...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Turqia kërcënohet nga tërmetet dhe shkatërrime biblike ndërsa Erdogani “shpëton” shqiptarët

Tërmeti për ta është “deus ex machina” ­— një ngjarje e papritur që shpëton një gjendje politike të pa shpresë, si brenda vendit ashtu dhe jashtë tij

SHJ

06/12/2019 - 18:48

Pas tërmetit nuk mungoi solidariteti i shteteve të huaja dhe shumë shtete kontribuan me ndihma në mallra dhe financë - duke përfshirë dhe fqinjët tanë. Këta të fundit ndihmojnë kryesisht në emër të strategjisë së tyre për të përparuar interesat e tyre ekonomike dhe politike në Shqipëri dhe jo për shkak të dhembshurisë. Erdogani, për shembull, kërkon të forcojë imazhin që ka krijuar si “baba” i kombit “vëlla”. Këtë imazh e ka krijuar kryesisht sepse klasa jonë politike ka zgjedhur të korruptohet me elitat e vendeve fqinje dhe veçanërisht me Turqinë përmes politikave konçesionare.

Tërmeti për ta është “deus ex machina” ­— një ngjarje e papritur që shpëton një gjendje politike të pa shpresë, si brenda vendit ashtu dhe jashtë tij. Erdogani, dihet se ka dëmtuar shpresën që krijoi brenda vendit me politikat e tij. Dhe meqënse shpresa atje po venitet, mendon Erdogani, mirë është ta fuqizojë atë jashtë vendit dhe sidomos në Shqipëri ku kapitali turk (dhe pushteti fetar) ka zhvilluar kthetrat e tij. Këtë shpresë mund ta përdor dhe brenda vendit pavarësisht faktit se Turqia është një vend sizmik, me shkatërrime biblike dhe ku priten tërmete shumë të fuqishëm.

Pavarësisht këtij fakti, Erdogani ka marrë masa tejet të pjesshme! Stambolli, për shembull, një qytet me më shumë se 15 milionë banorë, nëse goditet nga një tërmet i fuqishëm (7.5 ballë, siç pritet), mund të ketë, sipas autoritetit turk (AFAD) mbi 30,000 të vdekur, 44,000 ndërtesa të shkatërruara dhe të lërë 2.5 milion njerëz të pashpresë brenda pak orësh. Këto janë parashikime që burojnë duke gjykuar nga gjendja e ndërtesave atje. Sipas vlerësimeve, rrezikohen 6.4 milionë banorë nga tërmetet, gati gjysma e qytetit, shumë më tepër se në çdo vend tjetër në Evropë.

Janë mes 200,000 dhe 250,000 ndërtesa në rrezik në kohën kur qyteti kërcënohet dhe nga një cunami pas-tërmetor, kontribuon rreth 40 për qind në PPB-në e vendit dhe ku gjenden porte të rëndësishëm me depozita gazi dhe nafte. Që nga viti 1999 kur vendi u godit nga një tërmet i fuqishëm dhe vdiqën mijëra njerëz, Turqia filloi të vepronte vetëm vitin 2018-të duke arnuar mbi 700 ndërtesa publike ndërsa shtoi rezervat e ushqimeve dhe përditësoi kodin e ndërtimit për herë të parë pas një dekade duke përfshirë sigurimin e detyrueshëm ndaj tërmeteve për ndërtesat e banimit dhe punës.

Sidoqoftë, pak ditë pas tërmetit të nëntorit, Erdogani ofroi ndërtimin e një fshati për të pastrehët. Paralelisht me këtë ofertë Rama pati dhe një ofertë tjetër nga disa shqiptarë patriotë. Por ky i fundit zgjodhi ofertën e Erdoganit pa asnjë rezervë! Duhet thënë se ndërtesat e Erdoganit do të jenë si ndërtesat aktuale por me disa “standarte” kundërsizmike ndërsa ndërtesat e shqiptarëve do të ishin ekologjike, absolutisht kundër-sizmike dhe me kosto të ulët - realizimi i të cilave do të kërkonte pak kohë krahasuar me ndërtesat e tjera.

Mirëpo këta avantazhe për Ramën s`kanë asnjë kuptim. Për të s`ka kuptim as strategjia e Erdoganit dhe as efektet e saj: sepse duhet thënë se vërtet Erdogani fuqizon imazhin e tij si “baba” i kombit “vëlla” por paralelisht krijon dinamikën për të kërkuar burime të tjerë ekonomikë përmes politikave konçesionare.

Në fund të fundit, kur kryeministri nuk e ka të qartë natyrën e ndërtimit (që ta ketë të qartë do të duhet të studiojë) nuk do të ishte e çuditshme të shpërnjohë zhvillimet e fundit dhe mbi të gjitha filozofinë ndërtimore. Këtë të fundit nuk e përmendin as inxhinierët! Hamendësisht, sepse kur kualifikohen nuk kalojnë nga filozofia e ndërtimit por mësojnë vetëm aspektet teknike të tij. Por edhe në aspektet teknike janë tejet të pjesshëm.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA