...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Nevoja për t`i mbajtur përgjegjës “pedagogët” që protestojnë vetëm për rroga

Si nga mësuesi ashtu dhe pedagogu ne nuk kërkojmë vetëm aftësinë e tij kuptimore lidhur me shkencën që ai jep por dhe virtytet e tij, intelektuale dhe etike, me më kryesorin, virtytin e drejtësisë dhe trimërisë, sepse pa këta dy virtyte ai nuk mund të udhëheqë nxënësit, studentët dhe shoqërinë.

Ylli Përmeti

15/10/2022 - 16:48

Në Shqipëri shumica e mësuesve, pedagogëve dhe profesorëve janë partiakë―jo vetëm në kuptimin se ata mbështesin një parti apo një tjetër por dhe në kuptimin se ata emërohen nga partitë politike përmes rektorëve. Sipas ligjit të arsimit të lartë, 2015, rektori është autoriteti më i lartë akademik i institucionit të arsimit të lartë dhe përfaqësuesi ligjor i tij për çështjet akademike dhe protokollare; ai zgjidhet nga anëtarët e asambleve të personelit akademik dhe njësive kryesore dhe nga dhjetë për qind e votatve të totalit të përgjithshëm të studentëve; dhe ai nënshkruan kontratat e punës të personelit akademik.

Në parim duket se ai nuk emërohet nga partitë politike por zgjidhet “demokratikisht” kryesisht nga trupa pedagogjike. Por fakti që çdo rektor ka qenë si fillim pedagog dhe shumica e tyre janë partiakë, në të dy kuptimet e përshkruar më herët, ai mbetet partiak edhe kur zgjidhet rektor nga trupa pedagogjike. Madje, nuk është sekret të thuhet se kur zhvillohen zgjedhje në institucionet e arsimit të lartë, pretendentët për rektorë përdorin influencën politike dhe nuk kalojnë nga shqyrtimi dhe gjykimi i punës së tyre në asamble nga trupa pedagogjike. 

Që janë ‘shumica’ partiakë kuptohet jo vetëm nga numri i pedagogëve që marrin pjesë në protestë por edhe nga numri i atyre që nuk marrin pjesë. Kështu ata që protestojnë vetëm për rroga nuk tregojnë vetëm karakterin e tyre por ata korruptohen më shumë dhe nga partitë politike të opozitës: ato mbështesin kërkesat e tyre pa treguar karakterin dhe rolin e tyre në shoqëri! 

Protesta e pedagogëve në Shqipëri ka dhe karakter prej kopjaci: sepse ajo filloi pasi mbaroi greva në Kosovë. Duke filluar nga 25 gushti deri në ditët e fundit të shtatorit në Kosovë u zhvillua një grevë e përgjithshme në sektorin e arsimit. Arsimtarët kërkonin 100 euro shtesë në muaj deri në miratimin e ligjit të pagave. Qeveria u ofroi 50 euro shtesë në muaj në kuadër të paketës për t`u përballur me inflacionin ndërsa greva la jashtë procesit arsimor mbi 320 mijë nxënës. Në parlamentin e Kosovës, partitë opozitare mbështetën kërkesat e Bashkimit të Sindikatave të Pavararura, ndërsa kërkuan zgjidhje nga qeveria për t’i dhënë fund bllokadës në sistemin arsimor.

Kurti tha se plotësimi i kërkesës prej 100 euro në muaj do të ishte gabim meqë do të nxiste greva dhe kërkesa të ngjashme të grupeve të tjera, ndërsa shtoi se greva po përdoret si armë kundër tij.

Kryesisht si pasojë e protestave të prindërve, greva u pezullua deri në janar të vitit tjetër duke i dhënë kohë qeverisë që ta shfrytëzojë për dialog. Pas kësaj greve u hodh në protestë shumica e pedagogëve në Shqipëri. Ata kërkuan rritje rrogash dhe rritje të fondeve për kërkimet shkencore kur dihet se vendi ynë është kthyer në një “bombë” toksike dhe është pushtuar nga mbetjet në tokë, ujë dhe ajër (kjo dukuri tregon se popullit i mungon dashuria për natyrën dhe virtyti i pastërtisë të cilin e ka për detyrë ta zhvillojë sistemi arsimor dhe familjet); kur është pushtuar nga krimet në familje dhe shoqëri (kjo dukuri tregon se popullit i mungon virtyti i drejtësisë dhe përmbajtjes, për të cilin është përgjegjës sistemi arsimor); kur mbi sistemin arsimor është imponuar një reformë arsimore e padrejtë për të cilën pedagogët dhe profesorët në fjalë nuk u hodhën në protestë për ta ndaluar por heshtën; kur mbytemi nga politikat e padrejta dhe të njëjtët ‘njerëz’ heshtin; kur vërtet ata shpërblehen më pak se homologët e tyre në vendet fqinje; dhe kur qeveria u rriti me 7 për qind rrogën dhe lejoi universitetet ta rrisnin me 8 për qind atë ―nga të ardhurat e tyre, kryesisht nga tarifat studentore―pavarësisht se mbytemi nga politikat e padrejta.

Sindikatat dhe profesorët e universiteteve publike protestuan edhe një herë të premten duke kërcënuar se nuk do të nisnin vitin akademik të hënën nëse qeveria nuk plotëson 9 kërkesat e tyre. Më konkretisht “ata kërkojnë rritje 50 për qind të pagave bazë sipas titujve shkencorë në dy faza, vlerësime për vjetërsinë në punë mbi 15 vjet dhe për orët e mbingarkesës shtesë në mësimdhënie, rritje të financimit për kërkimin shkencor, rivlerësim të orës mësimore leksion e seminar, rishikim të tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës shtesë, si dhe transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universiteteve publike”.

Kërkesat e tyre, rrjedhimisht, do të ishin të drejta kur të shihnim rezultate konkrete tek studentët dhe shoqëria në përgjithësi, pavarësisht se qeveritë kanë imponuar reforma të padrejta: sepse po të ishin vërtet “pedagogë”, duhet të kishin treguar kaq vite se udhëheqin jo vetëm studentët por dhe shoqërinë në luftën e saj për drejtësi e begati. Për të kuptuar peshën e fjalës pedagog, po sqaroj kuptimin e saj:

Fjala “pedagog” vjen nga fjala e përbër greke “paidagogos”, ku me fjalën “paid” kuptohet fëmija ndërsa me fjalën “agogos” drejtuesi ose udhëheqësi. Në antikitet përdorësh për skllevërit që çonin dhe merrnin djemtë nga shkolla dhe i mësonin ata pas shkollës. Me kalimin e kohës fjala “pedagog” mori kuptimin e mësuesit ndërsa fjala pedagogji përdoret gjerësisht për mësimdhënien.

Fjala “pedagog” në greqishten moderne ka tre kuptime: njëri që lidhet me detyrën e mësuesit; tjetri me njeriun që ndikon në mënyrë të rendësishme në popull duke krijuar perceptime të reja dhe duke frymëzuar të tjerët si shembull, si mësues; dhe një kuptim i fundit që lidhet me shkencëtarin e specializuar në pedagogji. Por pavarësisht kuptimeve në fjalë, pedagogu është së pari udhëheqës dhe ai udhëheq jo vetëm fëmijët por dhe popullin në vëshirësitë e tij kundër padrejtësive.

Fjala ose titulli “profesor” nënkupton një “pedagog” që ka marrë gradë shkencore. Ndryshimi mes një thjesht pedagogu dhe profesori është se ky i fundit ka kuptim më të lartë se pedagogu në shkencë dhe çështjet shoqërore. Thënë në fjalë të tjera, një mësues bëhet si fillim pedagog pastaj profesor dhe jo anasjelltas. Por si nga mësuesi ashtu dhe pedagogu ne nuk kërkojmë vetëm aftësinë e tij kuptimore lidhur me shkencën që ai jep por dhe virtytet e tij, intelektuale dhe etike, me më kryesorin, virtytin e drejtësisë dhe trimërisë, sepse pa këta dy virtyte ai nuk mund të udhëheqë nxënësit, studentët dhe shoqërinë.

Nuk është e rastit që ne me “mësues” ose arsimtar kuptojmë dikë që jep mësim në shkollë parauniversitare por dhe atë që shquhet në një fushë të dijes a veprimtarisë shoqërore dhe merret si shembull për t`u ndjekur. Për këtë të dytin kemi fjalë sinonime si udhëheqës apo prijës ndërsa “pedagog” quajmë atë që jep mësim në shkollë të lartë. Për nga rëndësia janë njësoj por për nga kuptimi ndryshojnë: sepse pedagogët kanë kuptim më të lartë se mësuesit e ciklit të ulët.  

Por si rasti i grevës në Kosovë, ku përfshihen kryesisht mësuesit ose cikli i ulët i arsimit, ashtu dhe në rastin e protestës në Shqipëri, ku përfshihen vetëm pedagogët dhe profesorët, kemi të njëjtën dukuri: ata protestojnë vetëm për rrogat e tyre ndërsa nuk kemi parë të protestojnë për dhimbje të tjera shoqërore!

Ku ndryshon, rrjedhimisht, protesta e grupeve të tjera shoqërore, si blegtorët kur protestojnë për çështjen e qumshtit, me mësuesit, pedagogët dhe profesorët? S`ka asnjë ndryshim, sepse ata protestojnë vetëm për “hallin” e tyre dhe nuk marrin pjesë në “hallet” e të tjerëve! Në rastin e pedagogëve në Shqipëri shtohet dhe një rëndim tjetër: ata nuk kundërshtuan reformën në arsimin e lartë të hartuar dhe imponuar nga qeveria “Rama”.

Ky fakt i bënë ata tre herë të fajshëm: një herë kur pretendojnë se janë “pedagogë” dhe “profesorë” pa treguar se janë të tillë; një herë kur nuk protestuan kundër reformës në arsimin e lartë; dhe një herë kur protestojnë vetëm për rrogat e tyre pa shqyrtuar rezultatet e tyre në shoqëri.

Për të gjitha këto arsye, mirë do të ishte që “pedagogët” dhe “profesorët” që protestojnë vetëm për rrogat e tyre, t`i mbanim përgjegjës, në kuptimin e ftimit të tyre në një kuvend ku do t`u tregonim së pari karakterin e tyre dhe së dyti t`u kërkojmë rezultatet në shoqëri përpara se t`u rrisim rrogat.   

Ky editorial është plotësuar 

Literaturë: 

Lufta kundër universitetit, dijes dhe popujve: nga Britania dhe Amerika në Shqipëri*

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA