...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Trampi: Erdogani “lojtar shahu i klasit botëror” ndërsa zhgënjen BE-në dhe Greqinë

Ai e quajti Erdoganin “lojtar shahu të klasit botëror” kundrejt të cilit Bajdeni nuk është i aftë të qendrojë

Voa

15/08/2020 - 08:22

Franca urdhëroi forcat e Mesdheut lindor t’u vijnë në ndihmë trupave greke në kohën kur është tensionuar ballafaqimi mes Greqisë dhe Turqisë lidhur me të drejtat për shpim-kërkim në një territor të diskutueshëm.

Presidenti francez Emannuel Macron tha se Turqia ishte ajo që kishte krijuar tensione me atë që ai e cilësoi “veprim i njëanshëm” duke dërguar një anije kërkimi për të analizuar një zonë në Mesdheun lindor që Greqia dhe Bashkimi Evropian e konsiderojnë si zonë ku vetëm Greqia ka të drejtë shfrytëzimi.

Rusi-Turqi vs Amerikë-Greqi: një dikotomi tjetër ushtarake po krijohet në rajon

Turqia e interpreton ndryshe ligjin detar. Ankaraja zyrtare kundërshton pretendimin grek mbi ishujt në fjalë. Kohët e fundit Turqia nënshkroi një marrëveshje detare me Libinë dhe të dyja ngritën pretendime mbi një pjesë të zones në fjalë.

Greqia u kundërpërgjigj javën e kaluar duke nënshkruar marrëveshje me Egjiptin dhe duke u futur në zonën e përbashkët turko-libiane, gjë që acaroi Presidentin Recep Tayyip Erdogan.

Që nga ai moment, forcat greke e turke kanë qenë në gjendje gatishmërie. Kontigjenti i forcave franceze përfshin një fregatë, një helikopter amfib dhe dy avionë luftarakë, ndërkohë që ambasadori amerikan në Athinë, Geoffrey Pyatt njoftoi se kryqëzori amerikan USS Hershel “Woody” Williams po dërgohej në rajon.

Këto përforcime pasojnë dislokimin e një flote turke që mbron anijen e kërkimeve Oruc Reis gjatë lundrimit në ujërat mes Kretës dhe Qipros, duke analizuar tabanin e detit në zonën e diskutuar. Presidenti Erdogan paralajmëroi se Turqia do të kundërpërgjigjet nëse sulmohet anija e saj.

Megjithëse nuk ka pasur shpime për naftë ose gaz në zonë, Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis akuzon Turqinë se po luan një lojë të rrezikshme, duke kryer provokime. Ai paralajmëroi se më tepër se sa negociata mund të pasojnë një hap të gabuar.

Ka rrezik për aksidente, tha ai në një fjalim të transmetuar nga televizioni në shkallë kombëtare të enjten. Një numër i madh forcash ushtarake janë përqëndruar në një zonë të vogël, shtoi kryeministri grek. Megjithëse Greqia nuk do të jetë e para të përshkallëzojë këtë ballafaqim, ajo nuk do të rrijë duarkryq dhe nuk do të tolerojë provokimet, tha zoti Mitsotakis.

Analistët parashikojnë se ballafaqimi do të tensionohet më tej para se të fillojë ulja e gjakrave, kur Athina dhe Ankaraja të ulen për të diskutuar probleme që nuk kanë gjetur zgjidhje prej dekadash.   

Erdogani: Turqia "nuk do të tërhiqet" nga ballafaqimi me Greqinë në Mesdhe

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha të shtunën se Turqia nuk do të tërhiqet para paralajmërimeve për sanksione dhe as para inkursioneve në një territor të cilin ajo e pretendon si të vetin në Detin Mesdhe, ku ajo dhe Greqia, anëtare e BE-së, janë mbërthyer në një ballafaqim mbi të drejtat për shpim-kërkim në një territor të diskutueshëm.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian thanë të premten pas një takimi të kërkuar nga Athina, se veprimet e Ankarasë, ishin antagoniste dhe të rrezikshme.

Tensionet mes dy vendeve anëtare të NATO-s, Greqisë dhe Turqisë janë shtuar këtë javë, pasi Turqia dërgoi një anije kërkimi, të shoqëruar nga anije luftarake, për të analizuar një zonë në Mesdheun lindor, mbi të cilën të dyja vendet kanë pretendime territoriale.

"Ne nuk do të përulemi kurrë përballë banditërisë në pjesën tonë të territorit. Nuk do të dorëzohemi para gjuhës së sanksioneve dhe kërcënimeve”, tha Presidenti Erdogan në qytetin verilindor të Rizës.

Anija e kërkimit “Oruc Reis”, që ndodhet mes Qipros dhe ishullit grek të Kretës, do të vazhdojë punën deri më 23 gusht, shtoi ai. Ajo është rrethuar nga fregatat greke dhe të mërkurën anije luftarake të të dyja palëve u përfshinë në një përplasje të lehtë.

Ministrat e Jashtëm të BE-së biseduan në një videokonferencë të premten dhe thanë se lëvizjet e marinës turke do të shkaktonin “rritjen e gjasave për incidente të rrezikshme”.

Ata thanë se keqësimi në marrëdhënien me Turqinë, po sillte pasoja strategjike të gjera për të gjithë Bashkimin Evropian, përtej Mesdheut Lindor.

Marrëdhëniet mes Greqisë dhe Turqisë, kanë qenë shpesht të mbushura me tensione. Mosmarrëveshjet kanë pasur të bëjnë që nga kufinjtë e pjesëve të nënujore në det dhe hapësirës ajrore, e deri tek ishulli i ndarë në vija etnike i Qipros. Në vitin 1996, dy vendet pothuajse hynë në luftë lidhur me përkatësinë e disa ishujve të vegjël të pabanuar në Detin Egje.

Trampi bën kthesë historike

Xhou Bajden argumentoi në një mbledhje mes të tjerash se “USA duhet të bashkohet pas opozitës turke për të mundur Erdoganin” ndërsa Ankaraja dënoi qendrimin si përzierje në çështjet e brendshme. Ai shtoi se nuk dëshironte të shikonte Erdoganin të rrëzuar nga një grusht shteti por përmes “precesit zgjedhor”.

Pas publikimit të qendrimit të Bajdenit, të cilin e kishte shprehur disa muaj më parë në një mbledhje, reagoi dhe Trampi: ai e quajti Erdoganin “lojtar shahu të klasit botëror” kundrejt të cilit Bajdeni nuk është i aftë të qendrojë.

“Përballesh me njerëz që janë shumë të mprehtë. Përballesh me lojtarë shahu të klasit botëror në drejtuesit e atij vendi. Unë i njoh të gjithë ata. Ne punojmë shumë mire me të gjithë ata”, argumentoi Trampi për “Fox & Frineds” sot duke shtuar se “ti nuk mund të kesh një njeri [si Bajdeni] që nuk di se ku është”.

Greqia u zhgënjye me qendrimin e Trampit. Ajo priste të reagonte ashpër ndaj tij. Njëlloj u zhgënjye dhe BE-ja. Paralajmërimit të kreut të politikës së jashtme të BE-së, Xhosef Borrel, për “shpërshkallëzim të menjëhershëm” Erdogani e shpërnjohu duke shtuar se “ne kurrë nuk do të përulemi ndaj banditëve në kontinetin tonë. Ne nuk do të tërhiqemi ndaj gjuhës së sanksioneve dhe kërcënimeve” argumentoi ai në një takim partiak në Rize, në detin e Zi, dje.

Kështu kërkimet do të vazhdojnë deri në 23 gusht ndërsa Turqia nuk do të ngurrojë t`u përgjigjet shqetësimeve ndaj anijeve. EU ‘banditry’ won’t stop Turkey in Mediterranean, says Erdogan, The Times, August 17 2020.

Erdogani nuk zbrapset 

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan tha të mërkurën se asnjë kërcënim nuk mund ta pengojë Turqinë të eksplorojë për burime natyrore në Mesdheun lindor, duke shtuar se Ankaraja shpreson që aktorët në rajon të ndërmarrin hapa për uljen e tensioneve.

Të martën, Qiproja tha se ishte e gatshme të punonte me të gjitha vendet fqinje në përcaktimin e kufijve detarë.

"Turqia është e vendosur të kërkojë deri në fund të drejtat e saj në Mesdheun lindor," tha zoti Erdogan në një fjalim në Ankara.

"Asnjë fuqi apo kërcënim kolonialist nuk mund ta pengojë vendin tonë të eksplorojë burimet e naftës dhe gazit natyror që besohet të jenë në rajon," tha ai, duke shtuar se Ankaraja dëshiron ta zgjidhë mosmarrëveshjen përmes dialogut dhe diplomacisë, në vend të shkallëzimit të tensioneve. Voa

*Përditësuar SHJ

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA