...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Milutinoviçi dyshohet për tradhëti ndaj Milosheviçit

Milutinoviçi është paraqitur vet, “vullnetarisht” (janar, 2003) dhe pas dy vjet qëndrimi në paraburgim, në prill të vitit 2005 është liruar përkohësisht, ndërsa me rastin e gjykimit të grupit (shkurt 2009) ky ishte liruar i pafajshëm, sipas të gjitha pikave të aktakuzës, sepse trupi gjykues kishte vlerësuar se nuk ka pasur ndonjë rol faktik as në kryerjen as në parandalimin e krimeve për të cilat akuzohej, ngaqë nuk ka pasur kompetenca as kontroll mbi forcat të cilat kanë kryer krime. Lirimi i Milutinoviçit nga përgjegjësia, ka lënë vend për dyshime të bashkëpunimit të tij me Tribunalin

Adil Fetahu

17/04/2019 - 10:37

Ish-kryetari i Serbisë  në periudhën 1997-2002, Milan Milutinoviç, është akuzuar për krime të luftës në Kosovë, në grupin e përbashkët me ish-kryetarin e Federatës Serbi-Malizi, Sllobodan Milosheviçin, Nikolla Shainoviçin, Dragolub Ojdaniçin e Vllajko Stoilkoviçin,  grup, të cilin Tribunali i Hagës i pati cilësuar si ndërmarrje e përbashkët kriminale. Ndërsa të tjerët nga ai grup janë arrestuar dhe i janë ekstraduar Tribunalit me dhunë (përveç Stoilkoviçit, ministër i punëve të brendshme, i cili bëri vetëvrasje në shkallët para derës së Kuvendit të Serbisë), Milutinoviçi është paraqitur vet, “vullnetarisht” (janar, 2003) dhe pas dy vjet qëndrimi në paraburgim, në prill të vitit 2005 është liruar përkohësisht, ndërsa me rastin e gjykimit të grupit (shkurt 2009) ky ishte liruar i pafajshëm, sipas të gjitha pikave të aktakuzës, sepse trupi gjykues kishte vlerësuar se nuk ka pasur ndonjë rol faktik as në kryerjen as në parandalimin e krimeve për të cilat akuzohej, ngaqë nuk ka pasur kompetenca as kontroll mbi forcat të cilat kanë kryer krime. Lirimi i Milutinoviçit nga përgjegjësia, ka lënë vend për dyshime të bashkëpunimit të tij me Tribunalin.

Milutinoviçi ishte një njeri që, siç thuhet, “nuk përzihej në punët e veta”, d.m.th. tjetërkush i ka diktuar se çfarë duhet të bënte, në rastin e tij ishte S.Milosheviçi. Ishte aq i mefshttë e “bogolinë” i padukshëm në detyrën e tij, saqë karikaturisti i njohur serb me psuedonimin “Koraks”, në karikaturat e tij e paraqeste  Milutinoviçin  herë si peshk akuariumi e herë si “Fikus”, në zyrën e kryetarit!

Pas lirimit nga Tribunali i Hagës, ai është “pensionuar” politikisht dhe në çdo aspekt tjetër dhe nuk është përzier më as në punët e të tjerëve. Për mediat serbe këto ditë, me rrëfimet e tij ka dhënë informacione nga të cilat është  “tronditur” opinioni në Serbi. Nga informacionet e dhëna del se, pas Konferencës së Rambujes (1999), edhe pse nominalisht ishte kryetar i Serbisë deri në dhjetor të vitit 2002,  ai faktikisht ishte i izoluar, si në njëfarë burgu shtëpiak.

Nebojsha Vujoviç, ish-shef i Misionit të RFJ-së në Uashington, tregon se në kohën e mbajtjes së Konferencës së Dejtonit (1995), në të cilën u nënshkrua Marrëveshja për Bosnje-Hercegovinën, diplomati amerikan Voren Kristofer i kishte ofruar Misionit jugosllav një projekt-marrëveshje edhe për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, sipas së cilës parashihej një autonomi e gjërë për Shqiptarët dhe restaurimi i institucioneve të tyre, nga të cilat i kishe përzënë regjimi serb. Projekt-marrëveshja e ofruar kishte paraparë zvogëlimin e ndikimit të Beogradit mbi Kosovën, por megjithatë parashihej që Kosova të mbetej në kuadër të Serbisë. Asokohe Milutinoviçi ishte ministër i punëve të jashtme i Federatës Serbi-Mali Zi. Shefi i Misionit, Vujoviç, siç ishte rendi, atë projekt-marrëveshje të Kristoferit së pari ia kishte ofruar ministrit Milutinoviç. Sipas Vujoviçit, ministri i vetëm e pa projektin dhe i tha: “A do ti që Milosheviçi të më vrasë? Shko e dorëzoja vet dhe t’uroj fat”! Vujoviçi thotë se kur ia dorëzova Milosheviçit, ai e lexoi dhe hidhërueshëm u ngrit në këmbë, i shtypi letrat dhe m’i hodhi për kokë, duke bërtitur: “A po luajnë ata me mua, apo çka mendojnë se jam unë, kjo është çështje e brendshme e Serbisë, dhe nuk vjen në konsiderim një marrëveshje e tillë. Shko thuaju ti atyre miqëve të tu në ashington, se nuk kosnderohet lojë e tillë e mua…”.

Milutinoviçi në krye të Delegacionit serb në Rambuje

Me qëllim që çështjen e Kosovës ta trajtojë si çështje të brendshme të Serbisë, Milosheviçi që asokohe ishte kryetar i Federatës Serbi-Mali Zi, nuk ka dashur që të shkojë vet as të formojë Delegacion të nivelit të asaj Federate për Konferencën e Rambujesë, por delegacionin prej 11 anëtarësh e kishte formuar në emër të Serbisë, ndërsa kryetar i delegacionit – Millan Millutinoviç, kryetar i Republikës së Serbisë.  Natyrisht, të “gjithë penjtë” e delegacionit i tërhiqte vet Milosheviçi, nga Beogradi. Versioni i Marrëveshjes së Rambujesë, që iu ofrua palëve për nënshkrim,  për të cilën ishin pajtuar Kristofer Hill (ShBA), Boris Majorski (Rusi) dhe Folfgang Petriq (në emër të BE-së), kishte paraparë një autonomi të gjërë për Kosovën në suaza të Serbisë, pa të drejtë të Shqiptarëve për referendum;  qëndrimin e 2000 ushtarëve të RFJ-së për ruajtjën e kufirit dhe 3000 policë;  mundësinë që të aplikohen dy sisteme juridike paralele, një për Serbët e tjetri për Shqiptarët. Sipas Marrëveshjes, kërkohej që RFJ të lejojë vendosjen e NATO-s në Kosovë, e cila do të çarmatoste UÇK-në dhe do të qëndronte derisa Marrëveshja të funksionojë. Delegacioni serb, në krye të të cilit ishte Milutinoviçi, kukull, sipas instruksioneve të Milosheviçit e refuzoi tekstin e ofruar. Vuk Drashkoviçi, që asokohe ishte ministër i punëve të jashtme të RFJ-së,  thotë se urgjent erdha nga Parisi dhe e luta Millosheviçin që t’i japë leje Milutinoviçit ta nëshkruajë Marrëveshjen, por ai i ra tavolinës me grusht dhe bërtiti: “Jo, kurrë çizmja e huaj nuk do të shkelë në Kosovën tonë”.

Milutinoviçi thotë se ka bërë përpjekje të mos vijë deri te më e keqja (bombardimi), por të gjitha përjekjet i shkuan huq. Vetëm pesë ditë para fillimit të bombardimeve, Milutinoviçi ishte tërhequr nga pozita e  anëtarit të Këshillit Suprem të Mbrojtjes. Sipas mediave serbe, ndërsa Serbia zhvillonte luftë me Aleancën e NATO-s, Milutinoviçi “zhvillonte luftë” me Milosheviçin, i cili e mbante në njëfarë burgu shtëpiak, nën dyshimin se po bashkëpunon me Tribunalin e Hagës, përmes një kumare të vet, diplomat në Hagë. Aktakuza kundër Milosheviçit dhe grupit të ndërmarrjes së përbashkët kriminale është ngritur më 24 maj 1999. Milosheviçi u arrestua dhe u ekstradua në Hagë më 28 qershor 2001, ndërsa Milutinoviçi u dorëzua vet, në janar 2003.

Milutinoviçi thotë se gjatë kohës së qëndrimit në paraburgim në Tribunalin e Hagës, vetëm dy-tri herë është takuar me Milosheviçin në korridor, sepse kanë qenë në kate të ndryshme dhe nuk kishin raste të shiheshin.

Por Milutinoviçi doli shëndosh e mirë nga Haga ndërsa Milosheviçi vdiq aty më 11 mars 2006, pa e pritur përfundimin e gjykimit, që sipas të gjitha gjasave do ta merrte dënim me burgim të përjetshëm, siç e mori Karaxhiçi, sepse nëse Karaxhiçi është shpallur fajtor për krime dhe gjenocid në Bosnje, Milosheviçi do të shpallej fajtor për ato në Bosnje, në Kroaci dhe në Kosovë.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA