...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Përse politika amerikane luan me emërimet për Gjykatën e Lartë?

Në shekullin e 20-të, të nëntë anëtarët e Gjykatës së Lartë kanë votuar gjatë viteve në përputhje të qartë me ideologjinë politike

Voa

25/09/2018 - 07:57

Ligjvënësit amerikanë po debatojnë si të reagojnë ndaj akuzave të ngritura kundër personit të emëruar nga Presidenti Trump për anëtar i Gjykatës së Lartë.

Kjo temë është shndërruar në betejë politike mes dy partive kryesore.

Ka një numër arsyesh përse kjo kandidaturë po zgjon kaq shumë përçarje mes demokratëve dhe republikanëve. Brett Kavanaugh është i emëruari i dytë i Presidentit Trump për Gjykatën e Lartë. Ashtu si i emëruari i mëparshëm Neil Gorsuch, Kavanaugh është zotuar se vendimet e tij nuk do të ndikohen nga rrymat politike. Por në shekullin e 20-të, të nëntë anëtarët e Gjykatës së Lartë kanë votuar gjatë viteve në përputhje të qartë me ideologjinë politike.

Nga viti 1969-1986, mesatarisht 17% e lëndëve gjyqësore u vendosën me shumicë të ngushtë prej 5 votash pro e 4 kundër. Në vitet në vijim, ky raport u vërejt në 20% të lëndëve dhe më pas në 22%.

Në fillimet e Gjykatës së Lartë vendimet merreshin shumë më ndryshe. Nga 1801-1940, vetëm në 2% të rasteve kishte vendime me një shumicë prej vetëm një vote. Kjo dëshmon se me kalimin e viteve gjykatësit e kanë pasur gjithnjë e më të vështirë të bien dakord për çështje të ndryshme. Po ashtu, vërehen grupe të caktuara brenda gjykatës me një mendim identik mes tyre.

Për shembull, në mandatin e fundit të Gjykatës së Lartë që përfundoi në qershor, i njëjti grup i përbërë nga pesë gjykatës dha vendimin në 13 lëndë; i njëjti grup prej katër gjykatësish përfaqësoi mendimin opozitar. Grupi në shumicë, i përbërë prej pesë gjykatësish, konsiderohen si antarët konservatorë të institucionit, ndërsa katër të tjerët konsiderohen si anëtarët liberalë.

Kjo ndarje në pikëpamje mes anëtarëve aktualë të gjykatës duket se ka ndërlikuar edhe procesin e konfirmimit për gjykatësin Brett Kavanaugh. Zoti Kavanaugh konsiderohet si gjykatës me pikëpamje konservatore dhe konfirmimi i tij shihet si një konsolidim i krahut konservator të Gjykatës së Lartë.

Përçarja politike

Kjo përçarje në vija partiake lidhur me gjykatën pasqyron përçarjen e përgjithshme politike në Shtetet e Bashkuara. Gazetari Alan Greenblatt shkruante në 2004 për revistën Congressional Quarterly se në fillim të viteve 2000, votuesit ishin të ndarë thuajse baraz në grupe me pikëpamje përgjithësisht konservatore dhe grupe me pikëpamje përgjithësisht liberale. Për të fituar vota, tha zoti Greenblatt, politikanët filluan të përqafojnë qëndrime më ekstreme.

Një artikull i vitit 2014 në revistën New Republic mbështet idenë e zotit Greenblatt. Në artikull thuhet se gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 20-të, ligjvënësit që konsiderohen si politikanë me pikëpamje të moderuara janë pakësuar nga 45% në 10%.

Gazetari Greenblatt thotë se kjo rënie në numrin e politikanëve të moderuar ishte pjesë e një plani politik. Sipas tij, në mes të viteve 1990, ligjvënësit në Partinë Republikane u angazhuan në sulme personale ndaj demokratëve, duke mbytur zërat e moderuar dhe duke ndëshkuar zyrtarët që bashkëpunonin me partinë opozitare. Plani i tyre dha rezultat pasi u siguroi republikanëve më shumë vende në Kongres. Demokratët u përgjigjën duke përdorur të njëjtat metoda.

Amerikanët besojnë se përfaqësojnë pikëpamje të qendrës

Amerikanët sot nuk janë aq të përçarë në vija partiake sa ç’i prezanton media dhe politikanët thonë studiuesit në Qendrën Kërkimore Pew. Një anketë e fundit arrin në përfundimin se më shumë se gjysma e amerikanëve e konsiderojnë veten të moderuar. Edhe ata që e shohin veten si të lidhur me një parti të caktuar politike besojnë se janë më të moderuar se partia së cilës i përkasin.

Megjithatë, anketuesit zbuluan se amerikanët i konsiderojnë pikëpamjet e partisë opozitare si ekstreme. Pra amerikanët i shohin ata që përqafojnë pikëpamje kundërshtare si tepër partiakë, megjithëse ai person mund të besojë se vetë është i moderuar.

Si ndikon kjo përçarje tek Gjykata e Lartë?

Klima politike në Amerikë ka marrë tipare gjithnjë e më partiake. Në këtë vazhdë, shumë amerikanë po e shohin edhe Gjykatën e Lartë si një institucion politik.

Në 1987 doli haptaz ideja se anëtarët e Gjykatës së Lartë mund të shiheshin si pasqyrues të bindjeve politike të një partie. Në atë kohë po zhvillohej procesi i konfirmimit të gjykatësit Robert Bork. Demokratët e bllokuan kandidaturën e tij, pjesërisht pasi ishin kundër bindjeve të tij mbi abortin dhe të drejtat civile.

Bork paralajmëroi se nëse të emëruarit për Gjykatën e Lartë trajtoheshin si kandidatë politikë, do të dëmtohej besimi i publikut tek ky institucion. Por në fillim të shekullit të 21-të, një numër votuesisht kërkonin gjykatës që reflektonin bindje të caktuara në vendimet e tyre.

Kompania e anketimeve Gallup pyeti amerikanët për këtë ide në 2005 dhe 2018. Gjysma e tyre besonin se ligjvënësit mund të refuzonin një kandidat nëse nuk ishin dakord me pikëpamjet e tij për tema të nxehta si armëmbajtja apo aborti.

Një opinionist që shkruan për gazetën San Francisco Chronicle shkruante në fillim të vitit mbi arsyet përse emërimet për Gjykatën e Lartë janë kthyer në një betejë kaq të ashpër. Opinionisti Jonah Goldberg vë në dukje se fuqia e Gjykatës së Lartë është rritur ndjeshëm në qeverisjen e vendit. Ai thotë se në shekullin e 20-të, liberalët filluan ta shfrytëzojnë gjykatën për të krijuar politika e ligje që duhet të ishin në dorë të presidentit, të ligjvënësve, ose qeverisjes vendore.

Elementët partiakë në të djathtë të spektrit politik reaguan duke i shndërruar emërimet në Gjykatën e Lartë në betejë politike. Në 2016, gjatë fushatës presidenciale, kandidati Donald Trump premtoi se do të emëronte gjykatës konservatorë për Gjykatën e Lartë. Ky premtim ishte një ndër arsyet që i siguroi zotit Trump fitoren në zgjedhje, thotë opinionisti Goldberg.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA