...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Krijimi klasës së re politike nga Ramiz Alia dhe roli i amerikanëve

Vlen të përmendet fakti se të gjithë ata që pretendojnë se nuk kanë mendësi komuniste si Berisha dhe se ata janë perëndimorë në qasjen e tyre, përfshirë dhe studentët e kohës, kanë treguar se kuptimi i “demokracisë” për ta edhe pas 30 vitesh nuk është i qartë

Ylli Përmeti

07/12/2023 - 16:47

Në librin e tij “Shpresa dhe Zhgënjime”, 1993, faqet 155-174, Ramiz Alia tregon përmbajtjen e disa takimeve që pati me personalitete të huaja gjatë viteve 1991-92, pasi tregon ndryshimin e politikës së jashtme të Shqipërisë, e cila iu nënshtrua ndryshimeve politike në nivel botëror mes superfuqive ndërsa politikën e socializmit e quan “politikë izolacioniste”! “Shqipëria tashmë s`kishte asnjë kompleks lidhur me botën e jashtme. Duke flakur politikën e izolimit, ajo ishte e disponuar të vendoste marrëdhënie miqësore me gjithë ato shtete që kishin dëshirë të bashkëpunonin me të”, thotë ai.

Por ai sqaron menjëherë se “politika e jashtme e shtetit duhet të orientohet nga interesat e atdheut dhe jo nga nevojat e fushatave elektorale të partive”. Alia sqaron madje dhe qasjen e tij lidhut me marrëdhëniet ndërkombëtare të shtetit të ri të “demokracisë pluraliste” siç e quan ai: “Shqipërisë i duhen miq kudo. Por zgjedhja e tyre, prioriteti që u duhet dhënë njërit a tjetrit, lidhet me disa kritere parimore, të cilat u përgjigjen mbrojtjes së lirisë, të pavarësisë e sovranitetit kombëtar, si dhe kërkesave të zhvillimit të vendit në një situatë të caktuar ndërkombëtare”.

Bazuar në këto ide ai përshtati politikën e jashtme të Shqipërisë, duke sqaruar se “qysh përpara zgjedhjeve të dhjetorit 1990, politika jonë e jashtme u orientua drejt zgjerimit të lidhjeve politike, ekonomike e kulturore me vendet fqinje, gjë që po konkretizohej relativisht më gjerë me pjesëmarrjen në Konferencën Ballkanike të Ministrave të Jashtëm; drejt integrimit evropian, që u realizua nëpërmjet pjesëmarrjes së vendit tonë, në fillim si vëzhgues në mbledhjet e konferencat e KSBE-së; drejt hapjes dhe vendosjes së marrëdhënieve me TPE-në, me SHBA dhe me BS etj”.

Ndryshimet në fjalë, sipas tij, “kushtëzoheshin“ dhe nga vështirësisë ekonomike dhe politike drejt tranzicionit dhe nga kriza jugosllave. “Nuk mund realizohej me sukses kalimi në ekonominë e tregut të lirë, as reforma e domosdoshme për këtë qëllim; nuk mund t`u dilej para rreziqeve që kërcënonin pavarësinë dhe sovranitetin kombëtar, si dhe jetën e ekzistencën e vëllezërve tanë matanë kufirit nga agresorët serbë, pa forcuar lidhjet politike dhe ekonomike me Komunitetin Evropian dhe veçanërisht me vende të tilla si Italia dhe Gjermania, me SHBA dhe organizatat ndërkombëtare. Krahas këtyre, interesi i vendit e kërkonte dhe e kërkon forcimin e marrëdhënieve me shtetet fqinjë, sidomos me Turqinë, Greqinë e Bullgarinë, si në drejtimin ekonomik ashtu në atë politik, gjë që lidhet edhe me neutralizmin e rrezikut eventual që mund të vijë nga kriza jugosllave”, argumenton ai. 

Më tej ai sqaron të metat e dikastereve lidhur me këtë orientim të ndikuar nga bindjet partiake, të cilët mbivendosnin luftën për vota se sa luftën për kalim të qendrueshëm nga një rend në tjetrin, dhe më pas ai përmend takimet e tij me “personalitete të politikës botërore”: ministrin e jashtëm amerikan të kohës Xhejms Bejker; gjermanin H.D. Gensher; italianin Xh. De Mikelis; francezin R. Dyma e të tjerë. Bisedat me ta ai përputhte me karakterin e tyre dhe intersin tonë kombëtar. Ramiz Alia sqaron më tej dhe përmbjetjen e bisedave me ta por duke e filluar me Bejkerin dhe duke mbaruar prapë me të.

Në ardhjen e tij gjashtë orëshe të qershorit 1991 Alia tregon se Bejkeri e kishte këshilluar, pasi sqaron se Shqipëria pati një “sinjal” nga anglezët dhe amerikanët, përmes ambasadës franceze në Tiranë, “që të diskutonin me palën tonë për çështjen e arit tonë të bllokuar në bankat angleze pas incidentit të njohur të Kanalit të Korfuzit”, kur filloi “të thyhej akulli“: ndërsa bisedimet përparonin me ritëm të ngadaltë, marrëdhëniet diplomatike më SHBA-në u rivendosën zyrtarisht në vitin 1991 dhe vizita e Bejkerit u bë në kohën kur Shqipëria drejtohësh nga “qeveria e stabilitetit” me në krye Ylli Bufin.

Arsyet, sipas tij, ishin mbështetja politike e qeverisë sonë për proceset demokratike por dhe për arsye propagande― me “çekun e bardhë”: “prandaj iu bë një pritje e jashtëzakonshme duke shkelur të gjitha rregullat protokollare...që në disa ambiente”, sipas tij, “brenda dhe jashtë vendit, la përthypje jo të mirë”.        

Ndërsa ai mbështeste dëshirën e studentëve të dhjetorit―“E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, sipas Aktit të Helsinkit dhe Kartës së Parisit, ose bashkimit me nismat e integrimit të kontinentit, që u nxitën, sipas tij, edhe nga ideja e Gorbaçovit për një “shtëpi të përbashkët evropiane” dhe vë në dukje faktin se “krahu politik në ngjitje [vërtet] shprehej “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” por mendjen e kishte tek Amerika”, ai rrëfen se Bejkeri i këshilloi zbatimin e teorisë së “shock-ut”, pasi presidenti ynë i parashtroi atij qasjen e tij, se ndryshimet do të bëheshin me “maturi dhe pa eksese”.

“Kur të futesh në ujë të akullt, është më mirë të zhytesh njëherësh se sa të hysh dalngadalë. Të ftohtët e kalon më lehtë, sepse e ndjen vetëm një herë, pastaj çdo gjë duket normale”, citohet t`i ketë thënë Bejkeri presidentit tonë të kohës. Ky e fundit e shmangu këshillën e tij sepse një banjo si ajo mund ta kalonte vetëm një njeri i shëndetshëm por jo Shqipëria e cila, sipas tij, vuante nga zemra. Bejkeri në atë kohë nuk e mbështeste shpërbërjen e Jugosllavisë ndërsa Ramizi e mbështeste, sepse sipas tij, “rruga më e drejtë ishte parimi i vetëvendosjes së popujve”, i cili përputhej dhe me frymën e kohës, lirisë dhe demokracisë, dhe me angazhimet e SHBA-së dhe Komunitetit Evropian, KSBE-së dhe gjithë organizmat ndërkombëtarë. Përmes kësaj qasjeje ai shihte dhe mundësinë e zgjidhjes së “problemit të Kosovës”, e cila “përmbante çështjen e të drejtave kombëtare dhe të drejtave të njeriut”.

Gjatë orëve që qendroi Bejkeri në Shqipëri ai u njoh dhe me partitë e reja politike përmes Ramizit por ky i fundit nuk sqaron se si. Këtë çështje e sqaroi Bamir Topi për një dokumentar të “Top Channel”: në një bisedë që kishte me Ramizin në atë kohë ky i fundit i kishte thënë se kishte njohur Bejkerin (emërin e të cilit Topi e nënkupton) me katër përfaqësuesit kryesorë të partive politike në Shqipëri: “Fatos Nanon, kryetar i PS, ish-anëtar i PPSH; Sali Berisha kryetar i PD-së, ish-anëtar i Partisë së Punës; Skënder Gjinushi, kryetar i partisë social-demokrate, ish anëtar i partisë së punës; Sabri Godo, kryetar i partisë republikane, ish-anëtar i partisë së punës”, duke nënkuptuar krijuesin e tyre, Ramizin dhe arsyet pse ato janë anakronike por dhe faktin se kreun e partisë “demokratike”, Berishën, e kishte përcaktuar më parë Ramizi dhe amerikanët dhe jo mbështetja që gëzonte ai në atë kohë në radhët e partisë.

Kjo çështje ka rëndësi për ata që kontribuan në krijimin e partisë në fjalë por jo për Ramizin dhe Shqipërinë, sepse presidenti ynë në po të njëjtin libër, madje dhe më pas në qendrimet e tij publike, e bën të qartë se ai vërtet lejoi dhe udhëzoi krijimin e partive të reja politike por ato i dolën jashtë këqyrjes (kontrollit) dhe për pasojë si ai ashtu dhe krerët e tjerë të partisë së punës vuajtën pasojat (burgosje etj.) e revanshit të ballistëve të rinj që po përdoreshin nga amerikanët kundër ish-komunistëve dhe komunizmit si ideologji.   

Vlen të përmendet, në fund, fakti se të gjithë ata që pretendojnë se nuk kanë mendësi komuniste si Berisha dhe se ata janë perëndimorë në qasjen e tyre, përfshirë dhe studentët e kohës, kanë treguar se kuptimi i “demokracisë” për ta edhe pas 30 vitesh nuk është i qartë. 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA