Kongresi i Lëvizjes Bashkë dhe implikimet e nismës për uljen e moshës së anëtarësisë
Nisma për të lejuar anëtarësimin e 16 vjeçarëve në Lëvizjen Bashkë, është e pamatur, madje dhe e dënueshme
Ylli Përmeti
20/12/2023 - 13:54
Fjala ‘kongres’ buron nga fjala latine “con+gradi” që ka kuptimin e “bashkë-ecim” ose shumës “con+gredi” që ka kuptimin e “bashkë-takohemi”. Në modernitet ka marrë kuptimin e mbledhjeve të mëdha të njerëzve të shquar ose delegatëve të një organizate shoqërore ose politike ku diskutohen dhe merren vendime për çështje të rëndësishme (Fjalori i gjuhës shqipe). Kongreset, në fjalë të tjera, janë mbledhje të mëdha ku marrin pjesë njerëz të shquar dhe delegatë.
Lëvizja Bashkë e cila është shndërruar në parti dy vitet e fundit raportoi se zhvilloi kongresin e saj të dytë i cili mori disa vendime. Sipas saj, kongresi miratoi uljen e moshës së anëtarësimit në Lëvizje në 16 vjeç, “sipas përvojës më të mirë të partive përparimtare nëpër botë”; rizgjodhi kryetarin e saj, Arlind Qorin; dhe krijoi Këshillin Koordinues me 49 anëtarë si organin e saj më të lartë vendimarrës.
Në vijim do të shqyrtoj lejimin e anëtarësimit të 16 vjeçarëve dhe dy implikimet kryesore. Lidhur me to, në Evropë ndodhën disa zhvillime këtë vit, me Austrinë, Greqinë dhe Maltën dhe më pas Belgjikën dhe Gjermaninë, të lejojnë 16 dhe 17 vjeçarët të votojnë në zgjedhjet evropiane. Katër vjet më herët, partitë politike italiane bënin thirrje për ta ulur moshën e votimit në 16 vjeç pasi panë zhvillimet në Austri. Këto zhvillime pasojnë zhvillimet e dhjetëvjeçarit (2010-20) në Evropë dhe përtej saj aq sa Këshilli Evropian publikoi një raport me zhvillmet përkatëse ku tregon pasojat, dobitë dhe jodobitë.
Kjo dinamikë ka përfshirë dhe rajonin tonë ku në disa vende mosha e votimit është ulur (Kroaci etj.). Por në rastin e Lëvizjes Bashkë bëhet fjalë për anëtarësim dhe sigurisht për të drejtë votimi në vendimet që merren në nivel rajonal apo qendror. Ky ndryshim është i rëndësishëm, sepse ai nuk reflekton kushtetutën tonë; sipas nenit 45 të saj, “çdo shtetas që ka mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet”!
Vendimi i saj, në fjalë të tjera, implikohet me ligjin themelor të vendit tonë dhe me vetë organizatën përkatëse, sepse ajo mund të akuzohet (nga kundërshtarët) se ajo ka shkelur kushtetutën dhe mund të ngrihet padi kundër saj me pretendimin se ajo jo vetem shkel kushtetutën por dhe mashtron të rinjtë.
Një arsye tjetër lidhet me mënyrën se si është konceptuar anëtarësimi dhe përfshirja në parti politike apo në votime, e të rinjëve, sepse dihet se procesi përmes të cilit kalojnë vendimet politike bazohet vetëm në votim pa kaluar në shqyrtim nga anëtarësia. Këtë fakt nuk e shohim vetëm në raportin e Këshillit Evropian, ku shqyrtohen gjithë rastet, deri në vitin 2015, por dhe në kongreset e partisë “demokratike” dhe “socialiste” në vendin tonë: ata organizohen në mënyrë të tillë që anëtarësia të ketë të drejtë vote por jo të drejtë shqyrtimi, kuptimi dhe pastaj të vendosë dhe votojë.
Për të njëjtën arsye votuesit, sidomos të rinjtë, në organizata të tilla votojnë, nëse nuk janë “derivat” marrëdhëniesh pushtetore, sipas “besimit të verbër” që krijojnë gjatë kohës kur zhvillohen veprimtari që kanë nevojë për votën e tyre, dhe jo sipas “shqyrtimit, kuptimit dhe veprimit” ose “besimit shkencor” (shqyrtimi, kuptimi dhe vendimi, në vetvete janë procese mendore shkencore).
Thënë, në fjalë të tjera, votimet vërtet bazohen në vullnetin e lirë (megjithëse jo dhe aq të lirë në radhët e partive tona, sepse në to mbizotërojnë marrëdhëniet pushtetore) të anëtarësisë apo votuesve në përgjithësi, kur votohet për zgjedhje parlamentare apo vendore, por ato nuk kalojnë nga shqyrtimi dhe kuptimi.
Madje, në rastin e Lëvizjes Bashkë, nuk besoj se miratimi i lejimit të 16 vjeçarëve për t`u anëtarësuar në të, të ketë kaluar nga shqyrtimi i atyre që e kanë propozuar dhe aq më pak nga ata që e votuan në kongres, sepse nuk kam parë asnjë parashtrim shkencor nga ndonjë nismëtar dhe asnjë shqyrtim demokratik në nivel kongresi.
Si autor i një studimi të publikuar në vitin 2012, unë mbështes përfshirjen e fëmijëve dhe adoleshentëve në procese demokratike të një komuniteti por jo pa u krijuar një sintezë e re demokratike dhe jo me të drejtë vote, sepse të rinjtë nuk kanë mundësi të gjykojnë drejtë, si ata që propozohen apo vetë-propozohen për t`u zgjedhur ashtu dhe parimet themelore të një organizate politike.
Si të tillë, ata mund të jenë pjesë e këtij procesi si vëzhgues por jo me të drejtë vote ndërsa gjatë procesit të vëzhgimit ata mësojnë se si veprojnë të rriturit dhe kur aftësohen në gjykim të drejtë, ata mund të kenë të drejtën e votës.
Në rastet që përmend Këshilli Evropian dhe rasti i Lëvizjes Bashkë, e cila ndjek “përvojën më të mirë të partive përparimtare nëpër botë” por pa treguar ndonjë përvojë…ajo nuk ndryshon fare nga qasja mbizotëruese e partive politike në kongrese, të “majta” apo të djathta qofshin ato. Në fakt, disa parti politike në Malejzi kanë nisur “vallen” e uljes së moshës së anëtarësisë këtë vit duke ndjekur dinamikën e krijuar nga parti të tjera rreth botës.
Nisma, në fjalë të tjera, për të lejuar anëtarësimin e 16 vjeçarëve në Lëvizjen Bashkë, është e pamatur, madje dhe e dënueshme nëse e shohim nga një këndvështrim që citon dhe raporti i Këshillit Evropian: se 16 vjeçarët janë më të manipulueshëm se 18 vjeçarët nga demagogët e partive dhe nëse e shohim nga këndvështrimi i Kushtetutës sonë―se mosha për të votuar dhe për t`u zgjedhur është 18 vjeç.
Sigurisht që përcaktimi i Kushtutës sonë nuk është i drejtë, nëse e shohim atë në raport me çka kam shqyrtuar dhe propozuar unë në Projektin e publikuar në vitin 2012: se një individ nuk mund të ketë të drejtë për t`u zgjedhur në institucionet publike pa mbushur moshën 30 vjeç. Ky parim është themeluar në Demokracinë Klasike të Athinës, pasi u zhvillua një debat i gjatë demokratik në atë kohë. Në kohën tonë ky parim nuk njihet nga studiuesit, kryesisht sepse e fillojnë historinë nga “filozofët” modernë (Marks, Locke etj.).
Ndaj, për të ndrequr vendimin e saj Lëvizja Bashkë duhet të rimblidhet dhe ta fillojë mbarë kongresin: së pari të parashtrojë një studim, ku të përfshihen dobitë dhe jodobitë e veprimit përkatës (moshës) dhe pasi të lexohet studimi, të shqyrtohet nga të gjithë “kongresistët” dhe pasi të kuptohet, të votohet. Ndryshe organizata rrezikon të akuzohet si kopje e partive të tjera; madje dhe si sharlatane, se ajo kërkon të mashtrojë të rinjtë meqënse anëtarësia në partitë politike është në rënie e të tjera si këto.
Parë nga një këndvështrim strategjik ―se asaj i nevojitet zgjerimi i anëtarësisë për të zgjeruar mbështetjen e saj― vendimi i saj duket se është i drejtë por nuk është fare i drejtë kur e shohim nga këndvështrimi i Kushtetutës sonë dhe nga fakti se ai bazohet në “besim të verbër” dhe jo në “besim shkencor”.
Përmblethtas, Lëvizja Bashkë vazhdon të “lundrojë” në “ujërat” e partive të vjetra, parë nga këndvështrimi organizativ, brenda lëvizjes, ndërsa e paraqet veten “përparimtare” (kështu e paraqet dhe Rama partinë “socialiste”!) dhe nga këndvështrimi i qendrimeve të saj politike pavarësisht se ajo ka disa ndryshime të rëndësishme me partitë në pushtet: së pari ajo mbështet klasat ose shtresat shoqërore në nevojë dhe jo klasën e lartë dhe së dyti ajo më shumë vepron se sa kupton realitetin në të cilin jeton, sepse nuk ka themeluar ende, pavarësisht se unë kam vite që ia kam bër vërejtje, nevojën e kryerjes së studimeve dhe shqyrtimin e tyre në “gjirin” e organizatës.
“Lëvizja Bashkë” dhe disa vërejtje
Madje, ajo s`ka nevojë të kryejë studime, nëse përdor studimet e mija për të dijësuar anëtarësinë. Nëse do të kishte vepruar kështu, do të kishte kuptuar, për shembull, se ulja e moshës së anëtarësisë nuk është nismë “përparimtare” siç e paraqet ajo; përkundrazi, një nismë me implikime serioze (ligjore dhe shoqërore) në kushtet aktuale.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 63 reads