Miçotaqi “godet” Ramën me “shuplakën” e parë gjeopolitike
Rreth një muaj përpara kësaj “shuplake” Rama tha se nuk besonte se çështja “Beleri” do të mbivendosësh mbi projektin e madh të Bashkimit Evropian
Ylli Përmeti
13/11/2023 - 09:24
Vetëm një muaj pas mbledhjes së BE-së në Tiranë, kujton gazeta “Kathimerini” (siç tregon në fotografinë që shoqëron raportin e saj) Athina ashpërson qendrimin e saj kundrejt Tiranës për shkak të Belerit ose, siç sqaron gazeta, “për shkak të shkeljeve të vazhdueshme të të drejtave të të burgosurit kryebashkiak të Himarës Fredi Beleri”. Ndaj ajo mori vendim që të “mos marrë pjesë në një letër të përbashkët të 27 anëtarëve të BE-së” për Shqipërinë që ajo të “fillojë bisedimet për detyrimin e parë të kapitujve të anëtarësimit”.
“Megjithëse u gjet formulë për të përparuar bisedimet për kapitullin përkatës për Maqedoninë Veriore, sepse Bullgaria pranoi propozimin pajtues (konsesual) që u dorëzua nga presidenca spanjolle, për Shqipërinë diçka e tillë nuk u bë”, sqaron më tej gazeta.
Në këtë mënyrë, Rama, sipas gazetës, krijon një çift kandidatësh për t`u integruar në BE, të shpejtësisë së dytë ndërsa kujtohet se kandidaturat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së V. janë të lidhura por tani ―me veton greke― ato shkëputen.
Vlen të theksohet se paketa e parë për çështjet themelore që duhet të zgjidhë çdo vend kandidat përfshin pesë kapituj, përkatësisht ata që kanë të bëjnë me:
• Gjyqësorin dhe të drejtat themelore.
• Drejtësinë , lirinë dhe sigurinë.
• Prokurimin publik.
• Statistikat.
• Kontrollin financiar.
Gazeta përmend dhe raportin e Komisionit Evropian ndaj Shqipërisë ku sipas saj ai përmendte tërthorazi ndërlikimet që shkakton çështja “Beleri” ndërsa Athina mund të rishikojë qëndrimin e saj nëse Tirana bënë veprime që nënkuptojnë se ka vend për diskutim dhe jo të ekspozojë një shfaqje force nga ana e zotit Rama, brenda apo jashtë Shqipërisë.
Greqia ka kërkuar në të gjithë nivelet e mundshme që zotit Beleri t’i jepet mundësia për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës, veprim të cilin deri tani ia kanë refuzuar gjykatat shqiptare ndërsa pritet seanca e radhës për gjykimin e tij në 22 nëntor. Athina parashikon se vendimi formës së prerë nga gjykata jonë për Belerin do të zgjasë ndërsa bisedimet në nivel evropian muajin tjetër për përparimin e Shqipërisë do të shpeshtohen.
Raporti përfundon duke cituar se “megjithëse në Athinë trysnitë janë të mjaftueshme dhe nga drejtime të shumta, në të njëjtën kohë është dhe ndijishmëria e qendrimit dobiprurës që mban Greqia pa tepëri “por me respect të plotë ndaj veglave që ka çdo anëtar i BE-së që ka mundësinë dhe rrjedhimisht detyrimin të përdor”.
Rreth një muaj përpara kësaj “shuplake” Rama tha se nuk besonte se çështja “Beleri” do të mbivendosësh mbi projektin e madh të Bashkimit Evropian, duke treguar edhe një herë padije të madhe lidhur me projektin në fjalë dhe qëllimet që kanë shtetet anëtare, sidomos të shteteve themeluese të tij dhe veçanërisht lidhur me qëllimet gjeopolitike greke në rajon.
Ja si u shpreh ai për ABC News nga salla e OKB-së në Nju Jork: “nëse mbetet kjo punë te Beleri, nami u bëftë e mos hyfshin kurrë në BE”!
Fraza e fundit ―kurrë mos hyfshin në BE― është një thirrje gati e përhershme e shqiptarëve në protestat lidhur me politikat e Athinës. Por ajo është spontane dhe nuk i përgjigjet realitetit gjeopolitik në të cilin gjendemi. Ndaj dhe qendrimi i Ramës është po aq spontan por për të i dënueshëm, sepse ai është kryeministër dhe hamendësohet se ka kuptim më të plotë të realitetit gjeopolitik në rajon dhe për më tepër, ai, me partinë e tij, dhe opozitën reaksionare që ka përballë, ka kontribuar vendimtarisht në krijimin e realitetit në fjalë, të dëshirueshëm për Athinën dhe të padëshirueshëm për ne―domethënë, ai është fajtor dy herë kur lëshon deklarat të tilla.
Me padijen e Ramës por dhe me qëllimet e patundshme gjeopolitike të Athinës gjasat janë se marrëdhëniet me fqinjin tonë jugor do të përkeqësohen.
Shitja e Shqipërisë nga klasa politike dhe akademike, ofensiva neoliberale greke dhe pasojat ogurzeza të marrëveshjes “Rama” me Greqinë
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 199 reads