...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

“Lëvizja Bashkë” shpall kandidatin për drejtimin e Tiranës

“Lëvizja Bashkë” ka më shumë se 10 vjet veprimtari politike dhe është e vetmja lëvizje që ka refuzuar të korruptohet me paratë e partive në pushtet dhe paratë e pushteteve të huaj.

Ylli Përmeti

28/02/2023 - 08:10

Pas tridhjetë e dy vjetësh në Shqipëri del një lëvizje politike pa ndihmën e milionave të pushteteve të huaja dhe të brendshme dhe pretendon pushtetin e Bashkisë së Tiranës, e cila aktualisht (sh)drejtohet nga Erjon Veliaj dhe Rama.

Pavarësisht se përballet me vendimin e një gjykatësi të korruptuar, i cili nuk e ka miratuar kërkesën e Lëvizjes në fjalë për të marrë pjesë në zgjedhje, por e ka lënë vendimin një ditë pasi KQZ-ja të shpallë partitë që marrin pjesë në zgjedhje, hamendësisht për ta skualifikuar atë dhe për t`ua bërë më të lehtë veprimtarinë e mashtrimit të organizuar partive në pushtet, ajo shpalli kandidatin e saj, Arlind Qori. Ky i fundit është dhe drejtues i Lëvizjes Bashkë.

“Lëvizja Bashkë” ka më shumë se 10 vjet veprimtari politike dhe është e vetmja lëvizje që ka refuzuar të korruptohet me paratë e partive në pushtet dhe paratë e pushteteve të huaj.

Kujtoj se Sali Berisha përdori “çekun e bardhë” të amerikanëve për të fituar votat e shqiptarëve. Më pas partitë e tjera nuk ndenjën pa e mbështetur pushtetin e tyre në milionat e pushteteve të huaja, sidomos në milionat e Sorosit. Në këtë mënyrë ato pranuan të diktoheshin nga të huajt dhe përfunduan në ditët e sotme të detyruara ndaj të huajave për pushtetin e tyre dhe të zhytura në korrupsion.

Kjo është arsyeja kryesore se pse “Lëvizja Bashkë” ka mundësi të shtrojë rrugën për pavarësi politike dhe drejtësi: sepse, edhe një herë, ajo nuk pranoi të korruptohësh me pushtetet e brendshme dhe të huaja dhe qendroi në varfëri duke luftuar me bindje të patundur se shqiptarët do të kuptojnë rëndësinë e pavarësisë politike për të vendosur drejtësi dhe për mbrojtjen e popullit nga pushtetet grabitqare.

Megjithësi pushteti i Bashkisë në drejtimin e cituar nuk mund të kontribojë shumë, ai mund të ndihmojë në shtrimin e rrugës për beteja të tjera.

Ndaj ftoj shqiptarët e ndershëm, ata që besojnë se nga pushtetet e korruptuar nuk mund të vijë drejtësia, dinjiteti dhe mirëqenia, të mbështesin kandidatin e Lëvizjes Bashkë dhe kështu të fillojë përmbysja e madhe e partive në pushtet dhe fakojve të huaj.          

Ky është i vetmi lajm në këto zgjedhje, sepse përmendja e kandidatëve të tjerë do të më qelbte mendjen, shpirtin dhe gishtat.        

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA