...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kosova i bashkohet rrjetit energjitik të Shqipërisë dhe i jep fund varësisë serbe

Kosova do të bashkohet në rrjetin energjetik të Shqipërisë nga muaji prill i vitit të ardhshëm, sipas një marrëveshje të nënshkruar të hënën, duke i dhënë fund varësisë nga rrjeti i Serbisë, autoritetet e së cilës reaguan me zemërim

Voa

04/12/2019 - 13:12

Të hënën në Tiranë, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë (OST), nënshkruan Marrëveshjen për themelimin e Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri.

Në një njoftim të KOSTT-it thuhet se “operimi si Bllok Rregullues i përbërë prej dy zonave rregulluese, ka për qëllim operimin më të lehtë të dy sistemeve elektro-energjitike si nga aspekti teknik ashtu dhe ai ekonomik. Kjo do të mundësojë operimin dhe balancimin më të lehtë të të dy sistemeve, zvogëlimin e kostove dhe shkëmbimin e rezervave të sistemeve”.

Njoftimi citon kryeshefin ekzekutiv të KOSTT-it Ilir Shala të ketë thënë se “kjo është marrëveshje historike për Kosovën meqë deri më tani ne si KOSTT kemi qenë brenda Zonës Rregulluese serbe (EMS), gjegjësisht brenda bllokut rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut)”.   

Ndërsa administratori i përgjithshëm i OST-ut, Skerdi Drenova, tha se kjo “garanton sigurinë e operimit për të dy Sistemet Elektroenergjetike dhe krijon kushte të favorshme për shfrytëzimin optimal të burimeve gjeneruese brenda Bllokut”.

Në Beograd, shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriç, tha se “Shqipëria e madhe energjetike ekziston vetëm në ëndrrat shoviniste të disa politikanëve në Prishtinë”, ndërsa bëri thirrje që bashkësia ndërkombëtare të mos lejojë zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar në Tiranë.

Ai tha se Serbia është pronare dhe ndërtuese e rrjetit elektrik në Kosovë, ndërsa “blloku është i pazbatueshëm në terren dhe ai duhet të ndalet nga ana e bashkësisë ndërkombëtare para se të prodhojë pasoja për energjitikën rajonale, madje edhe për qëndrueshmërinë politike dhe të vulosë ardhmërinë e dialogut”.

Kosova dhe Serbia kishin nënshkruar marrëveshje në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian sipas së cilës KOSTT-i dhe Operatori i Sistemit të Serbisë ( EMS), duhej të fillonin funksionimin si dy zona rregulluese të pavarura në përputhje me kërkesat e Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike (ENTSO). Por, ajo ende nuk është zbatuar sikundër edhe një pjesë e madhe e marrëveshjeve të arritura në bisedimet që synojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA