Lufta e re e Berishës dhe Ramës me drejtësinë dhe amerikanët dhe detyrat e Spakut
Me mënyra të ndryshme, si Berisha ashtu dhe Rama kanë filluar një “luftë” kundër shërbimeve amerikane në Shqipëri dhe kundër Spakut
Ylli Përmeti
13/02/2025 - 09:07
Një ditë përpara ndalimit të Veliajt nga Spaku, Berisha njoftoi se kishte punësuar një nga arkitektët e fushatës së Trampit, LaCivita; një amerikano-italian. Me siguri, ai synon “të godasë me një gur dy zogj”: edhe të krijojë bindjen se ai do të fitojë zgjedhjet edhe se do t`i hiqet “non-grata”, meqënse LaCivita ishte një ndër arkitektët e fushatës së Trampit dhe tani mund të shërbejë si arkitekt i fushatës së Berishës dhe ndërmjetës për të ndikuar tek Trampi për heqjen e “non-gratës”.
Të dy këta qëllime do të jenë një fiasko: së pari, sepse Trampi dhe Berisha nuk janë njësoj dhe së dyti sepse LaCivita njeh shoqërinë amerikane por jo tonën (do t`i duhen disa muaj studim që ta kuptojë).
Por nga dy arsyet e përmendura, e para është më e rëndësishme, se Trampi me Berishën nuk janë njësoj, as në karakter, as në bindje dhe as në gjendjen penale. Trampi ka karakter të qendrueshëm ose qendrime politike të patundshme (dëgjoni qendrimet e Trampit 45 vite më parë dhe dëgjojeni sot) ndërsa Berisha ka karakter të paqendrueshëm dhe qendrime sipas “epsheve” të tij. Trampi është antiglobalist dhe antisorosist ndërsa Berisha është vetëm “anti-sorosist” por edhe ndaj Sorosit kundërshton vetëm “përallën” që ka krijuar vetë. Trampi është tashmë president dhe pavarësisht se i ngritën disa çështje penale, detyra e tij i shuan ato nga “defterët” e drejtësisë ndërsa Berisha është në ndjekje penale –deri tani, vetëm për një çështje, me qindra të tjera në pritje– dhe në mëshirën e amerikanëve ose atyre që këqyrin Spakun.
Në fund, Trampi nuk mund të zgjedhë mes dosjes që i kanë “qendisur” shërbimet amerikane në Shqipëri që në vitin 2013 dhe LaCivita-s, ose ndonjë kërkese të këtij të fundit për t`i hequr Berishës “non-gratën”, sepse do t`i duhet të vërë në dyshim shërbimet amerikane në Shqipëri. Berisha ndoshta mendon se fakti që Trampi ka shfaqur një lloj armiqësie ndaj CIA-s dhe po përpiqet ta “reformojë” atë, ai do të ketë dyshime dhe për “dosjen” që i është “qendisur” nga shërbimet amerikane në Shqipëri, ose edhe nëse s`ka dyshime ndaj shërbimeve në Shqipëri, t`ia kallë Berisha përmes ndërmjetësit të tij, dhe kështu Trampi zgjedh heqjen e “non-gratës” dhe vendos në pikëpyetje shërbimet amerikane në Shqipëri.
Jam i bindur se LaCivita do të takohet dhe shërbimet amerikane në Shqipëri dhe ndoshta lexon dosjen e Berishës. Nëse e lexon, do ta braktisë përfshirjen e tij në fushatën e Berishës por edhe mund të “luajë” sa për të marrë ndonjë shumë marramendëse. Amerikanët e përdorin këtë lloj “diplomacie”. Të shohim! Lufta e Berishës për t`u çliruar nga kthetrat e drejtësisë vazhdon ndërsa e shqiptaro-amerikanëve, vazhdon për drejtësinë.
Paraqitja madhështore e Berishës me “arkitektin” amerikan e humbi rëndësinë një ditë më pas kur Spaku ndaloi Veliajn. Ndalimi` tij ishte i pritshëm, nëse gjykojmë nga afatet kohore të hetimeve dhe çka ishte botuar si “provë” për implikimet e tij me (pa)drejtësinë. Kundrejt ndalimit të kryebashkiakut, Rama nuk u dorëhoq por u hodh në kundërsulm, duke shënjestruar Spakun dhe akuzuar atë për mungesë “provash” dhe për “shkeljen” e “standarte”.
Lidhur me akuzën e parë, se dosjes së Spakut i mungojnë “provat”, Rama s`ka aftësi juridike për të gjykuar se ç`janë apo nuk janë provat. Ndoshta ia kanë “pëshpëritur” juristët e tij pretendimin e tij por qoftë edhe nëse është ashtu, Rama përdor “standarte” të ndryshme për njerëz të ndryshëm: ngre zërin për njerëzit e tij dhe hesht për të tjerët. Lidhur me akuzën e dytë, se Spaku ka shkelur “standartet” në hetime, nuk është se s`ka të drejtë, sepse Spaku nuk është i përsosur në zbatimin e parimeve (të cilët Rama i quan “standarte”) të drejtësisë, por ai shqetësohet vetëm kur shkelen për njerëzit e tij dhe jo për të tjerët, as kur bëhet fjalë për kundërshtarët e tij si Berisha dhe Meta e as kur bëhet fjalë për njerëzit e zakonshëm.
Megjithatë, është e qartë se Rama nuk po e paraqet ndalimin e Veliajt si një “goditje” politike dhe një detyrim për dorëheqje, edhe pse të gjithë e panë sjelljen e tij të turpshme, për të disatën herë, kur vuri duart në kokë, goditi tryezën me zemëratë dhe shau me fjalë të pista (në anglisht), kur po fliste me një televizion nga zyra e tij, por po mundohet ta shfrytëzojë për ta paraqitur si “provë” për të bindur popullin se po e ndihmon drejtësinë, qoftë edhe duke shënjestruar Spakun për çështje “parimore”.
Parë nga një këndvështrim strategjik, ai s`ka asnjë gjasë për t`u “mbivendosur” pavarësisht të metave të Spakut në zbatimin e parimeve të drejtësisë, sepse është e qartë se populli ose shumica e tij, është bindur se për gjithë të zvetënuarit e tij dhe gjendjen e Shqipërisë, përgjegjës është Rama dhe se ai shtiret kur “shënjestron” Spakun. Nga ana tjetër, fakti që Rama nuk u dorëhoq por kundërsulmoi dhe Spaku ka përparuar në hetime të tjera, ai do të “goditet” prapë nga Spaku përpara zgjedhjeve.
Në këto kushte, Spaku ka dy detyra kryesore: në njërën anë të synojë përsosjen në zbatimin e parimeve të drejtësisë, me qëllim që mos të lërë hapësirë për “kundërsulm” nga demagogët dhe në anën tjetër të përparojë me hetimet kundrejt Berishës dhe Ramës, me qëllim që të “goditen” fort përpara zgjedhjeve dhe të detyrohet Rama të dorëhiqet dhe të krijojë qeverinë teknike për të shkuar në zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 60 reads