...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Mënyra e hapjes së urës në Mitrovicë “çon ujë në mullirin” e Vuçiçit ndërsa Kurti vazhdon të kërcënojë sigurinë e Kosovës

Mbështetja e hapjes së urës duhet të shoqërohej me një përpjekje paralele për t`iu përmbajtur tërësisë së marrëveshjes me Beogradin ose të paktën sa i përket drejtimit të katër komunave me shumicë serbe, meqënse asaj marrëveshje vetë Beogradi nuk i përmbahet

Ylli Përmeti

18/08/2024 - 18:57

Kurti po vazhdon të “luajë një lojë” tejet të rrezikshme me urën e Mitrovicës. Unë e mbështeta kur njoftoi qëllimin e tij, sepse parashtroi një qasje paksa “demokratike” dhe mendova se do të ndërmerrte veprime paralele për të “normalizuar” marrëdhëniet me komunitetin serb në veri, kryesisht lidhur me drejtimin e komunave, të cilat vazhdojnë të “drejtohen” nga njerëz që u zgjodhën nga zgjedhjet jodemokratike që u zhvilluan më 23 prill, 2023, dhe ndjesinë që kanë qytetarët serbë: ata e shohin përpjekjen e Kurtit, në shumicën e tyre, si përpjekje për “spastrim etnik”.

Në kushte të tilla shoqërore, dhe sidomos kur vërehet vërshimi i ndërmarrësve shqiptarë në Mitrovicë, menjëherë pas hapjes së urës, përpjekja nuk mund të shihet ndryshe nga serbët e Kosovës dhe sigurisht nga Beogradi.

Arsyetimi se çështja e urës është pjesë e marrëveshjes që ka bërë Kosova me Serbinë në vitin 2014 apo se për hapjen e saj vendosi Kuvendi` Komunës së Mitrovicës në prill të vitit 2023, dhe për pasojë “ndërkombëtarët” nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë e as ta përfshijnë në “bisedimet e drejtuara nga BE-ja”, siç kërkoi kjo e fundit pas njoftimit për hapjen e saj, nuk shoqërohet me arsyetimin se qeveria “Kurti” ka shkelur një pjesë të marrëveshjes që ka bërë Kosova me Beogradin lidhur me “drejtimin” e komunave serbe në veri―domethënë, zhvilloi zgjedhje jodemokratike.

Ndaj mbështetja e hapjes së urës duhet të shoqërohej me një përpjekje paralele për t`iu përmbajtur tërësisë së marrëveshjes me Beogradin ose të paktën sa i përket drejtimit të katër komunave me shumicë serbe, meqënse asaj marrëveshje vetë Beogradi nuk i përmbahet, se çështja e postës dhe ndalimit të dinarit, tashmë mund të thuhet se ato janë mbyllur dhe do të shënohen në histori si veprime të padrejta, në kuptimin e mospërfshirjes së popullit serb në kuvende popullore për ta sqaruar atë lidhur me qëllimin e qeverisë por dhe për ndikimet që do të kishin…dhe një përpjekje tjetër, po aq paralele, për të bindur qytetarët serbë në Mitrovicë së hapja e saj është në të mirë të gjithë qytetarëve dhe pastaj të ftohen të gjithë për ta miratuar, në një Kuvend të vërtetë, popullor, që të mos bëhen vegël e Beogradit më pas dhe të fillojnë minimin e përpjekjes, me protesta apo qoftë edhe me sulme të armatosura. 

Parë nga këndvështrimi serb, çështja e zgjedhjeve jodemokratike është më e rëndësishme; pas saj vijnë ndalimet e dinarit dhe shërbimit postar; dhe në fund, çështja e urës. Në të katër këta raste Kurti ka vepruar jodrejtë por më padrejtësisht veproi me zgjedhjet jodemokratike. Por ai “zbuloi” në rastin e urës se donte të zhvillonte një “dialog” me komunitetin serb në Mitrovicë, ndryshe ngasa veproi me dinarin dhe postat. Asaj përpjekje i dha “frymë demokratike”. Por është e qartë se nuk bëhet fjalë për demokraci, jo vetëm sepse nuk përmendi gjëkundi nevojën e zhvillimit të një kuvendi popullor për të miratuar qëllimin e tij, por nuk pamë as “kryedemokratin” të udhëhiqte përpjekjen e “informimit”!

Fakti që Kurti s`veproi kështu, lind e drejta e Beogradit që të kundërveprojë, qoftë edhe duke kërcënuar me luftë. Me shumë gjasa ai po përgatitet për trazirat e radhës dhe të shohim se si do t`i shuajë Kurti.

Nuk është, në fakt, e vështirë të kuptohet se si do të veprojë Kurti kur Vuçiçi të “ndezë” trazirat: do të kërkojë ndihmën e amerikanëve dhe do të përdorë dhe dhunën policore. Gjykuar nga fakti se amerikanët nuk e mbështetën nismën e tij, madje ambasadori` amerikan i Prishtinës shtoi se do të rrezikonin “ushtarët amerikanë” në rast trazirash, me shumë gjasa ata nuk do ta mbështesin Kurtin, as politikisht, as në OKB as edhe përmes KFOR-it.

Kështu ai do të mbetet vetëm me policinë e Kosovës dhe me “zgjidhjen” e vetme për të ushtruar dhunë. Por dhunës së tij do t`i përgjigjet Vuçiçi me ndërhyrje ushtarake; dhe kështu Kurti çon “ujë në mullirin” e Beogradit―domethënë, krijon kushtet për trazira dhe ato shfrytëzohen nga Vuçiçi dhe kështu ai nuk rrezikon vetëm humbjen e veriut të Kosovës por kërcënon gjithë sigurinë e Kosovës, Shqipërisë dhe rajonit.

Kosova ka të drejtë ―në bazë të marrëveshjes që ka bërë me Beogradin― ta hapë urën, madje hapja e saj është e dëshirueshme për arsye shoqërore (ndërveprojnë më shumë popujt tanë etj.) por hapja e saj kryhet në kushte kur Kurti ka shkelur një nga shtyllat kryesore të marrëveshjes 2013: zhvillimin e zgjedhjeve demokratike. Më pas, përmes rasteve të dinarit dhe postave, ai tregoi, edhe një herë, se nuk kishte zhvilluar ndonjë kuptimin (dhe rrjedhimisht, ndjesi) demokratik(e) por veproi pa e dijësuar popullin serb për masat dhe pasojat e tyre―domethënë, nuk ngarkoi me detyrë punonjësit e administratës që ose të organizonin kuvende popullore ose të shkonin “derë-më-derë, dhe të dijësonin popullin dhe pastaj të kërkonin dhe miratimin e tij për masat. Ai ndryshoi paksa me rastin e urës por prapë ajo përpjekje nuk i mbulon dot gafat e tij (në seri) politike.  

Në fund, vlen të përmendet fakti se shumë zëra “kritikë” ndaj Kurtit, në rastin e urës e mbështetën! Hamendësisht sepse e kanë të vështirë të bëjnë lidhjen mes qëllimeve të Beogradit dhe veprimeve të Kurtit! Por pati dhe kundërshtime. Haradinaj, për shembull, mbështet hapjen por mbështet dhe qendrimin e ambasadorit amerikan në Prishtinë―domethënë, se nuk është “kohë e përshtatshme për urën”.    

Kurti vuan nga dogmatizmi dhe mungesa e virtytit të ndershmërisë

Strategjia e Sorosit për kapjen e partive politike dhe rrëzimin e Kurtit

Propaganda kriminale e medias së Berishës dhe vizita tradhtare e Kurtit në Athinë

“Loja e pistë” e ndërkombëtarëve dhe Ramës me Kurtin dhe variantet e daljes nga kriza

Plani i Vuçiçit për shkëputjen e veriut të Kosovës dhe kontributi i vyer i Kurtit

Si u kurthua Kurti me serbët e veriut të Kosovës?

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA