...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ndryshimi i kuptimit të ‘flijimit’ nga fetë, shkeljet flagrante të Kushtetutës dhe poshtërimi i Skënderbeut

Nuk do të shqyrtoj këtu faktin se sa e drejtë dhe etike është flijimi i një kafshe as edhe arsyet pse një njeriu nuk i plotësohen nevojat nga shoqëria dhe mbetet në mëshirën e një feste fetare dhe të fetarëve përkatës; as natyrën e therjes së tyre (sepse dihet se ndaj kafshëve shkaktohet vdekje e dhunshme dhe e dhimbshme); as edhe kushtet higjenike dhe çfarë ndodh me “mbetetjet” e tyre

Ylli Përmeti

29/06/2023 - 10:51

Fjala ‘kurban’ vjen nga gjuha malai ose malaishtja (flitet në Lindjen e largët) në formën “korban”; dhe nga arabishtja dhe aramaishtja në formën “kurban”; por populli ynë ka krijuar fjalën “fli”. Në kohët pagane por dhe më pas, gjatë perandorive, fjala “flijim” lidhësh më shumë me luftrat, atdheun dhe lirinë por dhe me ‘tjetrin’: sepse si në luftë ashtu dhe në kohë paqe njerëzit flijoheshin për tjetrin; kur luftonin, sepse jepnin jetën; dhe kur përpiqeshin për të mirën e tjetrit ose për të mirën e përgjithshme në kohë paqe.

Por fetë e ndryshuan kuptimin pagan dhe i dhanë atij kuptim tejet të ngushtë: sepse e lidhin atë vetëm me flijimin e një kafshe dhe veprimin që pason pas tij: ngrenien e kafshës dhe dhurimin e një pjese të saj tek njerëzit në nevojë.

Nuk do të shqyrtoj këtu faktin se sa e drejtë dhe etike është flijimi i një kafshe as edhe arsyet pse një njeriu nuk i plotësohen nevojat nga shoqëria dhe mbetet në mëshirën e një feste fetare dhe të fetarëve përkatës; as natyrën e therjes së tyre (sepse dihet se ndaj kafshëve shkaktohet vdekje e dhunshme dhe e dhimbshme); as edhe kushtet higjenike dhe çfarë ndodh me “mbetetjet” e tyre; as edhe, në fund, arsyet pse ushqimet bimore janë më të mira se ushqimet shtazore.

Por do të theksoj ndryshimin e kuptimit të flijimit dhe efektin e tij në mendjen e njeriut dhe më pas do të tregoj se si fetarët muslimanë shkelin ligjet në fuqi dhe poshtërojnë luftën e Skënderbeut dhe historinë tonë me shfaqejn e tyre në sheshe publike.

Flijimi i kafshës është përdorur, gjithashtu, nga fiset pagane kur i flijonin ato në fillim të ndërtimit të një ndërtese, sepse besohej, madje besohet dhe sot, se flijimi i një kafshe në themelet e saj, do të sillte mbarësi. Ky është një besim, të thuash drejtën, tejet i kotë. Por me shfaqjen e feve në Ilirinë tonë, si fillim krishtërimi dhe më pas islami, kuptimi i “flisë” mori kuptim tjetër dhe fjalja “flijim” filloi të përdorësh më pak ndërsa vendin e saj filloi ta zinte fjala “kurban”. Bashkë me këtë fjalë filluan të mbivendoseshin dhe fjalë të tjera, fetare dhe jofetare.

Nga kjo mbivendosje janë krijuar dhe shprehjet “m`u bëftë kurban” (kur shprehim mospëlqim për çka thotë tjeri për ne dhe kur shprehim dëshirën që tjetri të pësojë një të keqe); apo shprehja “u bë kurban për atdheun, për partinë, popullin”; ose shprehja “t`u bëfsha kurban” (kur i shprehim dikujt dashurinë tonë); ose “kurban nëna, motra, vëllai” (kur shprehim dashurinë për dikë); apo “dashi i kurbanit” (që lidhet me praktikën e feve); apo në fund, shprehja “shkoi si dash kurbani” (kot, pa faj, shkoi humbur).

Kështu është krijuar ideologjia e “Kurban Bajramit” ― nga turqishtja, por në shqip duhet përdorur, nëse përdoret, “Bajrami i Kurbanit”, sepse fjala “bajram” në shqip është festë, ndërsa “kurbani” është kafsha e flijuar. Kjo ideologji ka në zemër të saj flijimin e kafshës jo të njeriut për atdheun dhe për tjetrin, në kuptimin e përpjekjes së vazhdueshme për të mirën e tjetrit sesa një herë në vit.

Gjykuar nga kjo mbivendosje dhe nga praktika përkatëse ―fetarët flijojnë kafshët për të mirën e tyre dhe të tjetrit, nëse i falin tjetrit ndonjë pjesë― dhe rrallë flijojnë veten për atdheun dhe lirinë e tij, dhe japin një pjesë nga kafsha e flijuar ndaj njerëzve në nevojë, sepse ua thotë feja (në fakt, ua thonë kryesisht elitat se sa librat) dhe jo karaktri ose virtyti i bujarisë, është e qartë se bëhet fjalë për një ideologji më shumë të dëmshme se sa dobiprurëse: sepse fetë përkatëse nuk kërkojnë flijimin e fetarit për atdheun dhe lirinë e tij por vetëm flijimin e një kafshe për veten e tij (që të festojë) dhe nëse i tepëron (për ndonjë tjetër që është në nevojë).

Përveç kësaj përmase joedukative ―kur ndryshon kuptimin e flijimit dhe përdor një togfjalësh që lidhet me gjuhën turke― ajo bart dhe një përmasë tjetër të karakterit politik: në vendin tonë ajo nuk shfaqet vetëm në vendet ku ushtrohen ritualet fetare (xhami) por kryesisht në sheshe publike.

Ndryshe nga feja e krishterë, e cila nuk del nga “gardhi” i Kishës kur ka festa të mëdha dhe vjetore, muslimanët e vendit tonë, dalin nga “gardhi” i xhamive dhe shpalosen në sheshe publike pa iu dridhur qerpiku. Sheshi kryesor që ata përdorin është “sheshi Skënderbej”: aty ku qendron shtatorja e heroit tonë kombëtar!

Kjo praktikë është në kundërshti me kushtetutën ose nenin 10 të saj―me thuajse të gjitha (6) pikat e tij. Madje, fakti që administrata publike në ditën e flijimit të kafshës nuk punon, është një tjetër shkelje e nenit përkatës: sepse “Republika e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare” dhe për pasojë administrata nuk duhet ta bëjë pushim.

Një përmasë tjetër lidhet me karakterin e luftës së Skënderbeut: ai luftoi perandorinë otomane dhe bashkë me të luftoi luftoi për të drejtat e shqiptarëve të kohës qofshin ato edhe fetare. Në atë kohë, shqiptarët ishin gati të gjithë katolikë e të krishterë, megjithëse paganët ose njerëzit që refuzojnë fetë monoteiste të Lindjes, kanë qenë gjithnjë pjesë e shoqërisë sonë.

Si e tillë, veprimtaria është poshtëruese nga një këndvështrim historik: sepse poshtëron karakterin e luftës së Skënderbeut dhe luftëtarëve të tij; madje gjithë luftrat e tjera pas tij kundër të njëjtës perandori. Karakterin e luftës së tij e kupton dhe elita përkatëse ndaj dhe nuk ka munguar mbulimi i shtatores së Skënderbeut gjatë ritualit vjetor si në vitin 2017.

Vlen të përmendet, në fund, fakti se si xhamitë ashtu dhe kishat janë ndërtuar pranë komuniteteve jodemokratisht―domethënë, duke zhvilluar kuvende (ku shqyrtohet nevoja e tyre) dhe votohen nga vetë komunitetet por me miratim “nga lartë” ose nga qeveritë tona kur dihet se qeveritë tona kanë qenë, janë, dhe nëse vazhdojmë të mbështesim parti matrapazësh, do të jenë kriminale.

Ndaj ato nuk kanë proceduar nga miratimi popullor i kulteve fetare por i kanë imponuar ato në bashkëpunim me qendrat fetare të feve përkatëse dhe përgjithësisht elitat e tyre (kryesisht arabe dhe turke, për muslimanët; greke, për të krishterët; dhe italiane, për katolikët) dhe ndaj fetë përkatëse shkelin ligjet tona dhe poshtërojnë historinë tonë si kurrë më parë!

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA