...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Cilët janë faktorët e (mos)dënimit të Tahirit?

Ne si qendër studimore kemi vite që mbajmë të njëjtin qendrim lidhur me sistemin juridik: se prokuroria është krijesë së pari e partive në pushtet dhe së dyti e shkollës juridike—në kuptimin që prokurorët më shumë emërohen nga partitë në pushtet se sa zgjidhen demokratikisht dhe meritokratikisht nga sistemi juridik ndërsa vetë shkolla nuk i pajisë ata me vegla teorike të mjaftueshme për hetim

SHJ

20/09/2019 - 16:37

Thuajse të gjithë e kanë ndjekur ndjekjen penale të Saimir Tahirit. Hamendësisht, sepse është një person i një partie politike në pushtet që administroi ministrinë e brendshme për një mandat të plotë. Mirëpo, vendimi i gjykatës së krimeve të rënda s’ishte as uthull as verë: sepse ndërsa prokuroria e akuzonte për krime madhore, vetë Gjykata e fajësoi vetëm për “shpërdorim të detyrës” dhe e dënoi me 3 vjet e katër muaj burg ndërsa njëkohësisht pezulloi vuajtjen e dënimit me burgim dhe e vuri në provë për një afat 3 vjeçar me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepër penale duke urdhëruar të pandehurin të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe duke e ndaluar për tre vjet për të ushtruar funksione publike.

Këtë dënim ambasada amerikane —vëzhguesja e rreptë e reformës në drejtësi— e konsideroi ‘shkurajues’ duke patur parasysh karakterin e akuzës: ato ishin vërtet të rënda: “Ndërkohë që dënimi i zotit Tahiri për akuzën e shpërdorimit të detyrës sinjalizon një hap të rëndësishëm përpara, dënimi është shkurajues, duke pasur parasysh se sa të rënda ishin akuzat”.

Lubonja, ndërkohë, opinionisti i shumëkërkuar i shtypit të përditshëm, citon mes të tjerash se “të gjitha arsyetimet e të çojnë në idenë se ata kanë ngritur një akuzë me mungesë të dukshme provash, sepse i janë shmangur hetimit serioz të rastit “Tahiri”, sepse ky do të çonte tek e vërteta, se ministri i brendshëm është vetëm një hallkë e zinxhirit të krimit të kanabizimit të vendit për të cilin duhej hetuar”...duke mos konsideruar as sistemin e krijuar nga partitë në pushtet, as parimet juridike dhe as efektin dëmprurës mbi prokurorët: se ata humbasin shumë nëse i shmangeshin hetimit serioz dhe veçanërisht besimin për të hetuar çështje të tjera!

Ne si qendër studimore kemi vite që mbajmë të njëjtin qendrim lidhur me sistemin juridik: se prokuroria është krijesë së pari e partive në pushtet dhe së dyti e shkollës juridike—në kuptimin që prokurorët më shumë emërohen nga partitë në pushtet se sa zgjidhen demokratikisht dhe meritokratikisht nga sistemi juridik ndërsa vetë shkolla nuk i pajisë ata me vegla teorike të mjaftueshme për hetim. Këto parakushte përcaktojnë të ardhmen e çdo prokurori në sistem dhe nuk do të ishte e çuditshme që të ngrejnë akuza të forta, si në rastin “Tahiri”, dhe mos të provojnë asnjë akuzë në gjykatë!

Parimi se çdo akuzë duhet të provohet në gjykatë ‘përtej dyshimit të arsyeshëm’—një parim që nënkupton hetim të plotë të çështjes (me ‘hetim të plotë’ kuptohet shqyrtimi i çdo lidhjeje me subjektin nënhetim...), nuk është pjesë hetimore e prokurorëve: nëse do të ishte — do ta kishin treguar me këtë rast. Vendimi i gjykatës, rrjedhimisht, është përcaktuar kryesisht nga mungesa e punës së prokurorisë dhe mungesa e punës me radhë, përcaktohet nga mungesa e parimeve juridike në hetim dhe ndërvarësia që kanë krijuar partitë në pushtet me sektorin e drejtësisë.

Papërputhshmëria vrastare e klasës politike, juridike dhe gazetareske në Shqipëri me parimet juridike: rasti i Saimir Tahirit

Gjatë pritjes së vendimit shumë gazetarë dhe opinionistë u përqendruan tek natyra e gjykatës. Domethënë, se anëtarët e saj janë ashtu e kështu dhe se gjykata përgjithësisht ndikohet nga ambasada amerikane në vendime dhe se ajo s`ka kaluar rikualifikimin—parakushtin kryesor të reformës në drejtësi. Kjo qasje i ka dhënë efektet e saj dhe në publik. Ja një opinion i kësaj natyre:      

Me një drejtësi që nuk ka kaluar nga reforma e drejtësisë; me një trup gjykues që nuk ka kaluar akoma nga veting-u; me opinionin publik vendas dhe të huaj, si vëzhgues, që presin një ogur të mirë se gjërat kanë ndryshuar, çfarë vendimi do të ishte në këto kushte? Nuk mund të jepet vendim i drejtë, sepse do të vinte në pikëpyetje sistemin e mëparshëm, politikën e tre partiçkave që do të fillonin shantazhet dhe kërcënimet kundër kokave të politikës. Kështu me këtë vendim të gjitha palët janë të kënaqura. Por çështja Tahiri mbetet e hapur…

Por ështe e qartë se ky argument mbizotërues shpërnjeh faktet që u permendën më lartë dhe duke patur parasysh se muajin tjetër pritet të fillojë punë Spak-u dhe detyra e tij është të hetojë, gjykojë dhe dënojë krimin politik, është e drejtë të thuhet se çështje e Tahirit mund të rihetohet nga Spak-u. 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA