...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Harta e zgjerimit detar grek bllokon bregdetin nga Saranda në Vlorë ndërsa qeveria, akademikët dhe populli fle gjumë

Nuk e kanë të nevojshme që ta pushtojnë Shqipërinë ushtarakisht si në të kaluarën por mjafton të kontrollojnë burimet ekonomike dhe një përqindje të madhe të popullit përmes burimeve në fjalë (punësim, kreditim etj.)

Ylli Përmeti

28/08/2020 - 09:55

Ndërsa shqiptarët vazhdojnë të flenë gjumë dhe “patriotizmin” e tregojnë rrugëve, televizioneve dhe lartë e poshtë dhe s`kanë kuptuar asgjë për efektet afatgjata të politikave neoliberale të fqinjëve tanë mbi vendin tonë, dhe veçanërisht të Greqisë —as kanë kuptuar ndryshimin e taktikës greke, serbe dhe turke, por edhe italiane, se nuk e kanë të nevojshme që ta pushtojnë Shqipërinë ushtarakisht si në të kaluarën por mjafton të kontrollojnë burimet ekonomike dhe një përqindje të madhe të popullit përmes burimeve në fjalë (fe, punësim, kreditim etj.)— qeveria “Rama” iu përgjigj dëshirës greke për zgjerimin e ujërave në detin Jon, në jug të Shqipërisë, se është e drejta e saj të zgjerojë ujërat detare duke nënkuptuar se në bisedime do të pranojë qasjen e palës greke!

Paralelisht akademikët tanë flenë gjumë, gjithashtu: Krisafi, për shembull, që është përfshirë në negociatat përkatëse si kompetent dhe që me qendrimet e tij është më shumë se flori për grekët, “nuk ngutet me negociatat”: sepse “në ngushticën mes Sarandës dhe Korfuzit nuk mund të zbatohet parimi i 12 miljeve sepse do të duhet që grekët të kalonin mbi kodrat e Sarandës” ndërsa ne, nëse zgjeronim ujërat detare si Greqia, “do të duhet të kalojmë në mes të Korfuzit”, duke shtuar se “Meksika po negocion me SHBA-në për rreth 118 vjetë për 2 km² dhe Norvegjia dhe Finlanda pre 100 vjetësh për 1 ha e 400 m²”!

Autori shpërnjeh tërësisht varësinë ekonomike dhe sociale që ka krijuar vendi ynë kundrejt Greqisë, qëllimet e saj gjeopolitike në rajon dhe “armët” gjepolitike të saj! Shpërnjeh, gjithashtu, faktin se grekët e kanë të qartë se parimi i 12 miljeve nuk zbatohet në ngushticën përkatëse. Shiko hartën e përgatitur nga profesor Zuganeli që në vitin 2018. Harta, për më shumë, bashkon ishujt në veri të Korfuzit dhe bllokon vijën bregdetare nga Saranda deri në Vlorë! Mësojmë, në këtë mënyrë, të vërtetën nga grekët dhe jo nga akademikët dhe qeveria jonë!

Qartësisht, përballemi me njerëz —nga qeveria deri tek akademikët e establishmentit dhe media që i ndjek ndërsa çensuron kritikët e tyre!— pa dije por edhe qëllimshëm pa dije: sepse e dinë që vendi ynë varet nga “goja” e Athinës dhe nëse nuk përputhet me kërkesat e saj territoriale dhe jo vetëm, Athina mund të vërë në lëvizje aparatin agjenturor dhe të realizojë objektivat e saj siç po i realizon disa prej tyre. Nuk është e rastit që shtypi grek e vlerëson pa asnjë problem zgjerimin e Greqisë në Jug të Shqipërisë, ndryshe nga zgjerimi në jug të Greqisë ku përballet me Turqinë e cila e kërcënon me luftë nëse zbaton të njëjtin parim në zona të diskutueshme.                  

Lexo:

Shitja e Shqipërisë nga klasa politike dhe akademike, ofensiva neoliberale greke dhe pasojat ogurzeza të marrëveshjes “Rama” me Greqinë

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA