Marrë(zia)veshja “Meloni-Rama” për refugjatët dhe pengesat morale dhe ligjore në BE dhe Shqipëri
Marrëveshja e nënshkruar nga Meloni dhe Rama lidhur me refugjatët është e paligjshme si për qeverinë italiane ashtu dhe për qenverinë tonë dhe si e tillë është nul
Ylli Përmeti
08/11/2023 - 10:49
Për paligjshmërinë e të parës foli Amnesty International, sipas së cilës çdo individ i shpëtuar nga autoritetet italiane në det, përfshirë dhe ata që kërkojnë siguri në Evropë, janë nën juridiksionin italian dhe nuk mund të dërgohen në një vend tjetër përpara se të shqyrtohen kërkesat e tyre ndërsa për paligjshmërinë e të dytës flet Kushtetuta jonë në kreun II, “Marrëveshjet Ndërkombëtare”: sipas saj marrëveshjet ndërkombëtare duhet ose të ratifikohen nga kuvendi ose të nënshkruhen nga Këshilli i Ministrave në rast se nuk ratifikohet me shumicën e votave të kuvendit dhe t`i njoftohen atij nga kryeministri, sepse, sipas Kushtetutës sonë, refugjatët u nënshtrohen të drejtave dhe lirive të njeriut.
Por përapara se të shkohet tek të drejtat dhe liritë e refugjatëve, marrëveshja duhet të kalojë ose nga Këshilli i Ministrave ose nga Kuvendi. Ndaj dhe gjasat janë se Rama do të përpiqet ta miratojë në Këshillin në fjalë në ditët në vijim, meqënse ka filluar ta paraqes si një marrëveshje fitimprurëse. Por edhe nëse ai e miraton dhe shkon në Kuvend për të njoftuar “kuvendarët”, mbetet nevoja për të ndryshuar ligjet e BE-së dhe ligjet ndërkombëtare.
Brukseli, raportoi Financial Times një ditë pasi u njoftua marrëveshja “Meloni-Rama”, në fakt, zien ndaj planeve të Gjermanisë, Italisë dhe Austrisë për të dërguar refugjatët në “vendet e tretë” ndërsa për marrëveshjen e Italisë ai u befasua. Gjermania tashmë po shqyrton variantin e Italisë pas një deklarate të Britanisë dhe Austrisë për të bashkëpunuar mbi çështjen.
Komisioni Evropian u njoftua vetëm një orë pas deklarimit të marrëveshjes Meloni-Rama ndërsa kjo e fundit shpërfilli shqetësimet. Por planet e tyre do të përballen me pengesa morale dhe juridike. Ligjet e BE-së, duke përfshirë reformën që po përfundon këto ditë nga shtetet anëtare dhe parlamenti evropian, përcakton se kërkuesit e azilit “duhet të lejohen të qendrojnë në shtetin-anëtar” gjatë procesit së azilit. Ky ligj zbatohet menjëherë pasi njerëzit arrijnë në territorin e BE-së duke përfshirë ujërat territorial. Për të njëjtën arsye, marrëveshja e Italisë, citon raporti, “shkel ligjet e BE-së” përtej ndërlikimeve nën të drejtën ndërkombëtare.
Gjermania është pak më e kujdesshme duke premtuar vetëm shoshitjen e “vendit të tretë” ndërsa ideja ka fituar mbështetje dhe mes disa udhëheqësve të Gjelbër dhe Social-Demokratë, por qeveria e Sholcit ―pavarësisht se e ka ngritur çështjen publikisht― pas dyerve të mbyllura beson ende se plani nuk mund të veprojë. Pengesat ligjore mund të paraqiten të pakapërcyeshme por edhe nëse jo, atje është një shqetësim praktik: asnjë vend jashtë BE-së nuk do të ishte i përshtatshëm për të bërë një marrëveshje me Gjermaninë.
Sipas Imogen Sudbery, drejtor i Komitetit Ndërkombëtar të Shpëtimit në Bruksel, propozime të ngjashme ka patur dhe në të kaluarën por asnjëri s`ka përparuar për shkak të “metave të panumërta morale, ligjore dhe praktike”. Ky vendim shkakton një goditje tjetër ndaj parimit të solidaritetit, i cili qendron në zemër të sistemit të azilit evropian”, tha Sudbery.
Por vendet si Gjermania mund të gjejnë “tipa” si Rama në vendet e treta që vetofrohen pa menduar fare për pengesat ligjore, morale dhe praktike. Madje, Rama mund t`u vetofrohet të gjithë vendeve evropiane. Por fakti që ai ka zgjedhur “grykën” kryesore të derdhjes së refugjatëve ―Italinë― kuptohet se ka përfshirë dhe vendet e tjera evropiane.
Por është e qartë se marrëveshja “Meloni-Rama” nuk mund të zbatohet: së pari sepse përballet me pengesat ligjore dhe morale të BE-së dhe së dyti sepse përballet me pengesa të mëdha brenda vendit, morale, ligjore dhe praktike. Për pengesën e parë ―moralen― Rama përdori arsyetimin se ne duhet të jemi mirënjohës ndaj Italisë për shkak se ajo na ndihmoi në vitet `90.
Në fakt, mirënjohja duhet të jetë ndërsjellë por me Italinë të jetë më shumë mirënjohëse ndaj Shqipërisë: sepse Italia përpunon naftën tonë përmes së cilës shijon çmime “konkurruese” në tregun ndërkombëtar dhe shfrytëzon punëtorët tanë përmes të cilëve ajo konkurron edhe një herë në tregun ndërkombëtar dhe pasuron më shumë se përpara viteve `90 kapitalistët italianë. Ndihma që i dha Italia vendit tonë në vitet `90 nuk krahasohet kurrë me ndihmën tonë: sepse e para ishte për një periudhë të shkurtër kohore ndërsa ndihma jonë (me naftë dhe mëditës) është e përhershme dhe me fitime po aq të përhershme.
Në fund, vlen të përmendet fakti se praktikisht marrëveshja “Meloni-Rama” mund të shkaktojë shqetësime me karakter shoqëror: krime dhe epidemi nëse refugjatët nuk mbikqyren dhe kampet nuk gëzojnë kushte higjenike.
Ndryshe ngasa shqyrtohet këtu, shtypi dhe media jonë, “e majtë” dhe djathtë, shfryu me një vrull të paparë. Gazeta “Dita”, për shembull, publikoi një kryeartikull të Fatos Tarifës, anëtarit të bordit të saj dhe neoliberalit të thekur të partisë socia...i cili shqetësohet kryesisht me faktin se Rama nuk pyeti “grupet e interesit” ndërsa “Syrinet” publikoi një “batare” opionionesh me karakter ksenofob.
Për të mbështetur marrë(zinë)veshjen “Meloni-Rama”, por dhe për ta treguar Ramën si “diplomat të thekur”, agjentët e tij (Çupi, Baze etj.) nuk do të ngurrojnë të përdorin qendrimet e nacionalistëve italianë, pjesë e qeverisë “Meloni”, nëse kuptojnë se ajo nuk mund të realizohet, duke përdorur argumentin se ai “luan” për të kënaqur “epshet” e nacionalistëve italianë, me qëllim që ajo, me radhë, të mbështesë Shqipërinë në “rrugën” e saj evropiane!
Nacionalistët e Melonit e quajtën marrëveshjen të “shkëlqyer” pavarësisht se ajo bie ndesh me kushtetutën italiane. Por hamendësimi jo vetëm nuk mbështetet në ndonjë fakt por është dhe idiot, sepse vetë fakti se do të kuptohen arsyet se pse ajo nuk mund të realizohet nga nacionalistët gjatë javëve në vijim, kur Italia të përplaset me Bruskelin dhe me ligjin ndërkombëtar të të drejtave të njeriut, për shkeljen e të cilit Italia është dënuar në të kaluarën nga gjykata përkatëse, do t`ia bëjnë (nacionalistët) jetën politike Melonit më të vështirë dhe Ramës edhe më të vështirë.
Ky hamendësim për Ramën por dhe për Melonin është bumerang―domethënë, me ndikim të dëmshëm për të dy; dhe nëse Rama nuk do t`ia dijë për ndikimin në fjalë, meqënse e di se ditët e tij në kryeministri janë të numëruara, për Melonin nuk janë të tilla, sepse ajo sapo e ka filluar mandatin e saj të parë.
Çfarë mbetet nga ky hamendësim është se ai është i gabuar ndërsa është e qartë se “marrëveshja” e Ramës dhe Melonit është e marrë dhe buron nga padija e tyre por dhe nga karakteri i tyre, sepse ata mund të pyesnin përpara se të vepronin, fakt që tregon (edhe një herë) se ata vetëm për kryeministra nuk janë.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 80 reads