...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Korruptimi i mësuesve (me dhurata) gjatë 7 Marsit dhe paturpësia e shoqërisë shqiptare

Pse është korrupsion pranimi i dhuratave nga mësuesit kuptohet jo vetëm kur e krahasojmë me raporte të tjerë shoqëror por veçanërisht kur e shikojmë në raport me synimin që ka nxënësi në shkollë — dhe prindi që qendron pas tij: të marrë nota “të mira”, kur dihet se kur përfshihen dhuratat në “notat e mira” të nxënësit ai nuk do të vlerësohet sipas meritës…dhe kur dihet se një tjetër korruptim krijohet në mendjet e mësuesve përpara se të bëhen mësues: sepse ata bëhen mësues kryesisht për të siguruar një rrogë të mirë dhe jo sepse dashurojnë dijen

SHJ

08/03/2019 - 08:57

Gjatë 7 Marsit 2019 pamë [këtu] edhe një herë korruptimin e prindërve dhe të mësuesve përmes dëshmive të pafajshme të fëmijëve të cilat treguan se sa keq është konceptuar arsimi nga prindërit dhe mësuesit, shkurt, nga shoqëria shqiptare. Të shfajësosh njërën palë dhe të fajësosh tjetrën, do të ishte e padrejtë: sepse të dyja palët—prindërit dhe mësuesit— përfshihen në një “festë” përmes të cilës mësojnë fëmijët si të korruptojnë mësuesit—përfaqësuesit e institucioneve publike të arsimit dhe dijes. Dhuratat vërshuan si rrebeshi dhe mësuesit s`i ngrinin dot: varse, unaza, vath prej floriri; fustane, parfume, këpucë dhe zarfa të mbushur me lekë, jo pak: por thuajse se tarifa vjetore e një studenti në Universitet! T`i mbledhësh të gjitha bashkë, me siguri që dyfishojnë të ardhurat vjetore: rrogë + dhurata nga 30 e më shumë nxënës kur dimë se rroga mesatare e një mësuesi është 420 mijë lekë në muaj (duhet pranuar se është e ulët, nëse e shohim në raport me koston e jetës, por kjo s`mund të jetë arsye për të ligjësuar korruptimin e tyre), ose mbi 5 milion në vit që, bashkë me dhuratat e 7 Marsit, dyfishohen dhe ndoshta në disa raste trefishohen.…në kohën kur pranojnë korruptimin e organizuar dhe nuk kanë shënuar asnjë rezultat me nxënësit e tyre—sepse Shqipëria, për shembull, është e qelbur edhe si pasojë e mungesës së zhvillimit të virtytit të pastërtisë mes fëmijësh!

Mes këtyre palëve është një palë e tretë: qeveritë, të cilat supozohet se kanë kuptim më të lartë se mësuesit e dhuratave që nuk e shtrojnë për diskutim korrupsionin e mësuesve! Pse? Sepse janë të zhytura vetë në korrupsion dhe padije. Në fakt, padija çon në korrupsion. Shkurt, mungesa e virtyteve dhe veçanërisht mungesa e virtytit të nderit politik dhe juridik, çon në korrupsion (lexo, për më shumë, Përtej korrupsionit të komunistëve dhe kapitalistëve modernë).

Pse është korrupsion pranimi i dhuratave nga mësuesit kuptohet jo vetëm kur e krahasojmë me raporte të tjerë shoqëror por veçanërisht kur e shikojmë në raport me synimin që ka nxënësi në shkollë — dhe prindi që qendron pas tij: të marrë nota “të mira”, kur dihet se kur përfshihen dhuratat në “notat e mira” të nxënësit ai nuk do të vlerësohet sipas meritës…dhe kur dihet se një tjetër korruptim krijohet në mendjet e mësuesve përpara se të bëhen mësues: sepse ata bëhen mësues kryesisht për të siguruar një rrogë të mirë dhe jo sepse dashurojnë dijen. Kur përmbyset ky parim, “dija” do t`i shërbejë rrogës dhe jo rroga – dijes! Efekti i mëtejshëm i përmbysjes së këtij parimi është se mësuesit nuk zhvillojnë dijen—sepse puna e mësuesisë bëhet për hir të rrogës dhe jo për hir të kureshtjes dhe dijes— për pasojë, ata mbeten të pjesshëm në virtyte. Kjo është arsyeja që të gjithë bashkë—përjashto ndonjërin— pranojnë dhuratat pa kurrëfarë kuptimi të raportit që kanë me nxënësit, dijen dhe shoqërinë. Pranimi në vetë-vete i kësaj praktike tregon nivelin e ulët kuptimor që kanë mësuesit prej të cilëve shoqëria pret zhvillimin e kuptimit të botës që na rrethon te fëmijët e saj.

Tregon, shkurt, mendësi korruptive kur dihet se çdo mësues ka qenë një fëmijë dhe pjesë e një shoqërie që mendësinë korruptive e ka themeluar pavarësisht se kërkon, njëkohësisht, drejtësi nga “të tjerët”. Domethënë, mësuesi rritet në një mendësi kolektive ku padrejtësia mbizotëron dhe për pasojë bart mbizotërimin e saj dhe e tregon më qartë se kushdo tjetër me pranimin e dhuratave gjatë 7 Marsit…në kohën kur dihet se kjo datë lidhet me njerëz që dijen (dhe kontributin në shoqëri) e kishin të parën. Kot nuk themi për themeluesit e shkollave të para shqipe se shkrin dijen dhe pasurinë për vendin ndërsa mësuesit e sotëm, bashkë me qeveritë dhe burokratët e tjerë të establishmentit, shkrijnë vendin për veten! Mësuesit, rrjedhimisht, reflektojnë pikërisht mendësinë e themeluar kryesisht tre dekadat e fundit: sepse duhet thënë se pas luftës, dhe gjatë socializmit marksist, pati mësues të devotshëm që shkrin veten për shoqërinë ­—‘shoqërinë’ në kuptimin e saj të gjerë dhe jo raporti mes dy apo më shumë njerëzve. Kështu në vend të kuptojnë drejtë rolin e mësuesit në veçanti dhe të krijojnë një balancë mes shkrirjes së vetes dhe shoqërisë, me gjithçka nënkupton kjo lloj balance, duke e pretenduar bashkë me të tjerë, janë zhytur thuajse të gjithë në korrupsion aktiv dhe në paturpësinë e shoqërisë shqiptare që e shoqëron këtë mendësi…         

Shënim, dikur si nxënës i kam çuar tre vezë një mësuesi, e vetmja “dhuratë” që kam bërë, pasi na i kërkoi gjoja për mësim, dhe vetë isha pangrënë!      

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA