...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Vrasja me paramendim e gruas së re në Prishtinë nga bashkëshorti dhe shkaqet

Karakteri i njeriut luan rol vendimtar në sjelljen e tij në martesë dhe karakterin e krijon edukimi dhe edukimi vërtet fillon në familje por ai përcaktohet kryesisht nga sistemi arsimor, dhe nëse ai dështon, ashtu do të dështojnë dhe familjet e reja

Ylli Përmeti

03/12/2023 - 14:22

Krim “femicid” e quajti presidentja e Kosovës vrasjen e një gruaje të re (30 vjeçareje), i cili ishte planifikuar nga burri i saj, duke mbështetur karakterizimin e shefit të misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Michael Davenport! Si këta, shumë të tjerë!

Një pedagog i shkencave sociale, për shembull, e quajti “shovinizëm maçist”, duke shtuar se “problemi është më i thellë” por pa treguar thellësinë e tij. Kështu të gjithë i dhanë ngjyra ‘gjinore’ vrasjes së radhës dhe nuk e panë si një vrasje që bart disa shkaqe të cilët duhet të kuptohen dhe luftohen.

Shkaqet e përdhunimit të 11 vjeçares në Prishtinë dhe shoqëritë e paburrëruara

Nuk janë, në fakt, të vështirë të kuptohen shkaqet, sidomos nga pedagogët e shkencave shoqërore. Por ata janë “brujtur” nga e njëjta klasë politike dhe akademike dhe kështu riprodhojnë padijen dhe turpërojnë veten dhe shkencën që përfaqësojnë.

Dihet se shifrat e vrasjeve të bashkëshortëve anojnë nga gratë, si në nivel botëror ashtu dhe në nivel vendor, por kjo s`do të thotë se ato duhet të përcaktohen si ‘gjinore’ dhe të kërkojmë ndalimin e dukurisë vetëm me protesta në median sociale dhe rrugë apo me rritjen e masës së dënimit. Një raport i vitit të kaluar, në fakt, tregon se Shqipëria nuk ka miratuar një kuadër të plotë ligjor për klasifikimin e krimeve ndaj grave. Kjo është arsyeja se pse shifrat janë të ulëta. Kosova nuk ka përparuar në këtë drejtim, gjithashtu: nga viti 2010 deri në vitin 2022 atje janë vrarë 50 gra ndërsa nga janari deri në tetor të këtij viti janë raportuar mbi dy mijë e 100 raste të dhunës në familje ku nëntëdhjetë për qind e viktimave janë gratë.

Por vrasjet janë në rritje dhe Shqipëria zë vendin e parë edhe në këtë fushë. Në vitin 2016, për shembull, Shqipëria kishte nivelin më të lartë të vrasjeve të grave në Evropë, me 0.7 vrasje për 100 mijë gra. Por për ta zgjidhur dukurinë raportet përmendin në rekomandimet e tyre vetëm një faktor: zhvillimin e një kulture barazimtare mes gjinive, sepse ajo shihet si shkaku rrënjësor i vrasjeve bashkëshortore. 

Megjithëse barazia gjinore luan një rol të rëndësishëm në parandalimin e vrasjeve dhe dhunës, ajo është e pamjaftueshme, sepse përpara se të zhvillohet një kulturë barazie gjinore nevojitet dhe barazia ekonomike dhe mbi të gjitha krijimi i karaktereve virtuozë: sepse kur të dy janë të punësuar ata kontribojnë në familje dhe e shohin njëri-tjetrin të barabartë pavarësisht se njëri mund të ketë të ardhura më shumë dhe tjetri më pak por edhe nëse njëri kontribon dhe tjetri jo, nevojitet virtyti intelektual për të zhvilluar barazinë gjinore dhe virtyti intelektual zhvillohet kryesisht në sistemin arsimor. Ndaj nevojitet karaketri virtuoz. Për shembull, një virtyt i vyer është ai i përmbajtjes; pa të një njeri gjithnjë do të rrëmbehet. Por ai do të rrëmbehësh më shumë kur nuk ka zhvilluar virtytin intelektual ose aftësinë për të hetuar një lloj dyshimi.  

Në SHBA, për shembull, gjatë vitit 2021 vrasjet e grave ishin rreth 34% ndërsa u shënuan 6% burra të vrarë nga gratë. Vrasjet ishin të dy tipeve: të paramenduar dhe spontanë. Në të parët shkaqet ishin xhelozia dhe lakmia ndërsa në të dytët ishin meshkuj me histori që dhunonin gratë e tyre për shkak të alkoolit dhe drogës por dhe xhelozisë, të cilët i vrisnin ato në zemërim e sipër.

Sipas raporteve, vrasjet me paramendim ishin planifikuar keq sepse bashkëshorti nxitonte për të vrarë bashkëshorten dhe nuk e përdorte logjikën. Nxitimin e vërejmë dhe në vrasjen e të resë në Prishtinë, sepse krimi u zbulua shpejtë. Madje burri i saj kishte përdorur një shumë të madhe parashë për të paguar vrasësit―fakt që tregon se ishte një familje e kamur. Këto vrasje vërtiten rreth pushtetit dhe mbikqyrjes, sidomos nga gra që për shkak të xhelozisë kërkojnë të dijnë gjithçka lidhur me burrin dhe anasjelltas.

Karakteri i njeriut, në fjalë të tjera, luan rol vendimtar në sjelljen e tij në martesë dhe karakterin e krijon edukimi dhe edukimi vërtet fillon në familje por ai përcaktohet kryesisht nga sistemi arsimor, dhe nëse ai dështon, ashtu do të dështojnë dhe familjet e reja.

Quajtja e këtij lloj krimi si “femicid” shkakton dy efekte të tjerë të dëmshëm: në njërën ushqen urrejtjen e femrave ndaj meshkujve dhe i bën ato të qendrojnë larg tyre, dhe rrjedhimisht larg martesës, dhe në anën tjetër, kriminalistikës do t`i duhet të shpik dhe term tjetër, “maskulicidin”, sepse edhe ata vriten nga grate. Ja pse duhet të kundrojmë rreth këtyre termave dhe t`i dënojmë përdoruesit e tyre qofshin ata në presidencë apo në arsim të veshur me petkun e “profesorit” apo “doktorit të shkencave”.            

Në studimin tim lidhur edukimin në përgjithësi dhe dhunën ndaj femrës/gruas në veçanti i kam shqyrtuar të gjithë këto çështje dhe kam treguar si shkaqet sistemike (mungesën e barazisë etj.) ashtu dhe shkaqet josistemike (mungesën e karaktereve virtuozë). Por unë jam i “persekutuar” nga klasa politike, mediatike dhe akademike dhe ai nuk ka marrë rëndësinë që meriton dhe sigurisht nuk është akredituar për mësimdhënie.

Ndaj për sa kohë që populli ndjek sharlatanët dhe nuk ushtron trysni ndaj tyre ―sidomos ndaj atyre që përfaqësojnë shkencat sociale dhe lëshojnë profka― për aq kohë do të vazhdojmë të jetojmë vrasjet në familje dhe profkëmëdhenjtë do të tregojnë njëri-tjetrin si fajtorë: “shkencëtarët” e shkencave sociale do të tregojnë pushtetin politik ndërsa pushteti politik “femicidin” si shkaktar të vrasjeve kur, në fakt, të dy pushtetet janë fajtorë.   

Nga tirania “demokrate” në tiraninë “socialiste”: dhuna sistemike mbi femrën-gruan dhe çlirimi i saj

Raporte:

chrome-extension://efaidnbmnnnibpcajpcglclefindmkaj/https://www.unodc.org/documents/data-and-analysis/briefs/Femicide_brief_...

chrome-extension://efaidnbmnnnibpcajpcglclefindmkaj/https://eca.unwomen.org/sites/default/files/2023-04/Social-and-Instituti...

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA