...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Eskobari rrëfen të vërtetën: Prishtina do të përparojë “asociacionin serb”

Për krijimin e “asociacionit serb” është pajtuar Prishtina ndërsa për nevojën e njohjes së Kosovës nga Serbia ai këshilloi “stretegjinë” e re për Beogradin: se ai duhet të largohet nga rrëfenja se Kosova është Serbi duke e zëvendësuar atë me rrëfenjën se Serbia dhe Kosova janë Evropë

Ylli Përmeti

27/08/2022 - 14:26

Pas raportit të Vos-a sipas të cilit Eskobari këmbnguli se “palët duhet të zbatojnë marrëveshjet e deritanishme me theks të veçantë në marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë” dhe përmendjes së faktit se kushtetuta e Kosovës pengon realizimin e saj, për të cilën ai tha se Prishtina duhet të bëjë propozimin e saj nëse nuk i pëlqen propozimi serb”, duke nënkuptuar ndryshimin e Kushtetutës, ai pati një bisedë me televizionin serb N1, ku tha se për krijimin e “asociacionit serb” është pajtuar Prishtina ndërsa për nevojën e njohjes së Kosovës nga Serbia ai këshilloi “stretegjinë” e re për Beogradin: se ai duhet të largohet nga rrëfenja se Kosova është Serbi duke e zëvendësuar atë me rrëfenjën se Serbia dhe Kosova janë Evropë. Në fund ai premtoi një të ardhme të begatë për Ballkanin Perëndimor duke sqaruar se rajoni do të kthehet në vend eksportues i energjisë për gjithë kontinentin! Por le t`u përmbahemi si fillim fjalëve të tij:  

Sipas tij komuniteti ndërkombëtar është i shqetësuar për shpërthimin e dhunës mes shqiptarëve dhe serbëve si pasojë e masave të Prishtinës dhe përshtypja e tij, pas takimeve që pati në Beograd, Prishtinë dhe Mitrovicë, është se palët po përpiqen të zgjidhin krizën. I pyetur lidhur me dokumentat dhe targat e automjeteve se nëse kishte bërë ndonjë propozim, ai tha se SHBA-ja nuk është pjesë e bisedimeve të drejtuara nga BE-ja por i mbështet ato. Kështuqë “gjithë propozimet vijnë nga BE-ja”.

Pas takimeve që pati ai tha se ka hapësirë për shpresë për mbarëvajtje të procesit. Kur u pyet lidhur me qendrimin e Blinkenit se SHBA-ja do të përfshihësh në bisedime “nëse do të ishte e nevojshme”, ai tha se nuk është e nevojshme, duke sqaruar se Blinkeni nuk kërkon të përfshihet në proces por ta mbështesë atë dhe të “shtyjë të dyja palët në bashkëpunim më të madh”. Ai sqaroi, gjithashtu, se dokumentat dhe targat janë një pjesë e vogël e platformës negociuese.

Pyetjes lidhur me afatin e krijimit të “asociacionit” serb në Kosovë si detyrim i marrëveshjes së Brukselit në vitin 2013, ai iu përgjigj se “ne nuk po imponojmë afate” por nëse ti e quan “afat” tha ai, “ajo duhet të jetë në rendin e bisedimeve të ardhshme”. Ai kujtoi se qeveria e Kosovës e ka vlerësuar marrëveshjen [e Brukselit] dhe përmendi faktin se në takimin mes Blinkenit dhe presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti, Blinkeni u ka thënë se ajo duhet të zbatohet dhe “ne u pajtuam”. Lidhur me mundësinë e një konflikti ushtarak ai beson se nuk do të ketë duke sqaruar se KFOR-i dhe EULEX-i janë të pranishëm dhe “ne kemi angazhime shumë të afërta me të dyja qeveritë” në përpjekjen për zgjidhjen e krizave.

Lidhur me pyetjen se nëse ai kishte folur me Kurtin për praninë e shtuar të policisë së Kosovës në veri ai tha se kishte folur por shumë shkurt duke kujtuar se policia është atje për sigurinë e popullit. Në këtë drejtim ai tha se i inkurajojmë ata [në Prishtinë] të marrin masa për krijimin e besimit mes popullit dhe policisë “jo vetëm në Kosovë por përgjatë Kosovës”. Ky është një “kumpt” që nuk i jepet vetëm qeverisë së Kosovës por gjithë qeverive të rajonit meqënse sipas tij policitë kanë të meta duke i përgatitur ato për t`u bërë pjesë e BE-së.

Dyshimit se çfarë e siguron rajonin nga një krizë tjetër pas marrëveshjes që pritet të nënshkruhet në shtator, ai iu përgjigj me faktin se të dy krerët kanë një dialog profesional, shumë të hapur dhe të qetë, dhe janë pajtuar të takohen një herë në muaj.

Pyetjes se nëse Uashingtoni pret që Serbia të njohë Kosovën ai iu përgjigj se “ne duhet të “largohemi nga rrëfenja se Kosova është Serbia dhe të lëvizim drejt rrëfenjës se Kosova dhe Serbia janë Evropë” meqënse ne kemi një të ardhme të përbashkët, jo atë të viteve `90 por të shekullit 21 ku do të ketë mundësi ekonomike, ku “Ballkani Perëndimor do të jetë një drejtues i rritjes ekonomike për Evropën, për gjithë kontinentin, ku ti do të jesh një dërgues i prodhimit të energjisë, energjisë së ripërtëritshme, të zhvillimit teknologjik (IT), ngarkesave me anije, transportit” dhe gjithë sektorëve të tjerë të ekonomisë, që sipas tij, “vetëm ky rajon mund të furnizojë”.

Duke iu drejtuar serbëve ai tha se “ju do të lidheni në fund të fundit, [me ta] përmes disa kushteve ekonomike qoftë ajo CEFTA apo tregu i përbashkët rajonal ose Ballkani i Hapur dhe më pas në BE”. Kështu “ju do të keni një marrëdhënie të mirë me Kosovën; ju do të lidheni me Kosovën dhe Shqipërinë, Maqedoninë V., Malinezi dhe Bosnje Hercegovinën. Ndaj sa më shpejtë që ju i zgjidhni problemet aq më shpejtë ju mund të shkoni në mundësitë e të ardhmes”. 

Gjykuar nga këto qendrime është e qartë se Prishtina do të përparojë kërkesën për krijimin e “shoqërisë serbe” në Kosovë pa kërkuar në emër të politikës së ndërsjellë apo drejtësisë krijimin e një “shoqërie” të ngjashme për shqiptarët e Luginës së Preshevës; pa kërkuar dënim për serbët e Kosovës që bashkëpunuan me Milosheviçin për shfarosjen e shqiptarëve; dhe në fund pa kërkuar drejtësi për mospagimin e detyrimeve ndaj shtetit të Kosovës për energjinë e përdorur për më shumë se 21 vjet. Por një dallim historik duhet bërë dhe theksuar këtu: se serbët në veri të Kosovës janë ardhës ndërsa shqiptarët e Luginës janë autoktonë. Ky dallim është i domosdoshëm për të kuptuar se për sa padrejtësi bëhet fjalë: për katër!

Kështu, për hir të synimit amerikan―të integrimit të rajonit në BE dhe globalizmin neoliberal― ndaj shqiptarëve imponohen katër padrejtësi njëherësh ndërsa investimet e huaja përqendrohen në Serbi jo për të ndihmuar rajonin por për të “përkëdhelur” Serbinë meqënse ajo vazhdon të bashkëpunojë me Rusinë. Kjo është një strategji jo thjesht në dëm të shqiptarëve por e destinuar të dështojë. Arsyet i kam treguar në vend tjetër.      

Lajthitja e Kurtit me Transnistrinë dhe nevoja e njohjes së Kosovës nga Rusia

Video: 
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA