Kriza e madhe në familjen shqiptare, hipokritët e saj dhe këshilla ime për vajzat dhe gratë
Kini kurajë të përdorni arsyen tuaj; kini kurajë të luftoni për të drejta dhe barazi; dhe kini kurajë të kërkoni ndihmë nga një njeri që besoni se mund t`ju ndihmojë, se shtetin e keni për faqe të zezë.
Ylli Përmeti
05/12/2023 - 08:59
Ndër shekuj shqiptarët kishin zhvilluar një zakon përmes të cilit siguroheshin se djali apo vajza që kërkonin për martesë vlerësoheshin mirë nga shoqëria ose rrethi shoqëror. Thënë, në fjalë të tjera, familjarët e djalit apo vajzës pyesnin rrethin shoqëror të njërit apo të tjetrit, dhe pastaj vendosnin. Përgjithësisht ata besonin në vlerësimin e të tjerëve dhe në raste të rrallë vëzhgonin vetë me qëllim që të fitonin një farë vlerësimi. Ky zakon ndiqësh dhe gjatë socializmit marksist.
Por me braktisjen e tij dhe përfshirjen e popullit tonë në “demokracinë” përfaqësuese dhe tregun e marketingut (ose kapitalizëm) u braktis dhe ky zakon dhe djemtë dhe vajzat u lanë përgjithësisht të lirë ta gjenin vetë bashkëshortin. Kjo ishte një praktikë që kishte filluar në perëndim gjatë shekullit të 20 por lulëzoi me globalizmin neoliberal; ndaj është zhvilluar një “kulturë” e njëjtë sa i përket zgjedhjes së bashkëshortit.
Mirëpo kjo praktikë ka dështuar sepse përqindja më e madhe e tyre janë tradhëtarë (tradhëtojnë në martesë) ndërsa përqindja e ndarjeve u afrohet tradhëtive, dhe shpesh herë vrasin njëri-tjetrin ndërsa shoqëritë i janë dorëzuar dinamikës së krijuar, por jo tërësisht sepse kur bëhet fjalë për dhunimin dhe vrasjen e grave vërehet një farë ndjeshmërie dhe protestohet. Por pa e kuptuar gjithë krizën e familjes, sepse ata mjaftohen me kërkimin e ndëshkimit të keqbërësit dhe rritjen e masës së ndëshkueshmërisë ndërsa lihet dinamika që përshkrova të zhvillohet dhe kështu përsëritet dhuna dhe vrasjet, sidomos në Shqipëri (ku bën pjesë dhe Kosova).
Studimet tregojnë se meshkujt janë më të prirur për të përdorur dhunën ndaj grave. Por ajo nuk lidhet me përrallat që na tregojnë “sociologët”, pas të cilëve rendin psikologët dhe lloj-lloj idiotësh të tjerë me gradë shkencore dhe pas të cilëve rend media dhe populli, se fajin e ka mendësia patriarkale apo se femra shihet si pronë e mashkullit. Por ajo lidhet gati tërësisht me dështimin e arsimit dhe edukimit për të krijuar karaktere të qendrueshme. Në fakt, arsimi nuk e ka të qartë këtë çështje, ndaj dhe nuk shohim ndonjë protestë të mësuesve dhe ndaj dëgjojmë shpesh nga ata se “rinia nuk të dëgjon sot”, duke u shfajësuar për dramën që zhvillohet përpara nesh. Asnjëri nuk e kuptuar “hopin” e madh që ka bërë shoqëria jonë drejt të paditurës, tradhëtisë, dhunës dhe vrasjeve në familje.
Kishte edhe shekullin e kaluar dhunë në familje por këtë shekull familja shqiptare është përfshirë në shumë dukuri të cilat kanë marrë përmasa të frikshme. Madje edhe shekullin e kaluar arsimi s`e kishte të qartë këtë çështje ndaj ia la zakonit, i cili u ndihmua me përkjepjen e qeverisë komuniste për të krijuar një kulturë barazimtare në bashkëshortësi, si në kuptimin gjinor ashtu dhe ekonomik me punësimin e plotë të popullit. Në këtë mënyrë ajo zbuti fërkimet në familje (ose shpajë). Por ajo la shumë çështje pa ndriçuar.
