Shkaqet e përdhunimit të 11 vjeçares në Prishtinë dhe shoqëritë e paburrëruara
Bëhet fjalë jo vetëm për keqkuptim por kryesisht për keqedukim; sepse një mashkull, në moshë të “pjekur” (njëri ishte 27 vjeç) hamendësohet se e ka mësuar nga shoqëria dhe institucionet e saj se një fëmijë femër 11 vjeç nuk mund të preket edhe nëse ajo e dëshiron seksin
Ylli Përmeti
31/08/2022 - 09:22
Përdhunimi i 11 vjeçares në Prishtinë nga disa meshkuj është një ngjarje tjetër që shkakton dhimbje jo vetëm tek prindërit që kanë fëmijë të ngjashëm në moshën e saj por tek çdo njeri me etikë. Ngjarja nuk është as e para as e fundit; ajo do të përsëritet për sa kohë që shoqëritë dhe institucionet e tyre shtetërore nuk përpiqen të kuptojnë shkaqet dhe t`i luftojnë ata. Në fakt, sipas një raporti, vetë në nëntë muajt e parë të vitit 2022 janë regjistruar 49 raste të përdhunimeve dhe 64 raste të marrëdhënieve seksuale pa miratim.
Disa studime tregojnë se përdhunuesit kanë disa veçori të përbashkëta: mungesë empatie; narcizizëm; dhe ndjenja armiqësie kundrejt femrave. Disa psikologë thonë se sulmi seksual nuk lidhet me kënaqësinë seksuale por me dëshirën për të mbizotëruar femrën ndërsa shtojnë mashkullaritetin toksik i cili nxit kulturën e përdhunimit dhe sqarojnë se “e vetmja rrugë për të patur status shoqëror mes shokëve në shumë raste është të jesh me përvojë të madhe seksuale dhe nëse s`je kështu, stigmatizohesh”.
Disa biologë darvinistë besojnë se pas përdhunimit qendron dëshira seksuale―përshtatja, rezultat i përzgjedhjes darviniane, dhe mendojnë se u zhvillua për të rritur mbarësinë riprodhuese të meshkujve. Ata përdorin faktin se shumica e femrave të përdhunuara janë në moshën e shtatzanisë. Por kjo qasje është kritikuar ashpër si keqorientuese dhe e padrejtë.
Lidhur me argumentin tjetër, se ata janë armiqësorë ndaj femrave, shihen mitet ose besimet përdhunuese të krijuara mes tyre. Për shembull, një përdhunues mund të besojë se kur një femër thotë jo, ajo në të vërtetë kupton po-në, dhe se ajo luan ose thjesht përpiqet ta sfidojë atë.
Megjithatë, janë disa tipe përdhunuesish; një tip quhet ‘oportunistik’, i cili shfrytëzon çdo rast për kënaqësi seksuale; një tjetër është sadistik, qëllimi i të cilit është të poshtërojë viktimat’; dhe një tjetër, hakmarrës, i cili beson se është refuzuar në padrejtësi nga femrat.
Në rastin e përdhunimit të 11 vjeçares raportet e para thonë se ajo u përdhunua jo në “grup”, ku të gjithë meshkujt presin radhën apo e përdhunojnë të gjithë bashkë, por njëri pas tjetrit, në kuptimin e përdhunimit një herë nga njëri dhe pasi fëmija u largua nga vendodhja e parë, u ndoq nga një i dytë, dhe pasi mbaroi përdhunimi i dytë u ndoq nga një tretë e kështu me radhë. Kjo veçori tregon faktin se shokët kanë njoftuar njëri-tjetrin për aktin dhe kanë ftuar tjetrin të bëhet pjesë e përdhunimit. Gjendja mendore e këtyre meshkujve, rrjedhimisht, është se ata besonin se ajo e dëshironte kënaqësinë seksuale.
Por është e qartë se bëhet fjalë jo vetëm për keqkuptim por kryesisht për keqedukim; sepse një mashkull, në moshë të “pjekur” (njëri ishte 27 vjeç) hamendësohet se e ka mësuar nga shoqëria dhe institucionet e saj se një fëmijë femër 11 vjeç nuk mund të preket edhe nëse ajo e dëshiron seksin; ka mësuar, gjithashtu, se edhe femra mbi 18 vjeç preket vetëm kur ajo dëshiron; madje, ka mësuar se seksi nuk bazohet vetëm në dëshirë por mbi të gjitha në dashuri―domethënë, një mashkull synon dashurinë mbi të gjitha, sepse e di ose e ka mësuar nga shoqëria dhe institucionet e saj (shkolla etj.) se nga dashuria do të burojë dhe kënaqësia dhe lumturia dhe çdo “kënaqësi” tjetër që nuk kalon nga dashuria është tejet e përkohshme dhe nuk mund të quhet as kënaqësi.
Që të edukohet një mashkull apo femër në këtë drejtim shkollat duhet të kenë bazë teorike. Në dijeninë time, ato s`kanë. Ndaj përfundojmë në “shkaqet” që përmendin psikologët dhe biologët të cilët as kuptohen drejtë as luftohen nga shoqëritë. Kështu riprodhohet dhuna, përdhunimi dhe dhimbja dhe mbushen burgjet me meshkuj që s`burrërohen kurrë nga një shoqëri e paburrëruar.
Nuk është e vështirë të kuptohet se si riprodhohen pedodilët dhe dhimbja nga elitat neoliberale; mjafton të ndjekim median: gazetarët do të pyesin psikologët dhe ndoshta dhe biologët darvinistë për të kuptuar dukurinë. Por është e qartë se psikologët tregojnë simtomat e një shoqërie të papjekur dhe jo shkaqet e vërtetë―në kuptimin e kuptimit të shkaqeve në raport me edukimin në veçanti dhe arsimin në përgjithësi, ndërsa biologët darvinistë thonë kodra pas bregut. Më e dhimbshme bëhet gjendja kur mendon se për jetën e përdhunuesve në burg do të paguajë nga kursimet e tij dhe prindi i vajzës 11 vjeçare ndërsa populli do të vazhdojë të dalldisë pas elitave!
Voa, për shembull, pyeti disa “ekspertë” për të ndriçuar dikurinë e përdhunimit. Njëra tha se shkaku është “patriarkalizmi” në kuptimin që “burrat mund të bëjnë çfarë të duan me trupin gruas”, nocion që çon në qendrime “gratë janë objekte, gratë e duan”...përdhunimin. Profesorja bazohet në studimin e saj mbi dhunën në familje, sipas të cilit burrat përdhunojnë bashkëshortet, “sepse ata nuk janë të vetëdijshëm se bashkëshortet e tyre duhet të pajtohen për marrëdhënie”.
Edhe kur përmendet nevoja e “edukimit” ai përmendet në raport me autoritetet ose njerëzit që intervistojnë viktimat (policia dhe personeli spitalor): ata duhet të mos traumatizojnë më shumë ato me pyetjet e tyre. Ai përmendet, gjithashtu, lidhur me nevojën e “edukatës seksuale” për të qenë pjesë e kulturës sonë, “kur e kupton seksualitetin e njerëzimit” ndërsa “edukata seksuale” barazohet me “arsimin”!
Gjithë debati i Voa-s u përqendrua tek ngurrimi i denoncimit ndërsa disa veprimtarë të shoqërisë civile përmendën dhe faktin se gjykatat vendosin dënime të lehta për dhunuesit: ky fakt në vetë-vete i shkurajon viktimat të denoncojnë dhunën.
Është e qartë, rrjedhimisht, se “ekspertët” e establishmenteve nuk e kuptojnë drejtë rëndësinë e edukimit dhe arsimit lidhur me parandalimin e përdhunimit.
Ç’është, nga buron dhe si edukohet dashuria? (1)
Përditësuar me “debatin” e Voa-s
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 180 reads