Politika e BE-së me vizat dhe paturpësia e Kurtit
Kemi Brukselin në njërën anë që kërkon të ndihmojë tregun evropian dhe të përparojë politikën e tij me vizat dhe lëvizshmërinë e popujve, në kushte shumë më të mira se rajoni ynë, dhe në anën tjetër qeveritë rajonale, të cilat, në kushte papunësie dhe varfërie të lartë dhe ikje masive por dhe nevojës për fuqi punëtore, në të njëjtët sektorë si blloku, të gëzohen kur u hiqen vizat për të udhëtuar në BE
Ylli Përmeti
03/01/2024 - 17:45
Borreli e quajti “vendim historik” heqjen e vizave për popullin e Kosovës dhe “me përfitime të rëndësishme”, si për BE-në ashtu dhe Kosovën, por pa përmendur ndonjë “përfitim” ndërsa Kurti dhe Osmani shpërthyen në qendrime plotë hare dhe gaz; madje nuk mungoi “spektakli” i Kurtit në aeroportin e Prishtinës ku shkoi në një avion dhe përshëndeti me radion e tij udhëtarët, hamendësisht, për t`u treguar se falë përpjekjes së tij ata po udhëtonin pa “telashe” ndërsa nuk mungoi dhe “gëzimi” në Tiranë (nga Begaj, Rama, Berisha etj.).
Heqja e vizave për vendet fqinje të BE-së dhe veçanërisht kundrejt atyre që ajo synon të ‘bashkojë’, në Evropën Lindore ku përfshihet dhe Rusia dhe Ballkani Perëndimor, por dhe Turqia, bëhet kur janë ndërmarrë dhe zbatuar “reforma teknike”, “mbi drejtësinë, lirinë dhe sigurinë” (justice, liberty, security/JLS).
Vizat janë një ndër politikat kryesore të BE-së për të shkrepur reforma në vendet e Evropës Lindore, në fushat e përmendura. Më konkretisht, në reforma që lidhen me forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe administrimit të mërgimit, përmirësimin e aftësisë mbikqyrëse të kufijëve dhe dokumenteve të sigurisë dhe liritë themelore të njeriut.
Politika zbatohet nga Komisioni Evropian bazuar në përmbushjen e ‘kritereve’ në fushat përkatëse. Ky i fundit ka zhvilluar “dialogje” për heqjen e vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor: si fillim me Malinezi, Serbinë dhe Maqedoninë e V. (2009); një vit më pas me Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën (sipas “Rrugëhartave për Heqjen e Vizave”); dhe katër vjet më vonë (2014) me Moldovën, Gjeorgjinë (2017) dhe Ukrainën (sipas “Planeve për Veprim për Heqjen e Vizave”).
Si politikë ajo është pjesë e një koncepti më të gjerë që lidhet me ‘lëvizshmërinë’ e popujve të BE-së me vendet e treta dhe synon nxitjen e rritjes ekonomike, përmes udhëtarëve të tregut ku përfshihen kryesisht drejtorët e korporatave dhe bankave ndërsa punëtorët me mëditje lejohen se herë tregu evropian ka mungesa por mbivendosen turistët dhe vizitorët familjarë, kryesisht për t`i dhënë një ‘frymë’ shoqërore dhe jo tregtare lëvizshmërisë së popujve.
Në vitin 2014 ajo qendronte larg realizimit të politikës së saj me vizat meqënse kishte realizuar vetëm vizat afatshkurtër në nivel BE-je dhe vetëm ndaj shteteve anëtare që i ishin bashkuar Zonës së Shengenit. Aktualisht BE-ja ka një regjim paviza me 61 vende që nuk i përkasin bllokut. Nën këtë regjim vendet jo-BE me një pasaportë biometrike mund të hyjnë zonën e Shengenit dhe anasjelltas, për 90 ditë në 180 ditë. Nga ‘regjimi’ në fjalë janë pezulluar tre vende: Rusia (për shkak të luftës në Ukrainë); Bjellorusia (për shkak të sulmeve hibride ose politikës së saj me mërgimtarët); dhe Vanuatu (për shkak të skemës së tij me pasaportat e arta).
Këshilli Evropian ndezi dritën e jeshile për heqjen e vizave për Kosovën në mars të vitit 2023. Ai i kishte propozuar Parlamentit dhe Këshillit Evropian për t`i dhënë Kosovës lirinë e udhëtimit që në vitin 2016, meqënse kishte zbatuar 93 nga 95 kriteret, por kaluan dhe dy vite kur ai ndërmorri vlerësimin e dy kritereve ―lidhur me shenjimin e kufirit me Malienzi dhe forcimin e gjurmimit kundër krimit dhe korrupsionit― që Kosova të priste zbatimin e vendimit përkatës.
Kjo është arsyeja kryesore se pse Kosovës i hoqën vizat; një arsye tjetër është e karakterit koniuktural―domethënë, lidhet me ‘shtrëngimin’ e Brukselit për të ndihmuar tregun evropian. Më konkretisht, Brukseli kërkonte të mbështeste tregun e punës në BE duke lehtësuar mërgimin për vendet jashtë bllokut që në nëntor të vitit të kaluar. Ky ‘shtrëngim’ ishte pasojë, gjithashtu, e qëllimit të disa qeverive evropiane për të shtuar masa më drastike për frenimin e emigracionit meqënse dyndjet ishin rritur por në kushte kur bllokut i mungonin punëtorë sidomos në sektorët e ndërtimit, shëndetësisë, teknologjisë dhe inxhinierisë. Komisioni Evropian shpreson të ndihmojë këta sektorë duke e bërë më të lehtë për qytetarët jo-BE të kërkojnë punë.
Madje ai propozoi gjatë të njëjtit muaj krijimin e një “baze të dhënash” e cila do të ndihmonte të lidhte punëtorët jashtë BE-së me punëdhënësit brenda saj, duke u fokusuar mbi sektorët ku nevojiten punëtorë më shumë, si industritë e ndikuara nga zhvillimi i ekonomisë së gjelbërt dhe elektronike. Për këtë qëllim do të përdoret një platformë në internet.
Vitin e kaluar punësimi në BE shënoi rekord: 75 për qind me papunësinë të bierë në 6 për qind ndërsa gati 3 për qind e vendeve të punës ishin të lirë dhe përqindja e vendeve të lira ishte më e lartë në vende si Holanda, Belgjika, Austria dhe Republika Çeke. Komisioni Evropian do të përparojë gjithashtu marrëveshje ligjore me vendet tashmë të përfshira si Bangladeshi, Pakistani, dhe Tunizia, si pjesë e një përpjekje për të nxitur shtetet anëtare drejt hapësirave më ligjore për mërgimtarët dhe për t`u dhënë njerëzve me mundësi të pakta të gëzojnë azil në BE dhe të punojnë ligjërisht meqë blloku po bisedon një refomë që ka për qëllim të zgjidhë mërgimin e paligjshëm.
Të gjitha këto kur nga Kosova u larguan vetëm në vitin 2022 rreth 41.500 banorë, kryesisht për t`u punësuar, ndërsa në përgjithësi, në pesë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria është “kampione” për braktisjen e atdheut (shih grafikun) dhe disa shtete të BE-së ankohen pas heqjes së vizave për keqpërdorime të vizave turistike sidomos nga Shqipëria dhe Serbia.
Dëftues është fakti se punëdhënësit e Kosovës dhe Shqipërisë përpiqen të punësojnë të rinj nga të njëjtët vende si Komisioni Evropian (Bangladeshi etj.), meqënse kërkojnë mëditje të ulëta dhe kursejnë punëdhënësit, qoftë edhe duke i ndihmuar ata për të ardhur, por, ndërsa ata vijnë me ndihmën e punëdhënësve, një ditë më pas ikin pa lënë gjurmë drejt Evropës!
Kështu, kemi Brukselin në njërën anë që kërkon të ndihmojë tregun evropian dhe të përparojë politikën e tij me vizat dhe lëvizshmërinë e popujve, në kushte shumë më të mira se rajoni ynë, dhe në anën tjetër qeveritë rajonale, të cilat, në kushte papunësie dhe varfërie të lartë dhe ikje masive por dhe nevojës për fuqi punëtore, në të njëjtët sektorë si blloku, të gëzohen kur u hiqen vizat për të udhëtuar në BE!
Madje, ta paraqesin ―si në rastin e Kurtit― si arritje të madhe, në vend të tregojnë të gjithë të vërtetën dhe kryesisht faktin se po zbrazin dhe varfërojnë vendet e tyre dhe me këtë fakt nuk mund të gëzohesh dhe faktin tjetër se po nxiten dhe ndihmohen nga Brukseli për të përparuar politika që në fund ndihmojnë “më shumë” Brukselin se sa popujt e rajonit.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 85 reads