Si e ‘zhduku’ Shqipëria socialiste varfërinë?
Mirëqenia e popullit përcaktohet nga edukimi, punësimi dhe rritja e kursimeve dhe jo nga pohimi i përgjithshëm se në socializmin marksist (në “komunizëm” thotë shumica, duke ndjekur propagandën e klasës politike dhe shtypin e huaj si Voa) kishte varfëri por kishte dhe dashuri ndërsa të tjerë shtojnë dhe sigurinë.
Ylli Përmeti
02/09/2022 - 14:10
Mirëqenia e popullit përcaktohet nga edukimi, punësimi dhe rritja e kursimeve dhe jo nga pohimi i përgjithshëm se në socializmin marksist (në “komunizëm” thotë shumica, duke ndjekur propagandën e klasës politike dhe shtypin e huaj si Voa) kishte varfëri por kishte dhe dashuri ndërsa të tjerë shtojnë dhe sigurinë. Kështu, për shembull, kursimet e popullit u rritën që në dekadën e dytë të socializmit: në vitin 1973, në çdo tre shqiptarë njëri kishte librezë kursimi dhe shumat e kursyera ishin gjatë herë më të mëdha se në vitin 1950-të. Si pasojë, popullsia jonë thuajse u trefishua brenda 40 vjetëve: nga 1. 040. 400 në vitin 1938-të, në 2. 563. 400 në vitin 1978-të, dhe mosha mesatare u rrit nga 38 vjet në 69 vjet. Vdekshmëria nga 17,8 njerëz që vdisnin në vitin 1938-të për 1000 banorë, ajo arriti në 6,3 njerëz në vitin 1968-të. Nga viti 1951 deri në vitin 1978-të u ndërtuan 286 142 apartamente e shtëpi banimi. Shpenzimet social-kulturore arritën një nivel mjaft të lartë: nga 15 për qind që ishin në vitin 1950-të - në vitin 1978-të ishin 24 për qind. Në vitin 1960-të, punëtorë ishin 22.5%, fermerë (të fermave dhe kooperativave) 62.8% dhe intelektualë 13.6%. Por kursimet në popull u rritën më shumë gjatë dekadës `70-`80.
Megjithëse mungojnë studimet lidhur me ‘varfërinë’ e socializmit marksist, ne mund ta kuptojmë atë nga niveli i edukimit, punësimi dhe përqindja e kursimeve: në të tre këta sektorë niveli ishte shumë i lartë se çdo periudhë tjetër historike e popullit tonë. Varfëria filloi të merrte përmasa të mëdha pas braktisjes së socializmit. Një studim sasior i Bankës Botërore, për shembull, tregon se gjatë dekadës së parë, 1990-2000, në Shqipëri u rrit varfëria, aq sa konceptin “varfëri” e ndan në kater kategori. Sipas studimit, “shumë të varfër” janë ata që s`kanë ushqim të mjaftueshëm; s`janë të aftë të blejnë rroba; janë të paaftë për ndjekur traditat që janë të rëndësishme; dhe kanë ndjenja e pambrojtjes, frikës, padijes dhe poshtërimit. Por nga të gjitha këto, ushqimi është kryesori ndërsa të varfërit besonin se gjendja e tyre lidhet kryesisht me humbjen e shpresës, pambrojtjen, përjashtimin nga jeta shoqërore dhe tregtare, aftësia e ulët për të siguruar nevojat e familjes, dhe paaftësia për të ndjekur tradidat. Të varfërit thanë se ata hanë më shumë dhe pak thanë se kanë stres psikologjik. Shqetësimi i tyre kryesor lidhësh me infrastrukturën ―pak ose jo udhëtim dhe shkurtime në elektricitet― gjithashtu dhe mungesa e veshjeve. Probleme dytësore ishin kushtet e varfëra të banesave dhe mungesa e ujit.
Shkaqet kryesore të problemeve të tyre ishin papunësia, të ardhurat e ulëta ose mungesa e të ardhurave, dhe mungesa e sigurisë. Jo-të varfërit e përcaktonin varfërinë kryesisht si vështirësi për të fituar dije të drejtë dhe së dyti si përjashtim nga jeta shoqërore dhe tregtare, një pamundësi për të ndjekur disa nga tradidat, dhe humbje shprese dhe pambrojtje. Ata kishin më shumë pasuri lëndore se ‘shumë të varfërit’ dhe ‘të varfërit’ ndaj s`kishin shqetësim ushqimin dhe rrobat por shqetësoheshin më shumë për infrastrukturën dhe sigurinë publike. Problemet kryesore ishin ngrohja, siguria (krimet, mungesa e besimit dhe stresi psikologjik) ndërsa problemet dytësore ishin uji (sasi e vogël dhe cilësi e ulët), ujërat e zeza, dhe paaftësia për të marrë kujdes shëndetësor. Kategoria e fundit, ata që jetonin relativisht mirë, e shihnin veten të varfër lidhur me dijen e fituar. Ata kishin pak stres psikologjik lidhur me ushqimin, vjeshjen dhe kujdesin shëndetësor dhe shqetësoheshin kryesisht me plakjen ndërsa shumë pronësonin automjete dhe të mira familjare si frigoriferë dhe televizore. Disa kishin banesë të dytë. Shqetësimet e tjera të kësaj kategorie ishin të ngjashme me tre kategoritë e tjera.
Pas njëzetë vjetësh nuk ka ndryshuar shumë nga këto shqetësime; madje varfëria ―në kuptimin e mungesës së ushqimit― është rritur: varfëria në vendin tonë është mbi 32%, me përqindjen më të madhe në rajon (krahasuar me Kosovën, Maqedoninë, Malinezi dhe Serbinë) ndërsa kursimet e popullit kanë rënë në nivele të turpshme. Sipas një analize të Agjencisë së Depozitave, 2018, në total individët shqiptarë kishin 2.4 milionë llogari bankare. Por pjesa dërrmuese e tyre ishin llogari pagash ose depozita të vogla dhe vetëm 24 mijë shqiptarë, ose më pak se 1% e totalit të popullsisë kishte kursime bankare më të larta se 50 mijë euro! Por janë shtuar dhe shqetësime të tjerë: gjendja ekologjike dhe mundësia e shpërthimit të një lufte botërore në të cilën jemi përfshirë tërthorazi si anëtar të Nato-s. Kriza ekologjike ka shtuar frikën dhe angthin lidhur me të ardhmen; ka rritur sëmundshmërinë; dhe shumë ndihen pa shpresë aq sa prirjet për vetë-vrasje janë shtuar në shifra rekord.
Qartësisht, edukimi, punësimi dhe siguria që ushqen punësimi dhe edukimi në nivel individual, janë bazat përmes të cilave luftohet varfëria. Në këtë drejtim partia komuniste shënoi shifra rekord për kohën. Kjo është arsyeja se pse Shqipëria socialiste nuk kishte varfëri: sepse ushqimi nuk mungonte por mungonte shpërndarja e barabartë e tij; nuk mungonin rrobat por mungonte shumëllojshmëria e tyre; nuk mungonin orenditë shtëpiake por mungonte shumëllojshmëria e tyre; nuk mungonte siguria në nivel shoqëror (aftësia e policisë dhe ushtrisë arriti nivelin më të lartë që kishin ndonjë herë); dhe nuk mungonte qasja në kujdesin shëndetësor (ky ishte falas dhe nga sistemet më të mirë për kohën).
Periudha e artë e socializmit në Shqipëri ishte dekada 1970-80-të. Pas vitit 1980-të, ekonomia, pavarësisht se inteligjenca e kohës ishte shumë optimiste, pas planit të pesëvjeçarit të shtatë të vitit 1980-të, ajo kaloi në amulli (“stanjacion”) për gjithë dekadën.
Me fillimin e pluriparticizmit në vitin 1990-të ekonomia filloi të binte me shpejtësi duke kulmuar në vitin 1992-93. Pas këtij viti filloi rritja ekonomike duke kulmuar në vitin 1996-të. Viti 1997-të e tronditi ekonominë dhe e çoi në nivelin e vitit 1990-të. Pas kësaj tronditje filloi rritja ekonomike duke kulmuar në vitin 2014-të. Dhe pas këtij viti filloi amullia shkaqet e së cilës i kam treguar në vend tjetër...
Pjesë nga një studim më i gjerë
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 106 reads