...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Labinot Gjini: E meta e Kurtit - është pakicë në parti

Sado Albini të dojë të tejkalojë gjendjen, partia e kapur nga poshtë (nga ish militantët më reaksionar të LDK), nga brenda (grupet e interesit në struktura, delegatë e deputet në Kuvend(e)) dhe nga sipër (Vjosa Osmani, ministrat e listës Guxo) nuk e lë të dalë nga riorientimi i saj.

Labinot Gjini

17/11/2021 - 09:12

Kurti pas përfundimit të zgjedhjeve lokale prej të cilave LVV doli me humbje, tha se ka disa 'të meta' brenda saj. Por nuk ka sqaruar 'të metat' e saj. Ndërsa presim të na sqarojë, Gjini, një kritik i tij, beson se ai është pakicë brenda partisë. Komenti i tij: 

Problemi kryesor i Albin Kurtit është se ai, ka kohë që është minoritet në partinë e vetë. Koha Ditore, që thërrasim për hir të historisë LVV, është parti e reaksionarëve të rinj dhe të vjetër, të cilët duan të kthejnë privilegjet e tyre të paraluftës. Ata janë bërë prej kohësh shumicë në këtë parti dhe ambiciet e tyre, për një hakmarrje e kthim mbrapa, nuk përputhen me ato të Albinit që janë për një ecje para.

Sado Albini të dojë të tejkalojë gjendjen, partia e kapur nga poshtë (nga ish militantët më reaksionar të LDK), nga brenda (grupet e interesit në struktura, delegatë e deputet në Kuvend(e)) dhe nga sipër (Vjosa Osmani, ministrat e listës Guxo) nuk e lë të dalë nga riorientimi i saj.

Dhe, këtë gjendje nuk ka asnjë shans që ta kthejë Albini sepse baza tjetër është reduktuar në heshtje, dhe spektatore në pafuqinë e saj. Është bazë politike që nuk mund të trafikohet dhe që Albini nuk mund t'ju besojë sepse është bazë që nuk është e ngritur prej tij, por është bazë që e ka ngritur atë. Ky raport e ka shtyrë që ai të kërkojë një bazë më pak politike në thelb, por më të frustuar nga ana shoqërore e ekonomike, përkitazi më ambicioze për të rifituar terrenin e privilegjeve.

Sot, ai është minoritet përbrenda partisë dhe, si rrjedhojë, përbrenda Qeverisë. Dhe ky është "defekti i brendshëm" që ai nuk do ta pranojë edhe për një kohë të gjatë. Ky është edhe motivi që e ka shtyrë që të heqë dorë nga Tirana dhe nga vizioni i majtë. Ai ka kohë që nuk e ka më nën kontroll orientimin ideologjik të partisë. Ajo që ishte LVV, tanimë është Koha Vizion.

Andaj, edhe përzgjedhjet e listës së deputetëve, ministrave, ambasadorëve etj., do të jenë gjithnjë e më shumë të nxjerrë nga Koha Vizion dhe jo nga LVV. Çerdhja e Albinit tanimë është tjetërkund. Dhe saherë që Albini do të tentojë për t'u kthyer tek baza e tij e parë, shantazhet do të vijnë mënjeherë nga baza dhe struktura tjetër për t'ia rikujtuar se sa i dobët është.

Zgjedhjet lokale ishin, thjesht, një paralajmërim për të: do të japim fuqi e pushtet, por jo sa të mundesh të na kontrollosh. Kontrolli do të mbetet tek reaksionarët me të cilët Albini hyri në ujdi. Çdo tentativë për të marrë nën kontroll orientimin e partisë, do të jetë fatale për Albinin. Sidomos kur baza tjetër veçse nuk është më.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA