...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Labinot Gjini: Nga Albin tigri në Albin macja

Qytetarët sot pyesin me të drejtë -pasi u bë mace para se të mbërrijë në pushtet- cili do të jetë transformimi i Albinit kur të përkëdhelet nga pushteti dhe ambasadat e huaja? A do të na bëhet, atëherë, macja mi?

SHJ

31/08/2019 - 14:58

Albin Kurti po kritikohet për qendrimet dhe politikat e tij. Në këtë kuadër, ne zgjodhëm një kritikë nga një veprimtar i lëvizjes VV, Labinot Gjini. Ja ç`citon ai:

Pasi iu gjunjëzua në lutje për muaj me radhë LDK-së për të bërë koalicion për ta luftuar korrupsionin dhe çkapur shtetin (me partinë më të korruptuar në vend, materialisht e ideologjikisht), Albin Kurti përkujtoi, në letrën e tij të fundit me krenari se: ne jemi Lëvizja Vetëvendosje! (pra, vetëvendosje). Po a kishte kuptuar Albini se në qoftëse "koka lartë dhe kurrizi drejtë" përkon me fjalën vetëvendosje, në pozicionin e përkuljes ajo të bënë qesharak dhe e humbet tmerrësisht seriozitetin këtij koncepti.

Më e keqja është, por për këtë do të flasim më gjerësisht më vonë, se një koalicion parazgjedhor mes LVV dhe LDK-së ka qenë absolutisht i pamundur. Kjo jo për shkak të largësisë ideologjike e programore, siç e pati cilësuar Dardan Molliqaj, por për shkaqe strategjike që kanë të bëjnë me sistemin zgjedhor dhe politikë në vend. Nuk do ta kisha besuar kurrë që Albini do të ishte kaq axhami në politikë. Një transformim i tillë nga tigër në mace të butë që e çoi në një diskreditim të thellë ishte thjesht i paparashikueshëm. Hashim Thaçi ka pësuar transformim vetëm pasi ishte akomoduar me pushtetin dhe me përkëdheljet e ambasadave të huaja, mirëpo asnjëherë deri në këtë shkallë. Është për të ardhur vërtet keq!

Qytetarët sot pyesin me të drejtë -pasi u bë mace para se të mbërrijë në pushtet- cili do të jetë transformimi i Albinit kur të përkëdhelet nga pushteti dhe ambasadat e huaja? A do të na bëhet, atëherë, macja mi? Pasi kaluam nga një fazë ku fjalimi i Albinit ishte sokratian në esencë dhe dalngadalë mori elemente të një sofizmi të kontrolluar, a do të kalojmë në një sofizëm absolut?

Albini thoshte se PDK-ja kërkon nga qytetarët vetem besim tek ta sikur të ishin struktura fetare, porse në politikë duhet të ofrosh fakte, argumentim e prova konkrete. Gjë me të cilën isha plotësisht dakord me të. Tani, pas gjithë këtij devijimi dhe transformimi të Albinit (dhe të LVV, e cila tanimë është shndërruar në parti-lider), si ta ndjekim Albin Kurtin, përveç se me besim në lider? Pasi po e dëshmon, tani e shumë kohë, hashimizmin e tij, a po na kërkon edhe Albini që qytetarët thjesht të kenë besim në të pavarësisht një devijimi tepër të dukshëm dhe të pamohueshëm të tij?

Por Albini duhet ta dijë se profetizmi nuk ka dhezë kurrë tek ne shqiptarët. Ose, më mirë të themi se ka dhezë vetem kur profeti ynë na priu me shpatë në dorë. Albini nuk është i shpatës as si Skenderbeu dhe as si Enver Hoxha. Po të fliste më pak, ai do ta zëvendësonte Rugovën hë për hë. Pra, paqe me botën dhe jo përpjekje e vetëvendosje për shqiptarët.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA