...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Mbi kuptimin e revolucionit nga Marksi, komunistët dhe Berisha

Berisha s`ka qartësuar nocionet si “taktika” dhe “strategji” e jo më të ketë kuptuar revolucionin

Ylli Përmeti

13/02/2023 - 13:21

Në protestën e 11 shkurtit Berisha foli për “revolucion paqësor” dhe më pas, përpara Bashkisë, për përdorimin e “taktikave dhe strategjive” për rrëzimin e Ramës! Të njëjtën ditë ai njoftoi dhe protestën e radhës: 13 shkurtin, përpara parlamentit dhe në orën 5 pasdite.

Për “taktikat dhe strategjitë” Berisha ka folur dhe herë të tjera; madje ai ka thënë se partia e tij ka një libër për to. Por kurrë nuk ka folur për to publikisht. Berisha, në fakt, ngatërron taktikat me strategjinë. Ja ç`tha ai vitin e kaluar:

“E di cila është taktika e opozitës. Unë po filloj zgjedhjet me protesta. Është hera e parë në jetën time që filloj zgjedhjet me protestat. Në zgjedhje do marr pjesë, por protestat do jenë të vazhdueshme. Kjo është një strategji për t'i thënë atij se ne jemi në këmbë. Ne po bëjmë fushata dhe protesta”. 

Por kështu është kur pretendon të drejtosh një popull pa kaluar nga kuptimi i nocioneve shoqërore. Ai, në fakt, po përdor dhe mashtrimet ose shtrembërimin e fakteve dhe shpesh përmbysjen e tyre, ndaj kundërshtarit të tij. Kjo është një tjetër taktikë që e përdorin të gjitha partitë.  

Por ai sqaroi një ditë më pas, për zërat që kërkojnë përdorimin e dhunës, se me protestat e opozitës “Berisha-Meta” nuk synohet marrja e pushtetit me dhunë apo përmes grushtit të shtetit. Madje për t`i dhënë karakter “demokratik” protestave të opozitës në fjalë ai bëri lidhjen mes partisë së tij ―“demokratike”― dhe qëllimit të protestave.

Është e qartë, rrjedhimisht, se ai synon të pengojë qeverisjen “Rama” dhe ta detyrojë atë të shpallë zgjedhje të parakohshme. Për të realizuar këtë synim ai s`ka rrugë tjetër veç të kërkojë krijimin e një qeverie teknike, sepse Ramës nuk i besohet.

Me koalicionin e tij Berisha mund t`i fitojë zgjedhjet. Por me Ramën në qeveri kurrë. Ndaj atij do t`i duhet një qeveri teknike. 

Përpjekjen për pengimin e “punimeve” të kuvendit Berisha e vërtetoi mbrëmbjen e 13 shkurtit kur ai u fut në kuvend (me drita të fikura) ndërsa deputetët e përjashtuar seancën e një jave më parë iu bashkuan protestuesve të opozitës jashtë kuvendit. 

Në kuvend Nikolla i kërkoi Berishës të publikonte videot me të cilat ai kishte kërcënuar (ose orgjitë e McGonigal) por ai refuzoi t`i publikonte ato. Më pas, pas një pushimi të kërkuar nga Nikolla, si pasojë e zhurmës së Nokës me shfaqje jashtë rregullave dhe përdorimit të bilbilit për të panguar fjalën e deputetëve të tjerë, Berisha fliste nga telefoni i tij për videon dhe tërhiqte vëmendjen lidhur me videot e pretenduara dhe protagonistët në to, duke treguar Spiropalin.

Më pas foli Balla duke propozuar ndërprerjen e seancës parlamentare dhe për pasojë, propozimi i tij u miratua menjëherë nga shumica “socialiste”. Nuk mungoi reagimi i Berishës nga telefoni i tij duke thënë edhe një herë se videot erotike nga ai nuk do të publikohen përveç “orgjive” të McGonigal, të cilat, tha ai, do t`ia dërgojë organeve të drejtësisë. Kështu deputetët dolën jashtë ku foli edhe një herë Berisha për videon erotike të McGonigal. 

Tensionet e reja mes qeverisë “Rama” dhe opozitës (Berisha/Meta) filluan pas publikimit të skandalit McGonigal dhe kërkimit nga opozita (në 2 shkurt) të një mocioni për skandalin në fjalë. Rama nuk u paraqit në kuvend dhe kështu filloi protesta ose pengimi i “punimeve” të kuvendit.  

Këto përpjekje shkaktuan reagimin e kryetares së kuvendit, Nikollas, e cila përjashtoi (pasi ndoqi procedurën parlamentare me paralajmërime etj.) si fillim Berishën dhe më pas deputetë të tjerë. Përjashtimet kulmuan në datën 16 shkurt, me numrin e tyre të shkojë në 21. Si reagim, “demokratët” kërkuan shkarkimin e kryetares së kuvendit. Por shumica e rrëzoi kërkesën e tyre.

Në fund të seancës u shfaq dhe Rama. Por ai nuk foli. Kuvendi, ndërkohë, njoftoi dhe mocionin me Ramën: në 2 mars. Paralelisht Berisha njoftoi protestën e radhës: në 3 mars.  

Për “revolucionin paqësor” të Berishës u bënë shumë komente nga shumë spekulantë që as nocionin revolucionit s`kuptojnë as edhe i përmbahen qendrimit të tij.

Së pari, Berisha s`ka qartësuar nocionet si “taktika” dhe “strategji” e jo më të ketë kuptuar revolucionin.

Së dyti, Berisha vërtet flet për “revolucion paqësor” por paralelisht thotë se kërkon rrëzimin e Ramës dhe jo përmbysjen e rendit kushtetues siç e paraqesin shumë spekulantë nëpër televizione.

Së treti, Berisha e ka filluar karrierën e tij politike si kundër-revolucionar dhe jo si revolucionar: sepse kontriboi vendimtarisht në shkatërrimin e pasurisë sonë të përbashkët (uzina etj.) dhe e ktheu shoqërinë tonë nga revolucionare në kundër-revolucionare.

Kujtoj se socializmi marksist përdori qasjen e Marksit lidhur me “revolucionin e përhershëm”. Marksi e kuptonte revolucionin në dy nivele: politik dhe shoqëror―domethënë, ai këshillonte komunistët të përmbysnin klasën sunduese (borgjezinë) me revolucion ose me dhunë të organizuar dhe më pas partia komuniste do të përdorte të njëjtën qasje ―të revolucionit të përhershëm― në nivel shoqëror: duke vënë dobinë (ose interesin) e përgjithshëm mbi dobinë vetjake.

Ky ishte thelbi i ideologjisë së partisë komuniste dhe këtë qasje ajo e përdori për ndërtimin e socializmit...marksit. Kjo është arsyeja që unë e quaj “socializëm marksist”: sepse Marksi ishte babai ideologjik i komunistëve marksitë dhe këtë fakt nuk e tregojnë vetëm me përqafimin e ideologjisë marksiste mbi “revolucionin e përhershëm” dhe përdorimin e saj në praktikë (duke nderuar njerëzit që sakrifikonin për atdheun dhe për të mirën e përgjithshme) por dhe me përmendjen e tij në literaturë.

Këtë koncept idiotët e anëve tona e shtrembërojnë. Për shembull, Shaban Murati, një përçudnues faktesh, shkruajti për “revolucionin” e Berishës por nuk i përmbahet as fjalëve të tij as zhvillimit të historik të ideologjisë marksiste. 

Pyetja që shtrohet lidhur me këtë “ideologji” është nëse ajo ishte marksiste apo jo dhe nëse ajo ishte e drejtë apo jo. 

Kësaj pyetje i jam përgjigjur në vend tjetër; ndaj këtu do të citoj vetëm karakterin kundër-revolucionar të Berishës: se ai kontriboi vendimtarisht në shkatërrimin e pronës së përbashkët për të cilën ishte përdorur ideologjia marksiste ku ishte vënë në jetë vërtet dobia e përgjithshme mbi dobinë vetjake, me përmbysjen e saj, duke vendosur dobinë vetjake mbi dobinë e përgjithshme dhe duke sjell në pushtet pinjollat kundër-revolucionare të socializmit dhe të kohës së luftës së dytë botërore, kur bashkëpunuan me pushtuesit.

Gjykuar nga këto fakte dhe nga arsyet kryesore se pse ai kërkon rrëzimin e tij ―korruptimin e tij me McGonigal dhe qëllimi i tij për t`u treguar “dhëmbët” amerikanëve që mos ta arrestojnë― kuptohet se protesta e tij ka karakter kundër-revolucionar: sepse nuk synon revolucionarizimin e shoqërisë kundër shkaqeve të korrupsionit dhe çlirimin e saj nga dhuna sistemike por thjesht të shpëtojë veten dhe bashkë me veten ata që e mbështesin...   

Ky editorial është plotësuar në datën 17 shkurt 2023

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA