...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Lufta e re e qeverisë “Rama” ndaj Metës dhe qëllimi i saj

Arsyeja kryesore se pse qeveria “Rama” synon hetimin e Metës lidhet me frikën e saj se aleanca Berisha-Meta mund të fitojë zgjedhjet e ardhshme

Ylli Përmeti

25/08/2022 - 20:30

Ndryshimet e neneve të ligjit të dekriminalizmit lidhur me ndalimin e kandidimit në detyra publike (deputet, kryetar bashkie, këshilltar etj.) përmes ndalimit të “personave që rezultojnë se kanë qenë bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit”, që duhet të provohet nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, se kanë qenë bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimi i Shtetit, vështirë të provohet për Metën gjykuar nga çka është publikuar deri më sot. Ndaj dhe nisma e re e qeverisë “Rama” për të ndaluar Metën―sepse ky është qëllimi kryesor― do të jetë një tjetër fiasko pas dy fiaskove lidhur me shkarkimin e tij si president për shkelje të kushtetutës.

Arsyeja kryesore se pse qeveria “Rama” synon hetimin e Metës lidhet me frikën e saj se aleanca Berisha-Meta mund të fitojë zgjedhjet e ardhshme. Nuk është e vështirë të parashikohet efekti i aleancës në fjalë nga “ekspertët” e qeverisë. Madje edhe nëse u mungojnë shënimet mund ta kenë marrë seriozisht paralajmërimin tim gjatë kohës kur Berisha demagogonte nëpër foltore:

Lajmi me zgjedhjet në partinë “demokratike” me kryetar Berishën është se ajo ka rreth 44 mijë anëtarë nëse gjykojmë nga pjesëmarrja në votime: “gjithsej në votime morën pjesë 43 mijë e 680 anëtarë”. Më parë Berisha por dhe Basha thoshin se anëtarësia në partinë në fjalë ishte rreth 80 mijë; më vonë thoshin dhe 65 mijë. Sidoqoftë, tkurrja lidhet kryesisht me përçarjen e tyre; sepse si Basha ashtu dhe Alibeaj kanë disa mbështetës. Le të hamendësojmë se janë rreth 200 mijë dhe të parashikojmë se sa mundësi ka Berisha bashkë me Metën të fitojnë zgjedhjet kur përballë kanë partinë “socialiste” me anëtarësi rreth 100 mijë: LSI-ja ka rreth 120 mijë mbështetës (por nuk dihet se sa anëtarë ka) të cilët bashkë me anëtarët e partisë së Berishës bëjnë rreth 165 mijë. Le ta shumëzojmë shifrën e anëtarëve të partisë së Berishës me 4, meqë pas çdo anëtari qendron një familje dhe në mesataren e tyre kanë katër anëtarë, na bëjnë 176 mijë. Le t`i shtojmë kësaj shifre dhe po aq të tjerë që mund të mashtrohen në procesin drejt zgjedhjeve të ardhshme: na bëjnë 352 mijë të cilët, bashkë me mbështetësit e LSI-së, bëjnë 472 mijë. Le të veprojmë njësoj dhe me partinë “socialiste” duke shumëzuar 100 mijë anëtarët e saj me 4: bëjnë 400 mijë. Por ndërsa “votuesit gri” mund të mashtrohen nga Berisha dhe Meta, ata nuk mund të mashtrohen nga Rama, sepse dhimbjet që ka shkaktuar ky i fundit tek ata janë të freskëta dhe dhimbjet thotë populli shkruhen në gur dhe jo në rërë si në rastin e shkaktimit të mirësisë (me politika të drejta apo privilegje) tek ata. Çfarë mbetet, është se aleanca “Berisha-Meta” mund të fitojë zgjedhjet e ardhshme!   

Një arsye e dytë ―e lidhur me arsyen e parë― lidhet me qëllimin e saj: të dobësojë edhe më shumë Metën me qëllim që aleanca Berisha-Meta të jetë më e dobët në zgjedhjet e ardhshme. Duke patur parasysh se asgjësimi i Berishës dështoi ―ka menduar kryesia e partisë “socialiste”― sulmi ndaj Metës bëhet i domosdoshem. Por këtë herë në dy fronte njëherësh: duke u përpjekuar për ta ndaluar të kandididojë dhe duke e kërcënuar me hetim lidhur me përfshirjen e tij në lobim në Uashington.

Zhvlerësimi i Krajës dhe lufta me ndërkombëtarët

Quajtja e Krajës “spurdhjak” nga Meta pas njoftimit se ai po hetohet nga Spak-u për “lobim të padeklaruar” në SHBA, me 700 mijë dollarë, për të siguruar ftesë dhe fotografi me Trampin në ceremoninë e përurimit si president i 45-të i Amerikës, kur ishte kryetar parlamenti, nuk është “kërcënim” siç e quajti ambasadorja amerikane menjëherë pas deklaratës së tij, por thjesht tregon “qëllimin” e tij lidhur Spak-un dhe detyrën e tij: të hetojë “mafien e djegësve” dhe mos të merret me të: sepse fjala “spurdhjak” në kuptimin e saj figurativ thuhet për dikë që është “fëmijë i vogël pa vlerë e pa përvojë” dhe sinonime ka fjalën “kalama” dhe “mistrec”. Quajtja e Krajës “spurdhjak”, rrjedhimisht, lidhet me qëllimin e Metës për ta zhvlerësuar drejtorin e Spak-ut. Madje ai paralajmëroi edhe një herë se në shtator do të ketë të “papritura” për Ramën. Në fjalët e Metës:

“Meqenëse spurdhjaku i partisë ka vendosur t’i shërbejë hapur mafies së inceneratorëve në panik, ju lutem njihuni edhe me një kërkesë tjetër serioze për karagjozët më të mëdhenj të Ramaformës. Shtatori po vjen dhe Drejtësia e Popullit nuk do ndalet më! Ramoviçin asgjë nuk e shpëton dot më”.

Meta luftën kundër Spak-ut dhe ndërkombëtarëve e vërtetoi në një intervistë me Euronews.al ku tha mes të tjerash se “në rast se nuk funksionon drejtësia patjetër në të ardhmen mund të aplikojmë, dhe pse jo, do të aplikojmë edhe modelin amerikan të zgjedhjes së prokurorëve nga populli”. Sigurisht, në kuadër të synimit të tij të zhvillimit të referendumeve për çështje lokale dhe kombëtare. Në fakt, në SHBA 93 prokurorët nuk zgjidhen nga populli por emërohen nga presidenti me këshillimin e senatit ndërsa 47 shtete i zgjedhin prokurorët e qarqeve përmes votimeve lokale dhe 3 të tjerët i emërojnë. Por fakti që prokurorët kryesorë të shtetit federal zgjidhen nga presidenti dhe prokurorët kryesorë shtetëror zgjidhen nga popullin, janë të parët që diktojnë prokurorët shtetërorë.

Madje siç tregon një studim, si prokurorët federal ashtu dhe prokurorët shtetëror amerikan kanë pushtet të madh dhe liri veprimi dhe janë zyrtarët më të fuqishëm në sistemin e drejtësisë kriminale të Amerikës por ligjet për t`i mbajtur ata të përgjegjshëm janë të dobët dhe zakonisht tërësisht pa efekt. Vendimet më të rëndësishme prokuroriale merren pas dyerve të mbyllura, larg shqyrtimit publik, dhe si të tillë ata janë të mbrojtur nga përgjegjësia publike. Tipari më i rëndësishëm i këtyre vendimeve të rëndësishme ndonjëherë për jetë a vdekje është se ata janë tërësisht vetëgjykimor. Dobësia e vendimeve prokuroriale nuk lidhet me qënien e saj por në zbatimin e rastësor dhe arbitrar të tyre. Qoftë edhe në zyrat e prokurorive që shpallin politika të përgjithshme për ndjekjen e rasteve kriminale, atje s`ka ligj (ose mekanizëm) efektiv për përgjegjësi publike. Vetërregullim në zyrat e prokurorive nuk ka përgjithësisht dhe Gjykata e Lartë e SHBA-së i ka mbrojtur prokurorët nga shqyrtimi publik dhe juridik.  

Gjatë kësaj përpjekje të re qeveria “Rama” do të vazhdojë të përdorë kartën e reformës në drejtësi ―se ajo po punon që ajo të jetë e mbrothët― ndërsa Meta do të përdorë kartën e ‘drejtesisë’ së popullit, në kuptimin e zhvillimit të referendumeve popullore siç i kupton ai dhe klasa politike në përgjigthësi: të përfshihet populli në votime pa shqyrtime popullore por me “shqyrtime” nga “ekspertët” e partive dhe klasës politike në përgjithësi. Berisha, gjithashtu, do të përdorë të njëjtën propagande si ajo e Metës duke theksuar politikat e padrejta të qeverisë dhe të ambasadës amerikane. Pak ditë më parë Berisha kundërshtoi ndërtimin e Skavicës, sepse, sipas tij, do të zhdukë “40 fshatra” dhe “6 mijë ha tokë buke”. DW, në fakt, përmendi në një raport të pahetuar mirë, se “parashikohet të ngrihet një digë me lartësi 147 metra, rezervuari i së cilës do të përmbyste rreth 15 mijë hektarë tokë bujqësore dhe pyje si dhe më shumë se 30 fshatra të luginës së Dibrës”!

Por ai e di se në të është përfshirë drejtpërdrejt ambasada amerikane për interesave amerikane dhe nuk do të ishte e çuditshme që ta shigjetojë edhe atë ndërsa vetë ambasada amerikane do të përpiqet të tregojë se po lufton për drejtësinë e popullit shqiptar duke e mbrojtur atë nga Berisha dhe Meta me qeverinë “Rama”. Kjo propagandë ka filluar të shihet me shumë dyshime nga populli dhe do të dyshohet më shumë me luftën mes Berishës dhe Metës në njërën anë dhe Ramës dhe ambasadës amerikane në anën tjetër. Me përfshirjen e Kinës në vendin tonë kjo ndarje do të thellohet. Madje edhe vetë Rama po luhatet mes perëndimit dhe lindjes. Pikërisht dje ai kritikoi BE-në për burokraci ndërsa përmendi mundësinë e bashkëpunimit me Rusinë dhe Kinën. Nëse ai kërcënohet me hetim nga Spak-u i diktuar nga ndërkombëtarët, me siguri do të kalojë në kampin e Berishës dhe Metës.        

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA