Nuk mposhtet ylli` muzikës shqiptare, Parashqevi Simaku, nga lajthitjet e disa shqiptarëve
Yllin e muzikës sonë nuk e mposhtin idiotët e medias, ndaj të cilëve jam betuar se nuk do t`ua kursej padinë penale; përkundrazi, ajo lartësohet më shumë, pikërisht sepse e ka fituar dashurinë e popullit ndërsa muzika dhe kënga e saj do të jetë e përjetshme
Ylli Përmeti
17/12/2024 - 14:10
Një lajthitje e përgjithshme u vërejt pas filmimit dhe pohimit të Simakut në një bisedë me një të njohurën e saj, pranë stacionit të trenit ku jetonte vitet e fundit, se ajo “kishte harruar shqipen” ndërsa e njohura i dhuroi një “krajon” buzësh. Filmimi u quajt nga shumë njerëz si shkelje e të drejtave të saj dhe poshtërim i jetës së saj ndërsa “harresa” e gjuhës shqipe mori shumë nofka; disa madje guxuan dhe e quajtën atë “llumin” e shoqërisë shqiptare!
Në krye të lajthitjes së përgjithshme i rreshtua, si gjithnjë, Spahiu. Ai e dënoi publikimin e filmimit, duke përdorur pikërisht arsyet e sapopërmendura ndërsa “harresën” e gjuhës shqipe të saj e përligji me “sëmundjen” e saj, duke përmendur disa herë fjalën “depresion”! Madje, sipas tij, Simaku ishte detyruar të largohej nga Shqipëria për shkak të “depresionit” që i shkaktuan njerëzit e kohës por pa i dhënë ndonjë kuptim fjalës “depresion”, sepse duhet thënë se ajo fjalë përdoret në ekonomi dhe mjekësi me kuptime të ndryshme.
Në fund, u shtua dhe akuza e Milaim Zekës, një turp tjetër i gazetarisë shqiptare, që në shtete të përgjegjshëm do t`i ishte hequr e drejta e ushtrimit të zejes së gazetarit, se ajo sipas tij ishte “dhunuar e stërdhunuar nga ish-sigurimi i shtetit të Enver Hoxhës―“dhunë psiqike dhe fizike”, nga shefi i sigurimit të lartë të shtetit në atë kohë, Luan Bobrati. Akuzën ai e mbështet në njohjen e mirë që kishte me Parashqevinë në vitet 89. Hamendësisht, ishte pikërisht ajo që ia kishte rrëfyer!
Lidhur me filmimin, ai duket që është spontan dhe ka tepëri por nuk mund të thuhet se shkelen të drejtat e njeriut kur ajo që e ka filmuar nuk përfaqëson median por njeriun e zakonshëm. Është tjetër çështje pastaj se atë filmim e përdorën mediat për të tërhequr vëmendjen e popullit, sepse është kjo e fundit që shkel të drejtat e njeriut kur boton një ngjarje pa marrë miratimin e njeriut që përfshihet në të. Zonja që e filmoi mund të ketë patur qëllim të mirë por ai qëllim kthehet në shkelje nëse media vepron ashtu siç veproi me Simakun.
T`i kthehemi tani “revoltimit” apo “habisë” së shumë “patriotëve” lidhur me “harresën” e gjuhës shqipe nga Simaku. Këta e kanë të vështirë të kuptojnë se ajo e tha në një kontekst të caktuar që e themi të gjithë kur jetojmë jashtë Shqipërisë për shumë vite: se me “harresë” në ato raste kuptojmë pikërisht faktin se e kemi më të thjeshtë të flasim në gjuhën e huaj se sa në gjuhën amëtare, sidomos kur bëhet fjalë për njerëz që gjuhën e huaj e vendosin të parën dhe në rastin e saj i mungonte ndërveprimi me shqiptarë, të paktën 20 e ca vitet e fundit.
“Harresa” e saj, në fjalë të tjera, duhet kuptuar si thënia se “e kam më të thjeshtë të flas në anglisht”, sidomos kur njeriu me të cilin përballet flet të njëjtën gjuhë, sepse me siguri që ajo, po të përballësh me një shqiptar që nuk dinte anglisht, do të detyrohësh të përdorte shqipen pavarësisht se nuk e kishte përdorur për vite me radhë. Përpjekja e Spahiut, rrjedhimisht, për të përligjur “harresën” e saj me një “sëmundje”, nuk shpërnjeh vetem kontekstin në fjalë por i shton dhe një akuzë tjetër, edhe më të rëndë se e para: se ajo vuan nga një “sëmundje mendore” dhe për pasojë ajo ka harruar shqipen! Nisur pikërisht nga ky besim i përgjithshëm, nuk munguan dhe disa papagallë të fushave “mjekësore” të na kujtojnë se nga cila sëmundje vuan një njeri kur harron gjuhën amëtare!
T`i kthemi tani akuzës së Zekës; ndoshta atij ia ka rrëfyer vërtet Simaku “dhunën” e shefit të sigurimit të shtetit. Por një gazetar nuk mjaftohet me rrëfenjën e njerës palë por pyet dhe palën tjetër; madje, heton më tej mëtimin përpakatës, dhe pse jo, pasi të ketë shteruar hetimin, kërkon dënimin e dhunuesit. Por ai nuk vepron kështu por mjaftohet me “heroizma” të turpshëm gazetaresk.
Megjithatë, fakt është se Parashqevi Simaku është krijesë e socializmit dhe ne duhet të jemi mirënjohës ndaj tij, i cili spikati njerëzit më të talentuar dhe i mbështeti ata në jetën e tyre ndërsa Berisha, Nanua dhe Rama i la rrugëve të botës dhe të gjithë bashkë rrënuan gjithë artin e krijuar me shumë mund shekullin e kaluar. Qoftë edhe nëse është e vërtetë akuza e Zekës, ajo nuk e zhbën përpjekjen përkatëse. Përkundrazi, dashuria që fitoi Simaku në atë kohë dhe gëzon dhe sot, ishte pikërisht pasojë e dinamikës që krijonte partia komuniste mes artistësh dhe popullit për të zhvilluar dashurinë për artin dhe të bukurën dhe për të lumturuar popullin.
Vërtet media jonë e turpit shkel të drejtat e njeriut, dhe sidomos lidhur me Simakun, kur tregon gjendjen e saj të mjerueshme, por ne duhet ta shfrytëzojmë dhe të tregojmë shkaktarët: kriminelët e 32 viteve të fundit―sepse qeveritë tona e kishin dhe e kanë për detyrë (kushtetuese dhe morale) që të kujdesen për artistët në përgjithësi dhe Simakun në veçanti, meqënse “diamante” si ajo rrallë herë i lindin një populli.
Unë do t`i thosha Simakut, kur të shikonte shkeljet e medias dhe të lexonte këtë kritikë, se ngjarje si ajo që i ka ndodhur asaj, i ndodh çdonjërit, sidomos në vende si Amerika, dhe nuk është as turp e as dobësi. Përkundrazi, ne tregojmë anën tjetër të shpirtit tonë kur na pushton trishtimi (për shkak të një padrejtësie që na është bërë, si në rastin e saj, lidhur me birin e saj) dhe më pas jeta e mjerueshme: ndjeshmëria e lartë―ose të qenit njeri mbi njerëzit e tjerë në ndjeshmëri.
Njerëz të tillë janë të vyer për ne pikërisht sepse janë më të ndjeshëm se të tjerët; dhe ajo s`kishte se si mos të ishte më e ndjeshme se të tjerët kur dihet se niveli` saj muzikor është më i lartë se gjithë të tjerët. Parë pikërisht nga ky këndvështrim, publikimi` gjendjes së saj, pa lejen e saj, është në dobi të saj, pavarësisht se media shkeli të drejtat e saj.
Në fund, po përmend veprimin e atij shqiptarit që u përul përpara saj “për gjithë shqiptarët” siç tha ai. Sjellja ka tepëritë e saj, sigurisht. Por nëse e ka bërë në emër të nderimit të saj por dhe ndjesës që i detyrohemi Simakut për mos veprim gjatë viteve të saj kur kishte “humbur”, sepse ne duhet të kishim ngritur zërin, madje dhe të kishim protestuar, se pse qeveritë tona kriminale heshtnin për jetën e saj, përkulja përpara saj më përfaqëson dhe mua.
Megjithatë, yllin e muzikës sonë nuk e mposhtin idiotët e medias, ndaj të cilëve jam betuar se nuk do t`ua kursej padinë penale; përkundrazi, ajo lartësohet më shumë, pikërisht sepse e ka fituar dashurinë e popullit ndërsa muzika dhe kënga e saj do të jetë e përjetshme.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 301 reads