose nga ndotja e cila shkakton ndryshime klimatike—ndotja, me radhë, shkaktohet nga sistemi, domethënë, nga globalizmi neoliberal. Nëse pranojmë argumentin e parë, se virusi përkatës është shkaktuar nga bilionerët, për të kontrolluar popullatën, përtej faktit që nuk ka asnjë fakt për këtë ‘shkak’, (qendrimet e tyre në mbledhjen përkatëse nuk përbëjnë fakt por thjesht një shqetësim të cilin e pranojnë thuajse të gjithë, madje dhe unë, çështje për të cilën kam realizuar një studim dhe kam treguar shkaqet pse planeti është mbipopulluar) duhet të shpërnjohim kushtet ideale që janë krijuar nga sistemi për zhvillimin e viruseve.

Në fjalë të tjera, argumenti jo vetëm që nuk është i drejtë (s`ka asnjë fakt) por shpërqendron vëmendjen e njerëzve nga shkaqet sistemike për të cilët nuk flet thuajse asnjëri—të paktën në anët tona: sepse disa pena të huaja e kanë kuptuar natyrën e globalizmit neoliberal, i cili krijon rreziqe sistemike.[2] Po e përsëris, ai është ‘neoliberal’, ose quhet kështu dhe jo ndryshe, sepse zbaton disa politika që lidhen me konsesusin social-demokrat të shekullit të kaluar por jo të gjitha—politika të cilat i kam shqyrtuar në studimet e mija. Si i tillë, argumenti jo vetëm që nuk është shkencor por edhe i padëshirueshëm meqë çorienton popujt nga shkaqet sistemike.        

 



[1]They`re called the Good Club – and they want to save the world, The Observer, 31 May 2009.

[2]Coronavirus shows how globalisation spreads contagion of all kinds, Ian Goldin, FT, Mar 3, 2020.

   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA