Çfarë ‘fshihet’ pas luftës mes Top-Channel dhe Ramës?
Lufta mes Ramës dhe Top Channel-it ka rreth një javë që ka filluar; ajo lidhet me mosdhënien e një fondi nga AZHBR-ja dhe braktisjen e mbështetjes së Ramës nga Topi
SHJ
03/11/2022 - 07:42
Lufta mes Ramës dhe Top Channel-it ose “Topit” shkurt ka rreth një javë që ka filluar; ajo lidhet me mosdhënien e një fondi nga AZHBR-ja dhe braktisjen e mbështetjes së Ramës nga Topi.
Por le të gjykojmë mbi faktet që përdori Rama dhe Topi ditën e djeshme: i pari përdori vetëm një faqe nga projekti i Topit përmes të cilit synon, tha Rama, të “grabisë fondet publike” dhe të shantazhojë qeverinë...me kronika ndërsa Topi iu përgjigj se reagimi i tij erdhi si pasojë e “transmetimit të disa kronikave shqetësuese për publikun (shtrenjtimi i energjisë elektrike dhe naftës, largimi i të rinjve, taksimi i bizneseve etj.) duke sqaruar se faqja që publikoi Rama në kuvend është pjesë e projekteve të fondacionit “Dritan Hoxha” përmes të cilëve kërkon fonde nga institucionet shqiptare dhe ndërkombëtare për “promovimin, advokimin e vlerave të vendit dhe vityteve të shoqërisë sonë” dhe duke shtuar se:
“Kjo ka ndodhur në dhjetra projekte që ka zbatuar Fondacionin “Dritan Hoxha”, duke nisur nga Ministria e Kulturës, DPSHTRR, Bashkimi Europian, Bashkia Tiranë dhe bashki të tjera në vend etj. Së fundmi Top Media po zhvillon promovimin e bizneseve Start-up, me mbështetjen financiare të Ministrisë së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Dhe ky projekt nuk po transmetohet nën efektet e shantazhit, por po i jepet hapësirë të rinjve që të aplikojnë në iniciativa të reja biznesi”.
Sipas televizionit në fjalë, “asnjë nga fondet e aplikuara në institucione nuk përdoret për financim nga Top Channel por ato shpenzohen vetëm për realizimin e programit dhe promovimin e vlerave”. Për të treguar se mbështet dhe institucionet dhe politikat e qeverisë “Rama” që i shërbejnë interesit publik, televizioni përmend mbështetjen e Ministrisë së Energjisë me spote për kursimin e energjisë. Por këto spote nuk e kanë penguar atë të tregojë dhe shqetësimin e publikut për shtrenjtimin e energjisë.
Më tej Topi përmend kërkesën e parashtruar në AZHBR (Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural) për të promovuar produktet bio shqiptare, reklamimin e fermave shqiptare, dhe rritjen e turizmit rural, përmes projektit “Bio Albania”. Ky projekt nuk është për t`i bërë marketing AZHBR-së siç pretendon kryeministri “por për bizneset shqiptare në mënyrë që të thithen sa më shumë investime në sektorin bujqësor”.
Projekti i Topit përfshinte dhe transparencën e fondeve të AZHBR-së, bashkë me të cilën, kjo e fundit e publikoi dhe kërkesën e Topit, sipas ligjit. Si pasojë, Topi reagoi me “Inside Story-in” ku tregoi se fondet e AZHBR-së ishin shpërdoruar dhe shpesh u janë dhënë njerëzve me lidhje politike, duke përmendur disa prej tyre.
Megjithëse nevojitet hetim i mëtejshëm, nga rrëfimi i Topit kuptohet se AZHBR-ja ka shkrepur reagimin e Topit me një hetim gazetaresk për AZHBR-në dhe më pas Topi shkrepi reagimin e Ramës. Ky i fundit, në fjalë të tjera, ka të drejtë në denoncimin e tij por nuk tregon arsyet se pse i është refuzuar fondi Topit nga AZHBR-ja.
Nga kjo “luftë” ose përplasje kuptojmë dhe faktin se pse Topi ka mbështetur propagandën e Ramës vitet e fundit dhe pse kanë munguar kritikat. Topi, në fjalë të tjera, nuk i është përmbajtur ligjit për mediat dhe detyrës që ka si televizion: të kontribojë në mirëqenien e popullit me lajmet dhe kritikat e tij. Por kuptojmë, gjithashtu, dhe faktin se Rama e ka përdorur televizionin përkatës prej shumë vitesh duke e ushqyer atë me fonde (sepse nuk e dimë se sa fonde ka marrë më parë) dhe me shpresa për fonde të tjerë.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 39 reads



