...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Heronj të punës kapitaliste

SHJ

01/05/2017 - 12:13

Rreth 150 punëtorë kanë ndërruar jetë si pasojë e punës “racionale” kapitaliste në Shqipëri. Kjo është shifra që na komunikuan për 1 maj veprimtarët e “Organizatës Politike” me një banderolë. Sigurisht, ajo mund të jetë më e madhe nëse gjykojmë nga “puna” e rëndë e borgjezisë sonë për të regjistuar të “rënët” në krye të detyrës. Dhe këtu flasim për fshehje të vdekjeve e jo më për të kuptuar shkaqet e tyre, të cilët kërkojnë pak mendje. Sepse ‘mendja’ e borgjezive është për punë të tjera.

Kujtojmë se dikur, komunistët e socializmit, të rënëve të luftës dhe punës socialiste, u ngrinte nderime, buste e lapidarë: sot “përtojnë” t’i regjistrojnë!  

HERONJTË E PUNËS KAPITALISTE

Edhe ky 1 Maj i gjeti punëtorët shqiptarë në kushte të mjerueshme. Sikur të mos mjaftonte mungesa e punës, puna me copa, e stërmundimshme dhe e keqpaguar, punëtorët vazhdojnë vdesin në punë. Të vriten, më saktë. Të vriten nga pronarë që për një fije fitimi më shumë nuk respektojnë kushtet e sigurisë në punë. Të vriten nga një qeveri në krye të së cilës është dikush që mburret se nuk ka sindikata. Të vriten po ashtu nga mungesa e vëmendjes dhe solidaritetit shoqëror.

Ka edhe më keq se vrasja në punë. Është zhdukja e emrave të të rënëve. Bërja sikur ata nuk kanë jetuar kurrë. Në Shqipëri askush nuk jep informacion, lerë më llogari, për punëtorët e vrarë në punë. Kështu që nuk na mbeti gjë tjetër veçse t’i gjurmonim emrat e tyre në arkivat mediatike. Vetëm vitet e fundit na rezulton se në Shqipëri e kanë humbur jetën mbi 200 punëtorë. Për t’i nxjerrë nga heshtja politike dhe shoqërore, emrat e tyre ua kemi treguar qytetarëve mur më mur. Sot po ia tregojmë ministrisë që duhej të kujdesej për të drejtat e tyre.

Që sot ata nuk do të jenë më anonimë. Emrat e tyre kanë nisur të gdhenden në ndërgjegjen shoqërore të këtij vendi. Ata nuk janë vetëm viktimat e pronarëve dhe shtetarëve mizorë. Ata, bashkë me qindra mijëra të tjerë që ende jetojnë, janë prodhuesit e të mirave që i përdorim të gjithë ne. Ata janë heronjtë e heshtur të punës kapitaliste. OP   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA