Profka e Ngjelës për shpirtin, shkelja e ligjit të medias nga Top Channel dhe parazitizmi` AMA-s
Për profkat që lëshon Ngjela herë pas here në mos sa herë që shfaqet në ndonjë televizion, janë përgjegjës televizionet dhe drejtuesit e tyre ku përfshihen edhe tipat si “Manushi”, të cilët nuk zbatojnë ligjin për median ndërsa AMA, organi përgjegjës për zbatimin e ligjit, ka vite që fle gjumë!
Ylli Përmeti
14/12/2023 - 13:14
S. Ngjela është i kudondodhshëm në televizione por ai shfaqet më shumë në Top Channel. Javën që kaloi ai ishte ftuar në një program të drejtuar nga Manushi (E Diell). Ky i fundit filloi të drejtonte programe argëtuese por vitet e fundit ka filluar të drejtojë programe “dijësuese” (informuese) me doza argëtimi.
Në të njëjtin program, ku ishin ftuar dhe disa “përputhista” dhe disa vajza “vip”, Ngjela lëshoi një profkë të madhe se shpirti është nocion abstrakt dhe nuk ekziston!
Si gazetar dhe studiues unë Ngjelën nuk do ta ftoja në ndonjë debat përveç çështjeve juridike por me rezerva sepse edhe në ato ai ka dije të pjesshme ndërsa nuk do ta ftoja kurrë për çështje të tjera, shoqërore, ekonomike etj. Në këto çështje ai është kryekëput idiot.
Lexo dhe këtë: Ngjela: gallata televizive që na kushton shumë kohë nga jeta jonë
Por për profkat që lëshon Ngjela herë pas here në mos sa herë që shfaqet në ndonjë televizion, janë përgjegjës televizionet dhe drejtuesit e tyre ku përfshihen edhe tipat si “Manushi”, të cilët nuk zbatojnë ligjin për median ndërsa AMA, organi përgjegjës për zbatimin e ligjit, ka vite që fle gjumë!
Në rastin e programit në fjalë por dhe në programin tjetër që drejton gjatë javës ku ka protagonist komplotistin Cako, ai shkel pikat b dhe dh të Neni 46 të Ligjit nr. 97/2013, Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë. Pika ‘b’ kërkon që ngjarjet apo çështjet që janë tema të debatit publik, të trajtohen drejtë dhe paanshmërisht ndërsa pika ‘dh’ kërkon që programet të tregojnë kujdes ndaj ndjeshmërisë së publikut që ndikojnë për keq në zhvillimin moral, mendor dhe fizik të të miturave.
Në programin në fjalë si në çdo program tjetër, Manushi dhe televizioni ku ai ka vite që punon, nuk e trajton çështjen e shpirtit, për shembull, drejtë dhe paanshmërisht duke ftuar dy apo shumë njerëz me dije rreth kësaj çështje por fton një të shkulur nga mendja, Ngjelën, me disa “përputhista” që vetëm dije filozofike s`kanë, dhe çupëlina gjysmë lakuriq, të cilët cënojnë moralin e përgjithshëm të shoqërisë dhe e keqdijesojnë atë me qendrimet e tyre. Njësoj vepron gjatë javës me programin tjetër ku fton në mënyrë të përhershme Cakon, qendrimet e të cilit janë iracionale për çështje që shqetësojnë shoqërinë.
AMA ka vite që mbyll sytë ndaj këtyre programeve siç ka vite parlamenti, i cili duhet të kërkojë nga ajo zbatimin e ligjit. Arsyeja kryesore lidhet me “paktin” që ka bërë qeveria “Rama” me Berishën që mediat e tyre të mos zbatojnë ligjin ndërsa AMA është lënë e lirë për të bërë pallë dhe të shijojë rrogat e majme dhe tipat si Manushi lulëzojnë në media.
‘Pakti’ i tyre kuptohet veçanërisht muajt e fundit, me Top Channel protagonist në mos-raportimin e denoncimeve të Berishës ndaj Veliajt dhe Ramës lidhur me Djegësat dhe çështje të tjera ndërsa media e Berishës (Klani, Syri etj.) dhe e Metës (Oranews) vërtet raporton denoncimet ndaj tyre, qofshin ato nga radhët e PS-së apo të pavarura nga pushtetet e tyre, por në debate nuk fton kurrë denoncuesit ndaj tij. Berishën e ka shqetësuar ky fakt por nuk guxon të emërojë median që e censuron, sepse njesoj (ose gati “njësoj”) vepron media e tij. Madje nga Topi ai nuk censurohet tërësisht, sepse herë pas here ftohet në programe qendrore si ai i Dumës ku ai nuk censurohet.
Sigurisht, kjo e fundit e fton, kryesisht sepse i detyrohet atij për mundësinë që i dha për t`u bërë deputete se sa për faktin se ajo zbaton parimet e gazetarisë. Për këta të fundit ajo s`e ka idenë, sepse as edhe ndonjë raport nuk di të shkruajë e jo më të jetë e aftë të shqyrtojë dukuritë shoqërore në një program televiziv.
Në këtë mënyrë palët e mbajnë të mbikëqyrur “debatin” publik në disa teza të kufizuara të cilat përfaqësohen nga “analistë” dhe “gazetarë” të shitur kokë e këmbë në pushtetet partiake dhe shkelin ligjin e medias ndërsa kërkojnë, pa pikë turpi, zbatimin e ligjit nga të tjerët!
Shkelja e ligjit nga mediat dhe gazetarët dhe nevoja e mbështetjes së drejtësisë
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 46 reads