Kjo ishte arsyeja kryesore se pse “përvesha mëngët” për të kontribuar në këtë fushë tejet të rëndësishme për riprodhimin e kombit tonë me një studim. Ai filloi rreth 15 vite më parë dhe ka kulmuar këto ditë. Disa pjesë janë parapublikuar me qëllim që të ndihmoj popullin. Por media dhe unversitetet tanë deri tani i kanë censuruar si shumë studime të tjerë!
Bazuar në studimin tim, këshilla që kam për vajzat dhe gratë, është si vijon:
Për vajzat:
Përpara se të vendosni për t`u martuar me një mashkull, sigurohuni se ai ka karakter të qendrueshëm. Me karakter të qendrueshëm kuptojmë një njeri me parime dhe virtuoz, për të cilët ai lufton në jetë dhe synon përsosjen e tyre. Për të kuptuar karakterin e mashkullit femrës i duhet aftësia e saj hetuese dhe disa virtyte, me më kryesorin, virtytin e përmbajtjes, sepse nëse ajo është e papërmbajtshme ose pa virtytin e përmbajtjes, edhe sikur të jetë e aftë në hetim, ajo me shumë gjasa do t`i nënshtrohet dëshirës së saj seksuale se sa virtytit të saj. Këtë aftësi ajo mund ta zhvillojë pas moshës 18 vjeç deri sa të “piqet” por vetëm nëse përballet me një mësues të mirë, në kuptimin e karaktereve të njerëzve; ndryshe do të gabojë, sado e “pjekur” të jetë, sepse aftësia e hetimit dhe shqyrtimit të një karakteri fitohet me mund dhe përvojë të gjatë. Nuk është e rastit që një njeri emërohet gjykatës pas moshës 50 vjeçare (sigurisht, jo në Shqipërinë e Berishës dhe Ramës).
Për gratë që s`kanë kaluar nga ky proces dhe me shumë gjasa e kanë ngrënë “sapunin për djathë”:
Kini kurajë të përdorni arsyen tuaj; kini kurajë të luftoni për të drejta dhe barazi; dhe kini kurajë të kërkoni ndihmë nga një njeri që besoni se mund t`ju ndihmojë, se shtetin e keni për faqe të zezë.
Që shtetin e kemi për faqe të zezë e kuptojmë jo vetëm nga natyra e arsimit por dhe nga krerët e saj. Për shembull, kryeministri i tanishëm, Rama, shquhet për dhunën e tij ndaj grave por dhe gratë e tij shquhen për heshtje: asnjëra nga ato nuk e ka denoncuar atë publikisht―çka tregon karakterin e tyre. Ose ish-kryeministri, Berisha, i cili vërtet nuk shquhet për dhunë ndaj gruas së tij por ndaj kundërshtarëve; madje shpesh duke i vrarë ata, ndërsa gruaja e tij, me siguri në dijeni të padrejtesive të tij, hesht.
Këto gra zakonisht u nënshtrohen epsheve të meshkujve, sidomos kur ata kanë pushtet shtetëror, për hir të pushtetit dhe sigurisht jetës luksoze. Në vetvete ky lloj karakteri është reaksionar: sepse qëllimi është vërtet pushteti por përmes tij ato sigurojnë “parinë” e shoqërisë dhe të mirat e saj lëndore; kjo është një arsye se pse ato heshtin, sepse një tjetër është frika.
Këshilla ime për vajzat dhe gratë, sigurisht nuk mjafton, sepse ato duhet të mësojnë më shumë për martesën.
Literaturë:
Pse tradhëtojnë meshkujt dhe femrat dhe si mund ta parandalojmë?
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 99 reads



