Ishte dënimi i priftërinjëve katolikë vërtet për ‘besimin’ e tyre?
Dritan Balla
15/11/2016 - 12:41
Shënim e kryeredaktorit: me krijimin e shtetit modern dhe dorëzimin e pushtetit politik dhe ekonomik të popujve në duart e elitave kapitaliste, elitat fetare kanë bashkëpunuar ngushtë me të parët pavarësisht ideologjive që adoptonin pushtetet në fjalë: sepse këta tre pushtete plotësojnë njëri-tjetrin. Nuk ka rast më të mirë për ta vërtetuar këtë ‘bashkëpunim’ se kleri në Shqipëri. Vatikani, për shembull, së fundmi ‘lumturoi’ 38 priftërinjë të kishës katolike “shqiptare” të shekullit të kaluar të cilët, na tha, se u dënuan nga komunistët për ‘besimin’ e tyre kundrejt Zotit! Këtë veprim pritet ta përsërisë edhe presidenti i republikës sonë, Nishani! Por sa i vërtetë është ky argument? U dënuan vërtetë priftërinjtë për ‘besimin’ e tyre apo ishin të përfshirë në veprimtari antikombëtare? Studiuesi Rakip Beqaj në librin e tij, “Veprimtaria antikombëtare e klerit katolik shqiptar”, tregon lakuriq veprimtarinë antikombëtare të klerikëve katolikë të veriut të Shqipërisë dhe veprimtarinë e vetë Vatikanit lidhur me nazi-fashizmin që shfarrosi miliona njerëz dhe shkatërroi dhjetra shtete. Përkundër këtyre të vërtetave, partitë në pushtet, heshtën! Në të vërtetë Partia “demokratike” ka çdo arsye të heshtë: sepse ajo përfaqëson reaksionin në Shqipëri. ‘Reaksionin’, në kuptimin e minimit të pavarësisë së popullit tone për hir të pushtetit të saj. Por partia “socialiste”, pse heshtë? Pse s’kërkon të shqyrtohet çdo prift veçmas për rolin e tij në raport me pavarësinë e popullit? Qartësisht, sepse ka bashkëpunuar në humbjen e pavarësisë njësoj si “rivalja” e saj: PD-ja!
Roli i Vatikanit në përhapjen e fashizmit
Në kapitullin e dytë të librit, pjesa e parë me titull “Gjendja ndërkombëtare në pragun e shpërthimit të luftës së dytë botërore dhe roli i shtetit të Vatikanit”, Beqaj citon se Papa i Vatikanit, Piu XI, e shpalli Musolinin si të “dërguarin e Perëndisë”! Si pasojë, Papa Piu XI i siguroi përkrahjen maksimale diktaturës së Musolinit si në politikën e brendshme ashtu edhe në politikën e jashtme:
“Kisha u detyrua të mobilizonte katolikët e të gjitha vendeve për të propangaduar në favor të fashizmit. Papa u zotua të predikonte në favor të mbretit dhe t’i qëndrojë besnik atij. Musolini, nga ana e tij, aprovoi qëndrimin e privilegjuar të kishës katolike dhe i dha Vatikanit një ndihmë prej 750.000.000 lira dhe një million në kartë me vlerë shtetërore”. (Beqaj, 1969: 51).
Papa urdhëroi që gjithë katolikët e botës t’i bindeshin dhe të respektonin udhëheqësin e Fashizmit, duke e shpallur atë si “bir besnik” i Kishtës Katolike. Ndërsa sa i përket pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, autori nxjerr në dritë se kleri katolik shqiptar ishte kundër çlirimit të vendit dhe pavarësisë dhe ishte pro nënshtrimit të vendit kundrejt fashistëve italianë, sepse:
“Besimtari katolik, duke e marrë priftin si përfaqësues të zotit në tokë, me respekt e besim të madh tregon çdo të fshehtë të vetën ose çdo gjë që di për të tjerët.Kështu, p.sh., gjatë luftës nacionalçlirimtare, disa prindër tepër besimtarë në Shkodër, gjatë rrëfimit, treguan para priftërinjve Gjon Shllaku, Pal Dodaj, etj., se bijtë dhe bijat e tyre, ishin lidhur me luftën Nçl. dhe punonin për çlirimin e Shqipërisë, me shpresë se “urata” do t’i falte, meqënëse ata kishin vepruar në kundërshtim me porositë e kishës për të mos ndjekur rrugën e komunistëve. Mirëpo, për çudi, ndodhi e kundërta: priftërinjtë për rrëfime të tilla menjëherë informonin organet e pushtimit, të cilat mbi këtë bazë kryenin arrestime dhe internime të rinjsh e të rejash në kampet e përqëndrimit, ku një pjesë e tyre gjetën vdekjen.” (Po aty: 53).
Fashizmi, Zogu dhe kleri katolik shqiptar
Në këtë periudhë kleri katolik shqiptar “paraqitej një shtet më vete, brënda qeverisë së Zogut”. (Po aty: 69). Kjo me një politikë e cila ishte përpunuar nga paraardhësit e tyre dhe nga “Vatikani, me një potencial të fuqishëm ekonomik, me një system të përsosur [...] organizimi dhe disiplinë, ku urdhëri i arqipeshkvit ishte ligjë për të gjithë, dhe që të gjithë duhej ta zbatonin në kohë dhe pa hezitim. Thyesit e disiplinës persekutoheshin me rreptësi. Ndikimi i hierarkisë katolike në popullsinë e prapambetur të vendit tonë ishte i madh, veçanërisht në kohën kur rreth 90% e popullit ishte analfabet, dhe sidomos në Shqipërinë e Veriut dhe të Mesme, ku kisha katolike kishte punuar më shumë.”(Po aty: 70).
Ndërsa te pjesa e tretë e librit “Kleri katolik shqiptar në shërbim të të huajve” autori thekson se kleri katolik shqiptar gjithmonë u ka shërbyer të huajve. Ai sjell një fragment të himnit nga ideologu Gjergj Fishta i cili ia kishte thurur Perandorit të Austrisë:
“Ruje, Zot, Mbretin e Austris,
Qi Shqyptarve u ba murojë;
Në zemër të gjanë, me fuqi t’madhnisë,
Ky të na ketë përherë nën projë.
Na besnikë mei ndejun dona
Njati Mbret qi na libroi;
Aj tue kputë veringat tona,
Përherë zemrat nai pengoi.
Së bashku pra, në shej miradiet,
Mbreti Karl sot palë palë
Si m’lamë të luftës, si n’çeta ushtriet
Gjan’ e jetën duem më ja falë.
Shkaf a Lekë e djalë Mirditet
Gjall’ lirinë ai nuk e lshon
Mbi italjaj, mbi ingliz ka zbritet,
Shqypja e Austris, Shqypnin e pshton…” (Po aty: 62).
Për klerikët ndërhyrja e ushtrisë së huaj në tokën tonë shqiptare konsiderohej si çlirim e jo pushtim:“Me hymjen e ushtrisë së P. Em. T’Austro-Hungarisë në Shqypni po nis me ague dita e liris dhe për të mjerin popullin shqiptar. E me rrezet e kësaj lirie ky popull ka sod jetën e bardhë me e çu në vend dëshirën e vet”. (Po aty: 63).Kështu, Shqipëria do të ishte e lirë dhe e qytetëruar vetëm nëse pranonte të ishte pjesë e nënshtrimit të shteteve të huaj. Rol të rëndësishëm në promovimin e fashizmit në Shqipëri kishin organizatat dhe revistat fetare që administronin klerikët.
Klerët katolikë nuk dëshironin që populli ynë të shfaqte rezistencë ndaj Fashizmit, sepse sipas tyre fashizmi duhet pranuar sepse regjimi i Zogut e kishte kthyer Shqipërinë në një gjendje të mjerë...Duke qenë se Qeveria fshiste e Musolinit e dinte mire se “prifti njifte mirë mendimet dhe gjykimet e njerëzve, të shtresave, të profesioneve dhe të gjinive të ndryshme. Te ai ankohej bajraktari, nënpunësi, oficeri, vojvoda, bujku, punëtori e të gjithë besimtarët dhe aty gjoja gjenin ‘zgjidhje për të gjitha’”. (Po aty: 93).
Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, revista “Leka”, organi i jezuitëve, në maj të vitit 1939, në kryeartikullin “Fashizëm, individualizëm dhe komunizëm”, shkruante: …”Jemi edhe na në regjimin fashist. Punë e mirë në shumë pikëpamje, veç n’u kuptoftë për së mbari. Pse fashizmi nuk asht gja tjetër veç nji qeveri e fortë, ose nji ushtri, por asht në themel, domosdo nji lëvizje shpirtnore me nji kuptim mendor. Ky asht kuptimi i vërtetë i fashizmës: as robin nën zgjedhë të kolektivitetit, as liri për nji jetë egoiste, por liri e matur me drejtësi e me të kryem të detyrës shoqnore….Kush don me kenë i drejtë, kush a gati me u ba fli për të mirën e vllazënve, le ta quej vedin fashist”. (Po aty: 73).
Anton Harapi, një nga klerët e kishës katolike shqiptare dhe nënkryetari organizatës demokristiane, në fjalimin e tij që mbajti në mbledhjen e të gjithë klerikëve katolikë, mbas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, për të udhëzuar vartësit e lidhur me qëndrimin që duhej të mbante kleri ndaj pushtuesit, tha: “Ajo çka kemi ba deri tash, në favor të italisë sonë, nuk asht gjithçka. Tashti na duhet të punojmë ma shumë për ta përjetësue atë”. (Po aty: 83).
Italia kishte vite që punonte për realizimin e planit për pushtimin e Shqipërisë ku klerët ishin një instrument shumë i rëndësishëmpër “veprimtarinë antishqiptare të klerit katolik shqiptar. Këto agjentsi spiunazhi të italisë në Shqipëri, duke zbatuar detyrat e udhëheqësve të tyre të Romës, në përputhje me planin e përgjithshëm të italisë ndaj Shqipërisë, aktivizuan në këtë periudhë agjentët e tyre nga radhët e klerit katolik për qëllime politike dhe ushtarake spiunazhi. Detyra të rëndësishme ju ngarkuan klerikëve të lartë, si monsinjor Frano Gjinit, bashkëpunëtor i Italianëve që më 1918, patër Pal Dodës,i vënë në shërbim të italisë më 1911, patër Bernardin Palit, një ndër bashkëpunëtorët e rëndësishëm të G.Giros dhe,më vonë, të Melonit, i vënë në shërbim të Italianëve më 1936, patër Mark Shllakut, i vënë në shërbim të tyre më 1936, patër Rrok Gurashit, i vënë në shërbim më 1937, e të tjerë. Nëpërmjet këtyre spiunëve, kryesisht priftërinj, kryekonsullata Italiane ne Shkodër mundi të vërë në shërbim të spiunazhit Italian edhe një sëri krerësh, ‘bajraktarë e vojvodë’, në Shqipërinë e Veriut, Dukagjin, Shllak, Malësi të Pukës, Mirditës e Lezhës, të cilët kishin mosmarrëveshje me Zogun. Të gjithë këta u pajtuan me planin e italisë fashiste për heqjen e mbretit Zog, jo nga dëshira për të hequr Zogun që të shpëtonte Shqipëria nga vuajtjet e mjerimit, por kryesisht për interesat e tyre, për një pozitë dhe një qese me para që u premtonte fashizmi”. (Po aty: 89).
Në një pjesë të revistës religjoze “Leka” bëhet e ditur se klerikët ishin shumë krenarë përkrah fashizmit, ku citohet se “... Kush don me krye detyrën, kush do me kenë i drejtë, kush asht gati me u ba fli për të mirën e vllazenve le ta quejë vendin fashist... E kësi soji na do t’u diftojmë drejtuesve qi me zell të madh e me shpnesë të gjallë punojnë, e kësi ka shumë nder ne”.(Po aty: 171-2). Një tjetër argument shumë i fortë ku shprehet haptazi dashuria për fashizmin nga priftërinjtë është fjalimi i mbajtur në Bashkinë e Tiranës nga Dom Lazër Shantonja, me rastin e dorëzimit të flamurit të ri kombëtar, shenjat e fashizmit: “Shqiptarë! Italianë! Tash njizet e gjashtë vjet dita njizet e tetë nanduer e mbledh para balkonevet e bashkive të Shqipnisë Fashiste! Këto dy fjalë – Shqipni Fashiste – e ndriçojnë e e karaterizojnë më së miri e ma qartaz situatën e krijueme në Shqipni e në Ballkan më shtatë të prillit 1939. Populli shqiptar nuk ka mujtë kurr me i tregue botës vërtytet elementare të racës së tij të vjetër veçse në gji të një Perandorie: me Romën e Qesarve, me Romën e Pavpve, me Venedikun e Dogjeve, me Napulin e Agjuinve. E sod? Sod e mbrapa këto vërtyte e këto vlera raca e jonë shqiptare asht shenjue t’i a tregojnë botës ndën Romën e Benito Musolinit! ... Popull Shqiptrar! Më difto: A e ke humbun ti pavarsin tande? Jo kurrë! E ata shqiptarë e ata italianë qi kujtojnë e thonë se tashmë Shqipnija asht bamun provincë italiane, ma zi, nji koloni italiane, ata, un ua them qartas a pa perde, nuk kan kuptue kurrgja nga mendimi, nga qëllimi e nga vullneti i Benito Musolinit. Na Duçes i besojmë! Me besue! Asht ky i pari urdhën qi na ka dhanë. Na shqiptarët i besojmë nji burri qi kur flet, gjithmonë vepron, qi kur premton, gjithmonë mban! Të frymësuem prej këtij besimi, të forcuem prej kësaj sigurije, na shqiptarët e kremtojmë sod për të parën herë bashkë me vllaznit tonë Italjanë ditën e flamurit të përbashkët e të fateve tona të përbashkëta, tue brohoritë më za të naltë: Rroftë Shqipnjia Fashiste! Rroftë Italija Imperiale! Rroftë Mbreti Peranduer! Rroftë Duçeja! Rroftë Mëkambësi i Përgjithëm! (Po aty: 172-3).
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 231 reads



