...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Do të zhvillohen zgjedhjet në 18 qershor?

Genta Kaloçi*

07/05/2017 - 16:00

Një pyetje që i ka futur të gjithë në grackë për të komentuar, anal-izuar, debatuar, për të thënë, gënjyer e mashtruar publikun me justifikimin e debatit politik. Sipas gjasave dhe sorrollatjeve politike të treshes (PS, PD, LSI) dhe me mbylljen e sezonit parlamentar vihet re se kjo periudhë do të jetë nën vrullin e bisedimeve dhe marrëveshjeve midis palëve. Një verë e nxehtë me kërkesa nga të dyja palët për shtyrje të zgjedhjeve që sipas logjikës do të shtyhen nga fillim ose fund vjeshta e këtij viti. 

Sektori i turizmit ka kërkuar ndër vite që zgjedhjet të organizohen në vjeshtë ose në pranverë kur janë periudhat me lëvizjen turistike më të ulët në mënyrë që të mos ndikohet turizmi vendas. Kërkesa e parashtruar nga mazhoranca dhe opozita për shtyrje në korrik do të jetë një periudhë e vështirë për t’u realizuar pa probleme të ndryshme teknike nga partitë kryesore në mungesë të kohës së mjaftueshme për t’u përgatitur në kurriz të pushimeve. Gjithashtu muajt korrik gusht janë periudha e fundit të sezonit dhe mbylljes së gjashtë-mujorit të parë dhe do të ishte një penalizim ndaj sektorit publik dhe atij privat për t’u “mohuar” të drejtën e pushimeve vjetore.

Në këtë rast votuesit emigrantë do të ishin grupi më i priviligjuar pasi kombinojnë votimet me pushimet e tyre. Por ky kombinim do të ishte fatal për ekonominë e vendit. Turizmi do të varej kryesisht nga emigrantët të cilët pavarësisht dëshirës së tyre për të votuar nuk mund të vijnë të gjithë si shumicë totale dhe për arsye praktike dhe teknike (marrjes së lejeve në të njëjtën kohë etj.). Me pak fjalë e me fjalë të thjeshta, bazuar në ekonominë e tregut zgjedhjet para vjeshtës do të ishin një harakiri ekonomik për vendin. Kështu që bazuar në logjikën e thjeshtë - partitë qeveritare do të kërkojnë të shtyhen për në vjeshtë. Kjo periudhë mund të konsiderohet e mjaftueshme nga të gjitha palët për t’u përgatitur. Megjithatë mbetet në dorë të palëve të bien në ujdi për datën përfundimtare.

Partia demokratike në përpjekje të fitojë kohë që mos të vetë-penalizohet nga bojkoti - do të jetë në gjëndje të vazhdojë pazaret deri në pikën që të ketë mundësi të konsolidojë rradhët brenda saj. Brenda kësaj kohe, e cila do të jetë në favor të mazhorancës, dhe e cila duke parë pikën e dobët dhe pozicionin e vështirë të opozitës, do të vendosë kusht kalimin e Veting-ut. Në këtë mënyrë do të detyrohet që të thirret seancë e jashtëzakonshme në parlament për miratimin e saj brenda verës dhe brenda kësaj legjislature.

Si përfundim mund të themi se kriza do të përfundojë me kalimin e vetingut, shtyrjen e zgjedhjeve që të mos digjet opozita nga pjesëmarrja në zgjedhje dhe mbetet enigma e qeverisë teknike me kryeministrin e ri që do të kryesojë periudhën e aplikimit të drejtësisë dhe veting-ut në vend.

*Genta Kaloçi ka kontribuar në përparimin e reformës në drejtësi   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA