...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Si Marin Mema ushqen iluzione me tregimin e rehabilitimit të kriminelëve të popullit?

Reaksioni grek rehabiliton kriminelët e popullit ndërsa reaksioni shqiptar rehabiliton shqiptarët e tipit ‘zogu’ dhe ‘mid`hati’

SHJ

03/12/2018 - 07:50

Një gazetar i ndershëm më të vërtetën dhe në dijeni se disa të vërteta mundësohen dhe riprodhohen nga disa të vërteta të tjera, më të mëdha, do ta fillonte rrëfimin e një çështjeje kundër-popullore, nga të vërtetat e mëdha duke shkuar drejt të voglave. Por që ta fillojë rrëfimin e tij nga të vërtetat e mëdha duhet të kuptojë se janë ato që riprodhojnë të vërtetat e vogla; dhe që të dallojë të vërtetat e mëdha nga të voglat duhet të kuptojë natyrën e pushteteve: sepse janë pushtetet që vënë lëvizje popujt.

Kështu, për shembull, gazetari i “Top Channel-it” që paraqitet si mbrojtës i popullit tonë, Marin Mema, nuk do ta fillonte rrëfimin e tij lidhur me veprimtarinë anti-kombëtare të Thoma Lolit nga veprimtaria dhe nga rehabilitimi i tij në vendin e lindjes por nga shkaqet që çuan Thomain të luftonte kundër popullit të tij dhe shkaqet që çuan në rehabilitimin e tij.

Për të kuptuar shkaqet pse Loli luftonte kundër popullit të tij nuk kërkon shumë mend përsa kohë që Greqia moderne i parapriu Shqipërisë moderne me një shekull. Gjatë kësaj kohe, elita greke, politike dhe fetare, krijoi kushtet ekonomike dhe doktrinare për të krijuar “heronj” në gjirin e popullit tonë dhe për të nxitur dëshirën për autonomi dhe bashkim me Greqinë. Nuk është vështirë të kuptohet efekti i varësisë në fjalë kur dihet se Greqia ka vepruar njëlloj tre dekadat e fundit dhe ka krijuar vëllavrasës të tjerë të organizuar në partitë politike në Greqi (Agimi i Artë etj.) dhe në Shqipëri (Omonia). Se çfarë e bashkon Lolin me “lolot” e tjerë të kohëve tona është doktrina: jo vetëm fetare, sipas së cilës ata janë “grekë” sepse janë të krishterë, por ata duhet të luftojnë për autonominë e “vorio-epirit” dhe të bashkohen me “vëllezërit” e tyre.

Çfarë s’u tregoi “Gjurmë Shqiptare” shqiptarëve për arin e “vjedhur” nga elita marksiste?

Përgjatë të njëjtës periudhë, elita greke ka mbërthyer me pushtetet e saj (ekonomike dhe fetare dhe rrjedhimisht dhe politike) gjithë klasën politike, mediatike dhe akademike. Mbërthimin e klasës politike dhe mediatike e realizoi ngadalë dhe kryesisht përgjatë dekadës së parë ndërsa mbërthimin e pushtetit akademik po e realizon përmes reformës në arsimin e lartë që miratoi qeveria “Rama1” përmes së cilës, mes të tjerash, universiteti “çlirohet” nga “kthetrat” e qeverisë dhe vendoset në kthetrat e tregut―domethënë, qeveria hoqi dorë në mbulimin e plotë të shpenzimeve në arsimin e lartë dhe lejoi universitetin të kërkojë sponsorë në treg ku mes shumë të tjerëve, grekët, dhe veçanërisht kisha e tyre, janë të gatshëm të sponsorizojnë studimet akademike ku do të synohet përmbysja e të vërtetave.

Rasti i Lolit, Mad`hatit, dhe Zogut e të tjerë pas tyre, është dëftues. Ky është reaksion i dyfishtë: i brendshëm dhe i jashtëm―sepse reaksioni grek rehabiliton kriminelët e popullit ndërsa reaksioni shqiptar rehabiliton shqiptarët e tipit ‘zogu’ dhe ‘mid`hati’. Por me një ndryshim: reaksioni i brendshëm është krijuar nga reaksioni i jashtëm dhe jo anasjelltas. Domethënë, ai është pjesërisht pasojë e padijes së klasës politike dhe pjesërisht e dijes―në kuptimin se PD-ja e dinte se do të përfaqësonte reaksionin e brendshëm por jo PS-ja. PS-ja thjesht shoqëroi procesin e zhvillimit të reaksionit të brendshëm dhe të jashtëm por duke e mbuluar atë jo sepse është ‘tradhëtare’ por sepse mbërthmin e vendit nga pushtetet reaksionare të fqinjëve tanë e mundëson orientimi ynë për t`u integruar në BE dhe globalizmin neoliberal në të cilin është integruar përpara nesh Greqia. Këtë orientim e mbështet thuajse gjithë populli―në padijen e tij, sigurisht: sepse populli, ashtu si klasa politike dhe akademike, nuk ka dije (sistemike) për efektet e politikave përkatëse. 

Shkaqet kryesore, rrjedhimisht, janë humbja e pavarësisë ekonomike dhe politike. Kur një vend humbet pavarësinë ekonomike dhe pushtetin politik e administron reaksioni i brendshëm me ndihmën e reaksionit të jashtëm, nuk do të ishte i çuditshëm rehabilitimi i Lolit dhe ‘lolove’ të tjerë të popullit.

Kështu në vend të tregojë shkaqet pse rehabilitohen kriminelët e popullit, gazetari në fjalë tregon të vërtetat e vogla që kurrë nuk mund të përmbysen nëse nuk përmbysen të vërtetat e mëdha. Kështu shqiptarët pa mendim dhe pa kuptim të realitetit gjeopolitikë që është krijuar, rendin pas tij dhe ushqejnë iluzione: se qeveria mund të heqë bustin e Lolit apo të të njëjtëve si ai dhe mund të ndalojë veprimtarinë e reaksionit grek në Shqipëri!

Duhet thënë se gazetarët janë pasivë në dije, qoftë edhe historike: kjo është arsyeja pse ata përfshijnë historianët në çështje historike. Duhet thënë, gjithashtu, se historianët nuk shqetësohen për shkaqet por mjaftohen me faktet. Por kjo s`e pengon gazetarin të kërkojë shkaqet. Ylli Përmeti i ka treguar ata në një studim mjaft të gjerë. Por gazetari në fjalë nuk i përfshin! Vallë ç`e pengon? Pronarja, drejtori apo vetja?!        

Video: 
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA