...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Çfarë synon opozita me djegien e mandateve?

Gjykuar nga fakti se qoftë opozita qoftë qeveria “Rama1,2,3,” janë të korruptuara dhe kriminalizuara dhe të dyja kërcënohen me hetim, gjykim dhe dënim, gjasat janë se qeveria “Rama” nuk do ta miradministrojë protestën dhe ndoshta kaosin e opozitës!

SHJ

19/02/2019 - 09:43

Gjykuar nga fakti se djegia e mandateve nga opozita lidhet me punën parlamentare dhe nënkupton zgjedhje parlamentare dhe hamendësisht zgjedhje të parakohshme, në kohën kur zgjedhjet vendore zhvillohen për rreth katër muaj, por dhe nga fakti se nga Rama opozita s`ka se çfarë të marrë tashmë...ajo mund ta përparojë synimin e saj, nëse e shikojmë atë gjithnjë në raport me objektivin e saj kryesor: t`i shpëtojë drejtësisë!

Përmes zgjedhjeve të parakohshme opozita shpreson se mund të dalë një qeveri përbërja e së cilës do të jetë ndryshe nga aktualja dhe për pasojë, do të luajë më fortë me drejtësinë...e re! Opozita ka menduar kështu nga fakti se qeveria “Rama1,2,3” është e korruptuar dhe meqënse i doli boja në popull, ajo beson se do të fitojë, edhe një herë, zemrat e naivëve.

Krahas kësaj përpjekje ajo do të përdorë, edhe një herë, pushtetin e saj ekonomik (dhe pushtetin politik) për të blerë votat. Përmes kësaj qasje ajo synon të fuqizohet në qeverinë e re dhe kështu të mos dënohet. Vendimi për djegien e mandateve dhe përshkallëzimi i protestave dhe krijimi i kaosit, lidhet me synimin tjetër të opozitës: rritjen edhe më shumë të pasigurisë në popull me qëllim që t`i tregojë atij paaftësinë e qeverisë për të administruar kaosin... me pasojë të mëtejshme rritjen e mosbesimit ndaj qeverisë “Rama” dhe zhvendosjen e besimit drejt opozitës. Ky objektiv mund të realizohet deri diku meqënse një pjesë e mirë e popullit vazhdon të jetë mendjelehtë—një fakt që opozita e ka shfrytëzuar disa herë me sukses të jashtëzakonshëm.

Sërish, mund të realizohet nëse qeveria “Rama” nuk administron dot kaosin: sepse nëse gjykojmë nga protesta e fundit ajo e administroi deri diku mirë protestën. Por protesta dhe kaosi—që mund të marrë karakter kombëtar— nuk është as i njëjtë me protestën as është i thjeshtë për t`u administruar në kushtet aktuale. Opozita do ta synojë kaosin sepse vetëm përmes tij do ta ekspozojë qeverinë “Rama” dhe do të realizojë synimet e saj. Ndryshe, do të dilte, edhe një herë, blof.

Me kaosin (dhe jo me protestat) ajo mund ta kërcënojë më mirë Ramën nëse ulen për marrëveshje duke i kërkuar: ose një qeveri në përbërjen e së cilës do të jenë edhe nga opozita ose pak rëndësi ka përbërja mjafton që opozita mos të gjykohet dhe dënohet nga drejtësia. Nuk do të mungonte përmendja e të vërtetës së madhe nga opozita gjatë bisedimeve për marrëveshje...se të dyja palët përballemi me drejtësinë, ndaj më mirë bashkëpunojmë sesa...

Kërcënimi me kaos, në fjalë të tjera, do t`i shërbejë opozitës në afatgjatë dhe mund ta përdorë për sa kohë që tregon se në shesh i shkojnë disa mijëra mbështetës. Nuk është e vështirë të ketë menduar se me një qeveri teknike, opozita do të jetë në qeveri ndërsa përmes saj realizon deri diku synimet e saj. Pas kësaj faze, ka menduar ajo, minojmë dhe punën e Spak-ut dhe kështu ata mirë dhe ne tumirë! 

Por gjykuar nga fakti se qoftë opozita qoftë qeveria “Rama1,2,3,” janë të korruptuara dhe kriminalizuara dhe të dyja kërcënohen me hetim, gjykim dhe dënim, gjasat janë se qeveria “Rama” nuk do ta miradministrojë protestën dhe ndoshta kaosin e opozitës! Do të bëjë, në fjalë të tjera, ‘sikur’ po mundohet ta ‘përmbajë’ atë ndërsa do të mundohet të tregojë opozitën se ajo pengon reformën në drejtësi pavarësisht se ky qendrim mund të kontribuojë në zhvendosjen e besimit të ashtuquajturve qytetarë!

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA