...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kërcënohen shtatë familje të varfëra me ‘rrugën e madhe’ nga Prifti i Famullisë “Zemra e Krishtit” në Durrës ndërsa Bashkia dhe Kryeministria hesht

Shtatë familjet përbëhen nga 16 anëtarë kryesisht të moshuar. Më e moshuara është 83 vjeç, e cila ndiqet nga një tjetër 76 vjeçar; tjetër 71; një tjetër 74; një tjetër 67; një tjetër 50 vjeç e kështu me radhë.

Ylli Përmeti

26/10/2019 - 18:39

Të pastrehët ndihmohen dhe mbrohen si nga shteti ashtu nga feja e krishterë, katolike dhe muslimane—dhe veçanërisht nga feja: sepse nënkuptojnë se janë të varfër. Nuk është e rastit që Bibla nuk flet për të pastrehët por për varfërinë dhe të varfërit: sipas saj, detyra e besimtarëve është të ndihmojnë të varfërit dhe njerëzit në nevojë. Detyrën përkatëse e kanë marrë përsipër dhe institucionet e saj (Kisha etj.) dhe nëpunësit përkatës (priftërinjtë etj.). Këtë urdhërore e theksoi dhe Papa vitin e kaluar: “ndihma kundrejt të varfërve nuk është modë papiste por detyrë”, citoi ai mes të tjerash në një shfaqje publike.[1]

Sidoqoftë, thëniet nga veprimet janë si nata me ditën. Në këtë kontekst, vitin e kaluar më rrëfeu dhimbjen e saj një familje me dy anëtarë (Nënë e Bijë), të cilat banojnë si të pastreha në ‘pronat’ e Kishës Katolike në Durrës (Famullia “Zemra e Krishtit).

Menjëherë u alarmova në dijeni të plotë për detyrën e saj dhe shkova të takoja priftin: pas një bisede të shkurtër —se familjet në nevojë do të hidheshin në rrugë— Prifti më siguroi se nuk është kështu por thjesht “jemi duke rikonceptuar banesat për t`i kthyer në hotele”. Hamendësisht, për t`i shfrytëzuar për të ardhura shtesë për Kishën, duke shtuar se “ne po bëjmë ç`është e mundur që t`u përgjigjemi nevojave të tyre, sepse është detyra jonë”.

Me plotë dyshime për ‘sigurinë’ e tij u largova dhe shkova të qetësoja banorët përkatës, sepse një e moshur, rreth 76 vjeç, ishte përfshirë në ankth (për mos të thënë depresion). Sidoqoftë, pasi kaloi rreth një vit, e njëjta familje më njoftoi se ishin njoftuar me urdhër Gjykate për të dalë nga banesa — me hir apo me pahir (shiko urdhërin)! Sipas urdhërit, pala kreditore (Kisha) kërkon largimin e dy emrave (njëra është Nëna që sapo fola dhe tjetri një tjetër i pastrehë) --palën debitore-- por praktikisht bëhet fjalë për shtatë familje të pastreha, të cilat kërcënohen me hedhje në rrugën e madhe!

Nga kush? Nga Kisha! Shtatë familjet, për më shumë, përbëhen nga 16 anëtarë kryesisht të moshuar. Më e moshuara është 83 vjeç, e cila ndiqet nga një tjetër 76 vjeç; një tjetër 71; një tjetër 74; një tjetër 67; një tjetër 50 vjeç e kështu me radhë.

Qartësisht, bëhet fjalë për familje të moshuara në nevojë. Vitin e kaluar bashkia e Dakos nuk iu përgjigj problemit me vajtjet e banorëve atje (sipas tyre ata kanë shkuar dy-tre herë në bashki). As bashkia e Valbonës nuk i është përgjigjur problemit. As edhe Rama, të cilit banorët i kanë dërguar një letër dhe s`kanë marrë asnjë përgjigje!

Për më shumë, Prifti e ka çuar çështjen në gjykatë dhe ka zhvilluar gjyq pa dijeninë dhe pa praninë e banorëve ashtu siç ka vepruar dhe Gjykata, e cila shkel ligjin në fuqi ose parimin bazë të Drejtësisë: se çështja gjykohet ‘pa anësi’ dhe në respekt të plotë të ‘dëgjimit të drejtë’ të palëve! Domethënë, se ajo duhet t`i kishte dëgjuar të dyja palët përpara se të nxirrte përfundime dhe urdhërin ekzekutiv. Por ajo nuk veproi kështu: banorët u befasuan kur u përballën me urdhërin dhe gjenden pa shpresë të kërcënuar nga Prifti dhe Gjykata, nga heshtja e Bashkisë dhe e Kryeministrit!

Për këto arsye nevojitet mbështetja juaj—domethënë, shpërdarja e kësaj padrejtësie sa më shumë të jetë e mundur, me qëllim krijimin e dinamikës për të tërhequr Priftin nga përpjekja e tij dhe zbuluar edhe një herë, hipokrizinë kriminale të pushteve, politike dhe fetare.



[1]Vatican, Helping the poor is not a papal fad, but e duty, Nationalcatholic reporter, Nov 19, 2018.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA