...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Zhdekretimi i zgjedhjeve minon natyrën e republikës parlamentare

Nëse zhdekretimi i Metës merr karakter ligjor ose pranohet nga qeveria “Rama”, përmbyset logjika juridike e sistemit dhe krijohen premisat për një republikë presidenciale ku presidenti miraton ligjet që krijon legjislativi por paralelisht krijon ligje që efektivisht zhvendosin rolin e legjislativit në duart e tij

Ylli Përmeti

10/06/2019 - 08:57

Së pari, vendimi i presidentit Meta për zhdekretimin e zgjedhjeve nuk ka bazë ligjore:

1. “Data e zgjedhjeve” është data e votimit, e caktuar me dekret të Presidentit të Republikës. (Kodi zgjedhor, Neni 2)

2. gj) [presidenti] cakton datën e zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve (Kushtetuta).

Si në Kushtetutë ashtu dhe në Kodin Zgjedhor nuk citohet gjëkundi zhdekretimi i dekretimit të zgjedhjeve nga presidenti. Domethënë, kur dhe pse zhdekretohen zgjedhjet. Meta, besoj, është në dijeni të kësaj mungese siç janë dhe të tjerët. Kjo mungesë mund të plotësohet me një legjislativ tjetër. Por aktualisht Meta nuk ka asnjë ligj që ta mbështesë vendimin e tij.

Kujtoj se Presidenti i Republikës nuk ka përgjegjësi për aktet e kryera në ushtrim të detyrës së tij (Neni 90 i Kushtetutës)! Çka nënkupton se edhe nëse ka vepruar gabim ai nuk dënohet.

Së dyti, vendimi i tij krijon premisa të rrezikshme juridike.

Në Amerikë ku pushteti politik administrohet nga presidenti, urdhëri i këtij të fundit mund të tërhiqet nga vetë ai (ka ndodhur rrallë herë) por përpara se të marrë karakter ligjor ai shqyrtohet ose nga Kongresi ose nga gjykatat. Në rastin tonë, ku pushtetin politik e administron kryeministri, tërheqja e udhërit të presidentit kalon ose nga kuvendi ose nga gjykata kushtetuese që të marrë karakter ligjor. Ndryshe, nuk mund të marrë fuqi ligjore!

Në shumicën e rasteve ne Amerikë, kur është terhequr dekreti i presidentit nga vetë ai, gjykatat kanë mbështetur vendimin e presidentit. Por ne nuk jemi republikë presidenciale: në vendin tonë pushteti politik administrohet nga kryeministri--që nënkupton se ai administron pushtetin e deleguar nga shumica e votuesve ndërsa në Amerikë administrohet nga presidenti. Nga kjo lidhje—mes shumicës së votuesve dhe kryeministrit për një republikë parlamentare si Shqipëria dhe presidentit për një republikë federale si Amerika—buron pushteti. Kështuqë, në Amerikë presidenti ka të drejtë (pavarësisht se nuk citohet në ligjin për presidentin) të zhdekretojë një dekret të lëshuar nga ai pikërisht për shkak të karakterit që ka pushteti i tij.

Në Shqipëri, nuk ka të drejtë jo vetëm sepse nuk citohet në kushtetutë por (dhe për të njëjtën arsye) sepse presidenti ka rol dekretues dhe jodekretues për ligjet që miratohen nga legjislativi. Në këtë kuptim, ai nuk mund të krijojë ligje. Nuk është njëlloj kur ai zhdekreton një ligj të dekretuar (që hamendësohet se i ka ardhur nga legjislativi) dhe kur nuk dekreton një ligj të dekretuar nga ai. Në rastin e parë ai miraton një ligj (i jep karakter ligjor); në të dytin, ai krijon një ligj! Për të njëjtën arsye, nëse zhdekretimi i Metës merr karakter ligjor ose pranohet nga qeveria “Rama”, përmbyset logjika juridike e sistemit dhe krijohen premisat për një republikë presidenciale ku presidenti miraton ligjet që krijon legjislativi por paralelisht krijon ligje që efektivisht zhvendosin rolin e legjislativit në duart e tij!

Zhvendosjen në fjalë e dëshiron dhe Meta, sidomos në kushtet aktuale kur dihet se edhe ai kërcënohet me hetim: sepse përmes zhvendosjes në fjalë ai ka mundësi të kontrollojë institucionet e rinj të drejtësisë—përmes ndryshimeve kushtetuese. Kjo ‘zhvendosje’ —nëse është e plotë (aktualisht ajo është e pjesshme ose mund të jetë e pjesshme nëse miratohet nga qeveria...)— ka dhe një efekt tjetër të karakterit ‘puçist’: sepse pushtetin që ka fituar e ashtuquajtura e “majtë” e Ramës përgjatë zgjedhjeve – do ta administrojë ai! Kështuqë, nëse vendimi i Metës merr karakter juridik përmes pranimit nga qeveria aktuale të vendimit përkatës, krijohen kushtet për zhvendosjen e pushtetit politik nga kryeministri te presidenca, minohet përpjekja e reformës në drejtësi dhe shpëton klasa politike nga hetimi dhe dënimi!     

   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA