...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Artistët serbë fashistizojnë shoqërinë: thurin këngë dhe bëjnë thirrje për luftë kundër...

Me “Dogodine u Prizrenu”, aludojnë në atë sintagmën e hebrejve – Vitin tjetër në Jerusalem, sepse këta e krahasojnë veten e tyre me vuajtjet dhe padrejtësitë që u janë bërë hebrejve, ndonëse këta vetë kanë bërë pushtime e kanë shkaktuar padrejtësi, vuajtje e krime ma monstruoze që i njeh historia njerëzore

Adil Fetahu

21/11/2018 - 16:12

Muajin e kaluar (tetor 2018) në “Yutube” u përhap një këngë e gjatë propaganduese serbe, me titull: “Vitin tjetër në Prizren”, e shoqëruar me video-spote situatash tmerruese, se gjoja shqiptarët e Kosovës ua kanë bërë serbëve. Këngën e paskan sajuar një ansambël reperësh beogradas, i quajtur “Beogradski sindikat” (Sindikata e Beogradit), në bashkëpunim me etno-grupin “Trag” (Gjurmët) nga Banjalluka. Esenca e përmbajtjes së këngës është rikthimi i Serbisë në Kosovë, me luftë natyrisht.

Pas shumë frazave me mite, gënjeshtra e propagandë tjetër, vjelljes së urrejtjes kundër “dushmanëve” (shqiptarë), kënga porositë që në çdo takim dhe ndarje midis serbëve, madje të fëmijëve të shkollave, përshëndetje e përgjithshme dhe kryesore midis tyre të jetë sintagma: “Dogodine u Prizrenu” (Vitin tjetër në Prizren). Ata lavdërohen se ditën e parë që u ngarkua në “Yutube”, kënga është dëgjuar e shikuar nga njëqintepesëdhjetëmijë vetë, prandaj janë shumë të kënaqur me “suksesin e arritur”. Thonë se nga Platforma e “Yutube-it” kanë marrë sugjerimin për ta tërhequr spotin e këngës, ngaqë ka përmbajtje shqetësuese, por as kanë ndërmend ta tërheqin. Përkundrazi, i gëzon fakti se me atë këngë dhe spot, paskan goditur “mu në qendër”. Dhe premtojnë, se jo që nuk do ta heqin prej andej por edhe do ta përkthejnë tekstin e këngës me një hyrje historike në sa ma shumë gjuhë të huaja në mënyrë që të huajt ta dinë “të vërtetën” për Kosovën, për padrejtësitë, vuajtjet dhe viktimat e popullit serb. Së shpejti do të publikohet edhe në variantin kinezisht.

Pëkrah përmbajtjes, idesë dhe porosisë, thuajse kënga buron nga Memorandumi famkeq i Akademisë së Shkencave të Serbisë (1986), apo nga errësira mesjetare e Kishës Ortodokse Serbe, veçse si këngë e përpunuar në formë artistike dhe e përhapur  në botë, përmes elektronikës, do ta ketë efektin më të madh në mesin e rinisë dhe fëmijëve, duke indoktrinuar ata me urrejtje, sidomos nga pamjet e spotit të përgatitur enkas për efekt, përplot skena trishtuese. “Kosova është zemra e Serbisë, prej së cilës nuk heqim dorë; për atë në të cilën beson njeriu, nuk ka tërheqje prapa as dorëzim, sepse aty është e kaluara jonë, kurse populli pa të kaluar është si kungulli pa rrënjë”, thonë autorët e këngës. Me termat: dushmanët (shqiptarë), viktimat (serbë), padrejtësitë,  thyerja e kryqeve, përdhosja e varreve dhe afreskave; prap do të rilindë popullsi serb aty”, e të tjera,  kënga shkakton emocione të thella dhe efekt te popullata së cilës i dedikohet. Ka në atë këngë edhe kritikë kundër regjimit dhe kundër atyre që mendojnë ta zgjidhin problemin e Kosovës me dialog. Nga komentet e botuara për këngën, shihet se çfarë efekti ka bërë, kur komentuesit janë “të mahnitur” me këngën “aq të mirë”. “Secila fjalë të prekë në zemër; po afrohet dita kur do ta kthejmë atë që është e jona; politikanët tanë nuk kanë nevojë të flasin kur shkojnë e takohen jashtë më të huajtë, mjafton ta lëshojnë spotin”, shkruajnë komentuesit e shumtë, të cilët e kanë dëgjuar këngën dhe parë spotet. Natyrisht, komentet janë (edhe) të porositura për përkrahje të këngës, gjoja nga vende të ndryshme dhe nga shikues të huaj, por edhe kjo bënë efekt te shikuesit serbë.

Mendojmë se kjo këngë propaganduese, nëse nuk është e porositur, të paktën është bërë në marrëveshje e me pajtim të plotë të udhëheqësve politikë dhe të strukturave të tjera të shoqërisë serbe, për të bërë efekt në këtë fazë të bisedimeve më intensive midis përfaqësuesve të Kosovës e të Serbisë. Fundja, sintagma “Dogodine u Prizrenu”, nuk është zbulim i ansamblit që ka prodhuar këngën. Këtë e ka thënë dhe e ka përhapur në “Twiter”-in e tij Vuk Jeremiçi qysh në dhjetor të vitit 2012, derisa ishte kryesues i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ai, duke komunikuar me një mikun e tij, më 24 dhejtor 2012, shkruan në “twiter” dhe premton se vitin e tjetër do t’i lajmërohet prej Prizreni. Duke reaguar ndaj asaj paraqitje prepotente e Jeremiçit, unë iu përgjigja atij me një koment, paksa ironik, botuar në gazetën “Kurir” të Beogradit, e cila e kishte botuar shkrimin e Jeremiçit. Ja reagimi im i plotë, ndaj paraqitjes së Jeremiçit si “Kryetar i Kombeve të Bashkuara”: “Nuk është Jeremiçi kurrëfar kryetari, i askujt, veçse është kryesues i mbledhjeve të Asamblesë së Përgjithshme të KB. Sa i përket paraqitjes së tij vitin e ardhshëm nga Prizreni, kjo varet nëse Hashim Thaçi ia lejon hyrjen në Kosovë, që dyshoj, duke pasur parasysh aktivitetin destruktiv të Jeremiçit kundër Kosovës. Apo, ndoshta Jeremiçi ka parandjenjë, ose ka marrë vesh, se vitin e ardhshëm Kosova do të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara, e Jeremiçi si kryesues i Asamblesë së Përgjithshme të asaj Organizate, nga vendi fqinj, shkon në Kosovë që Thaçit t’ia urojë anëtarësimin në KB dhe t’i kërkojë falje për të gjitha përpjekjet e tij të dështuara që si ministër i punëve të jashtme të Serbisë ka bërë kundër Kosovës. Nuk ka asnjë mundësi as arsye tjetër që Jeremiqi të lajmërohet nga Prizreni. (Adil Fetahu, “Kurir”, 25.12.2012)”. Ky reagim imi është botuar edhe në “Facebook”, më 25 dhjetor 2012.

Edhe Jeremiçi, edhe ansambli “Beogradski sindikat”, kur e përdorin sintagmën “Dogodine u Prizrenu”, aludojnë në atë sintagmën e hebrejve – Vitin tjetër në Jerusalem, sepse këta e krahasojnë veten e tyre me vuajtjet dhe padrejtësitë që u janë bërë hebrejve, ndonëse këta vetë kanë bërë pushtime e kanë shkaktuar padrejtësi, vuajtje e krime ma monstruoze që i njeh historia njerëzore.

Për të parë se çfarë përmbajtje e çfarë propagande bënë kënga “Dogodine u Prizrenu”, për lexuesit shqiptarë unë i përktheva vargjet e asaj kënge dhe po e shtoj këtu më poshtë (pa kërkuar leje as honorar nga autorët këngës!). Këngën dhe spotet mund t’i gjeni në “Yutube”, duke kërkuar me fjalët: “Dogodine u Prizrenu”:

Nga (do shkoja) sikur të mos e dija se cila është pikënisja jonë,

Ku janë varrezat tona si një fushë lulëkuqe,

Dëshmitarë memecë të të gjithë shekujve të fitoreve të fuqishme

Trimave të cilët me dëshirë vdisnin në këmbë?

 

A thua tokën pjellore ata e ushqyen me eshtra

Që ne sot të heshtim, derisa forca na e rrëmben?

A është me rëndësi se jam nga Metohia apo nga Dorçolli,

Që për shkak të padrejtësisë, shpirti të më dhemb?

 

Në këtë luftë jo me avionë,

Vlejnë librat shkollorë në të cilat shkruan qartë:

Kush i ka ngritur pallatet, kush e ka përdhosur altarin,

Cila trashëgimi është nderë e përjetshme, e cila është turp.

 

As bombat, as votat nuk e fshijnë Llazarin,

Përderisa gjenerata e re rritet në të.

Kurrë nuk është e humbur ajo që është e shenjtë,

Me shpresë rritu lulëkuqe, se përsëri dikush do të të vjelë.

Kompasti im është rrënja jote, në gjoksin e zemrës sime,

Pa të jam, për para, pa mëshirë rrugës i mallkuar

Dhe si varkë prej letre, që qanë detin,

Në të vërtetë, vetëm fundosem…

 

Gjithnjë më pyetni ju mua se ç’do të thotë për mua Kosova,

Nuk e keni të qartë? Do t’ua shjegoj përsëri:

Kosova është fara prej së cilës unë kam mbirë,

Burimi dhe shtrati prej të cilit populli ka rrjedhur.

 

Na thonë gojëkqinjët se Kosova mbaroi,

Të pabesët dhe të dobëtit thonë: Kosova është e mbaruar,

Por unë iu them të gjithëve se Kosova vetëm është (e) grabitur,

Rrënuar e djegur nga dushmani i mallkuar.

 

Çuditeni përse fëmijët e qyetit nuk kanë ndonjë temë tjetër,

Ngaqë sot koha është e tillë – secili shikon veten e tij,

Jetojmë pa besim, pa shpresë e pa dëshirë,

Ndërtojmë kulla por e harrojmë themelin.

Sepse, populli pa prejardhje është (si) lum i tharë,

Pa nënë, ne jemi fëmijë të mbetur pa qumësht.

 

Por aty në vendin e vjetër, ku Milloshi (Obiliçi, v.j.) ka dhënë jetën

I udhëhequr nga drejtësia e Llazarit, përsëri do të rilindë populli,

Sepse ndër ne edhe më tutje jeton profecia,

Betimi i Kosovës, i cili do të zgjatë për gjithmonë.

Prandaj, t’i mësojmë fëmijët ta dijnë të vërtetën,

Dhe përshëndetja jonë të jetë: “Vitin tjetër në Prizren”!

E unë lutem:

Vatrës sime t’i kthehem,

Shpirti yt i lënduar,

Tokë e shenjtë e blerë prej Qiellit.

 

Oj Kosovë, Kosovë, vendi im i dashur,

Je shqiponjë e qiellit tim, por krahët të janë thyer,

Loti im i hidhur, në gjoksin tim zbraztësi,

Zemra e atdheut tim, esenca e personalitetit tim…

 

Në fushë mbirë lulëkuqet, nga gjaku i trimave të patrembur,

Në vendin ku atdheu im ngrihet deri në qiell,

Na ka treguar sundimtari për çfarë ia vlenë të flijohemi,

Për Kosmet-in Llazari na ka lidhur me mit e me mallkim.

 

Djalli atëherë nuk është ndalë, por edhe më tutje të këqija ka sjellë,

Dushmanë të ndyrë e bajga, mbi këta që ne mbetëm pak,

Dikur ishin Turqit, e pastaj erdhën ujqit e uritur,

Dje na vinin në hu, tash na mundojnë në “Shtëpinë e Verdhë”.

 

Madje, ma ndalojnë të mos guxoj të shikoj afresket e mia,

Ngaqë do të m’i kujtonin të parët e mi krenarë,

Të mos dëgjoj kurrë këngën e kallogjerëve të Deçanit,

Në zemrën Millosh trimit, forca të mos ringjallet.

 

I dij të gjitha këto tradhti dhe shumëherë i kam parë,

Kryqat kur na i thyejnë e përdhosin Vidovdanin,

Por s’e kemi për herë të parë këtu ikjen dhe shpërnguljen,

Veçse kur të kalojë koha, bujku i kthehet të vetes arë.

 

Sepse na kemi vdekur çdokund, për liri gjithmonë,

Që fëmija serb nesër të quhet trim,

Prandaj dëgjo o bir: Edhe më e keqja falet,

Veçse për atdhe vdiset shqim.

 

Kosmet, vendi ynë i përjetshëm!

E unë lutem,

Vatrës sime t’i kthehem,

Shpirti ytë i lënduar,

Tokë e shenjtë prej Qiellit e blerë.

Lulëkuqet do të na ringjallen,

Kremtën, vitin tjetër në Prizren.   

Video: 
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA