...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Krahazimet publike-private si “bum” ekonomik i Ramës dhe “vrimë e zezë” për popullin

KPP-të përdoren për të fshehur borxhet publike, ndërsa furnizojnë garanci shtetërore afat-gjatë për përfitime për ndërmarrjet private. Korporatat e sektorit privat duhet të maksimizojnë përfitimet nëse duhet të mbijetojnë. Kjo është rrënjësisht e papërputhshme me mbrojtjen e mjedisit dhe sigurimin cilësor universal për shërbimet publike

SHJ

29/10/2019 - 14:35

Shënim: shtypi i përditshëm dhe i çensurës, kritikon qeverinë Rama dhe veçanërisht politikën e KPP-ve ose PPP-ve siç përdoret përgjithësisht si nga klasa politike ashtu dhe nga shtypi përtac. Mirëpo, jo vetëm që kritika është problematike (qasje shume e pjesshme) dhe e vonuar por nuk sjell as edhe ndonjë rrugëzgjidhje! Protagoniste në këtë drejtim është gazeta Dita (lexo këtu). Ndryshe nga shtypi hipokrit dhe parazit, Ylli Përmeti e ka publikuar këtë çështje që tre vjet më parë dhe tregon mes të tjerash shkaqet e vërtetë pse qeveria Rama vepron ashtu siç vepron dhe cilat janë rrugëzgjidhjet. Në vijim po sjellim një pjesë nga studimi tij:

Doktrina e ‘ortakërisë publike dhe private’ –e qeverisë “Rama”- është e dështuar, gjykuar qoftë nga teoria sistemike qoftë nga përvoja. Problemi kryesor me qeverinë “Rama”, dhe jo vetëm me të, por çdo qeveri tjetër borgjeze, është se ajo s’kupton teorinë sistemike. Për të njëjtën arsye këtu do të tregoj dështimin e kësaj ‘doktrine’ bazuar në përvojën e vendeve të ashtuquajtur të “zhvilluar”. Deklarata e Ahmetajt, ministrit të dytë të financave të qeverisë “Rama”, se qeveria ka përgatitur një paketë të gjerë projektesh në vepra publike, kryesisht në infrastrukturë dhe turizëm, duke mobilizuar kapitalin privat, dhe duke investuar nga 700 deri në 1 miliard dollarë në dy-tre vitet e ardhshme...të mandatit të dytë, kapitali i të cilëve do të garantohet nga buxheti meqënse e lejon ligji qeverinë të paguajë deri në 5 për qind të të ardhurave buxhetore për konçesionet, një investim që nuk do të rrisë deficitin dhe borxhin dhe që është ideuar nga Kryeministri dhe miratuar nga “eksperti” i financave tona[1]...është blofi më i madh e qeverisë “Rama”.

Së pari, ai është ‘lajm’ vetëm lidhur me faktin se kjo “ide” buron deri diku nga Banka Botërore (BB) dhe jo nga Kryeministri.[2]Dhe është “lajm” në kuptimin se Ahmetaj ose s’është në dijeni se është kryesisht BB që e ka institucionalizuar konceptin e “Krahazimi Publik-Privat” (KPP) dhe se vendet perëndimore kanë përvojë të gjatë në këto praktika,[3]ndaj dhe BB e mbështet, meqënse me kursime publike bështeten ndërmarrje private...ose donte të lajkatonte punëdhënësin e tij. Në të dy rastet qendrimi i tij është i dënueshëm si nga këndvështrimi akademik ashtu dhe nga këndvështrimi etikë. Së dyti, ministri ynë i financave, të cilin, bashkë me ministrat e tjerë të kësaj qeverie por dhe të pararendëses, dhe bashkë me deputetët dhe “ekspertët” që mbajnë pas dhe i paguajnë me rroga të majme, e quaj parazitë, shpërnjohin përvojën 30 vjeçare të kësaj “doktrine”, e cila tregon se ka dështuar. Siç citon një autor i Universitetit Greenwich dhe njohës i mirë i këtyre politikave:

KPP-ja është kulminacioni i përvojës dhe vlerësimi tridhjetë vjeçar i privatizimeve, në vende të pasura dhe të varfëra. Ajo çmistifikon proceset në hije të KPP-ve, shumica e të cilave fshihen pas negociatave konfidenciale për të mbrojtur sektretin tregëtarizues. Atje s’ka këshillime publike, ka shumë premtime të gabuara dhe kontrata komplekse të pabesueshme, të gjitha të hartuara për të mbrojtur përfitimet e korporatave. Atje ka gjithashtu një sasi të konsiderueshme korrupsioni, meqënse kontratat e privatizimeve mund të jenë jashtëzakonisht të vlefshme...KPP-të përdoren për të fshehur borxhet publike, ndërsa furnizojnë garanci shtetërore afat-gjatë për përfitime për ndërmarrjet private. Korporatat e sektorit privat duhet të maksimizojnë përfitimet nëse duhet të mbijetojnë. Kjo është rrënjësisht e papërputhshme me mbrojtjen e mjedisit dhe sigurimin cilësor universal për shërbimet publike.[4]  

Në të vërtetë, dëmi që mund t’i shkaktohet popullit shqiptar nga kjo qasje mund të jetë më i madh krahasuar me vendet perëndimore meqënse klasën tonë politike e karakterizon babëzia në një shkallë më të madhe se perëndimorët dhe, në shkallë të ndryshme, operojnë mbi ligjet. Nuk do të diskutoja këtu anën tjetër të ligjit, të cilin e përmend ministri në fjalë, se “ligji lejon qeverinë të paguajë nga buxheti deri në 5 për qind për konçesionet”: sepse është e qartë se bëhet fjalë më vjedhje të organizuar dhe të maskuar nën petkun e ligjit të cilin e ka miratuar vetë qeveria e korruptuarr dhe për të njëjtën arsye. Në të njëjtën deklaratë, Ministri i financave citoi se me këtë paketë qeveria synon të rrisë PPB-në vjetore me 5-6 për qind me qëllim që shqiptarët “ta ndiejnë më shumë rritjen ekonomike”! Ahmetaj uli vrullin e Kryeministrit, i cili premtoi rritje ekonomike prej 7%. Si duket, e rimenduan dhe e ulën në 5-6 për qind.

Sidoqoftë, argumenti se sa më e lartë të jetë rritja ekonomike për një vend aq më shumë e ‘ndiejnë’ klasat e ulëta të shoqërisë— është lehtësisht i përgënjeshtrueshëm jo vetëm duke gjykuar nga përvoja por dhe nga teoria: ‘nga përvoja’ nëse gjykojmë, për shembull, nga përvoja kineze, e cila ndërsa ka ruajtur përqindje të larta të rritjes ekonomike, ka krijuar, gjithashtu, pabarazi tejet të mëdha, pavarësisht se supozohet se si vend “komunist” do të kishte shpërndarje më të barabartë të të ardhurave të vendit. ‘Nga teoria’, meqënse çdo konçesion në treg është për të maksimizuar përfitimet dhe kur paralel me këtë dinamikë ndërmarrjet konçesionare nuk ndryshojnë në asnjë aspekt me shtetin modern në administrimin e tyre: ato janë hierarkike dhe të pakontrollueshme si nga punëtorët ashtu dhe nga qeveritë. Kjo është njëra anë e problematikës; tjetra, është se konçensionarëve u mungon qoftë teoria e administrimit, qoftë përvoja dhe qoftë etika. Kështu me ndërmarrje konçesionare të pakontrollueshme nga qeveritë dhe punëtorët dhe me padije administrative dhe pa etikë nuk do të ishte e çuditshme të vërtetojmë që në teori se çdo konçension është i dështuar.

Ndërmarrjet konçesionare nuk kontrollohen nga qeveritë jo sepse nuk janë të afta t’i kontrollojnë por sepse krijohet lidhja e ngushtë mes konçesionarëve dhe anëtarëve të qeverive: kjo ‘lidhje’ në vetë-vete ‘korrupton’ qeveritarët dhe krijon ‘bindjen’ se nëse ata i kontrollojnë, në operacionet e tyre, konçesionarët largohen. Për të njëjtat arsye i lënë të lirë konçesionarët në shfrytëzimin e punëtorisë dhe burimeve tona dhe ndajnë fitimet bashkë. Por me disa ndryshime: në disa vende perëndimore (Britani, p.sh.) përmendet një e drejtë e puntorisë: përfshirja e tyre në bordin e ndërmarrjeve kapitaliste dhe rrjedhimisht, në vendim-marrje. Është tjetër çështje pastaj që ato nuk e realizojnë dot në kuadrin institucional në të cilin rriten. Në vendin tonë kjo e ‘drejtë’ as që përmendet! Për të njëjtën arsye, qeveritë tona kapitaliste kanë qenë më shumë se barbare me punëtorët dhe burimet ekonomike. Megjithatë ka një aspekt pozitiv borxhi i brendshëm krahasuar me borxhin e jashtëm: krijon kushtet për pavarësi më të madhe ekonomike. Këtë aspekt pozitiv e njohin institucionet ndërkombëtare (FMN, BB etj.). Ndaj e kanë kritikuar si politikë. Sigurisht, duke përdorur argumente të tjerë. Për shembull, duke i thënë qeverisë të ketë kujdes me ‘transparencën’. Por duke i thënë dhe popullit se ky është borxh ‘publik’. Qeveria aktuale mashtroi edhe kur argumentoi se në kushtet e krijuara ne s’kemi rrugë tjetër veç të marrim borxhe: sepse, siç do të shqyrtoj në vazhdim, ajo kishte katër rrugëzgjidhje më pak të dëmshme për shtresat e ulëta të shoqërisë duke operuar në të njëjtin kuadër institucional.

Padija dhe krimet e “qeverisë Rama” dhe klasës politike: 2013-2017 (Ylli Përmeti)



[1]Top Channel, 27 dhjetor 2016.

[2]Goverment support in financing PPPs, World Bank, 2016-09-08.

[3]PPP – definition, origin and evolution. Krakow.net.

[4]Why public-private partnerships don’t work? David Hall, University of Greenwich, UK, 2015.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA