...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Loja kriminale e RTSH-së, Top Channel, qeverisë dhe prokurorisë me dyoksidin e silikonit

Substanca e silikonit është e rrezikshme për shëndetin sidomos substanca në formën e pluhurit: ekspozimi në afatgjatë shkakton silikozë, një sëmundje e pakthyeshme e mushkrive; kancer në mushkri; sëmundje kronike pulmonare; dhe rreziqe në rritje për turbekuloz

Ylli Përmeti

05/09/2019 - 15:50

Dyoksidi i silikonit është një substancë kimike që shtohet në prodhimet bujqësore që të largojë insektet dhe të “ruajë” freskinë e tyre gjatë shitjes dhe është bërë “mollë sherri” prej një viti në Shqipëri. Si çështje u ngrit nga “Top Channel” —tregoi, duke u mbështetur në qendrimet e disa ‘ekspertëve’— natyrën e tij të dëmshme ndërsa kërkon bllokimin e substancës dhe ndoshta dënimin e Peleshit, ministrit që e lejoi përdorimin e saj në bujqësinë tonë. Por “RTSH-ja” argumentoi—përmes disa ‘ekspertëve’ të tjerë— të kundërtën! Por kush ka të drejtë?

Një raport i një media për shëndetin në Britani argumenton, duke u bazuar në disa studime, se substanca e silikonit është e rrezikshme për shëndetin sidomos substanca në formën e pluhurit: ekspozimi në afatgjatë shkakton silikozë, një sëmundje e pakthyeshme e mushkrive; kancer në mushkri; sëmundje kronike pulmonare; dhe rreziqe në rritje për turbekuloz![1]

Kujtoj se substanca përkatëse përdoret kryesisht në formë pluhuri kur spërkatën bimët si gjatë rritjes në arë ashtu dhe gjatë kohës kur qendrojnë në rafte për t`u shitur. Në të vërtetë, grimcat e silikonit ngjajnë shumë me grimcat dhe gëlqeres. Nuk do të ishte e çuditshme që një studim i vitit 1997, të tregojë pikërisht ngjashmërinë që kanë këto dy grimca dhe efektin e tyre: kancer në mushkri![2]

Për gëlqeren tashmë është faktuar pas shumë dekadash studimesh se shkakton kancer. Qoftë edhe tubat e ujit të krijuar me fibra mineralesh janë burim kanceri dhe aktualisht po zhvillohet një betejë në Britani për zëvendësimin e tyre me tuba që në përbërjen e tyre nuk kanë fibra mineralesh.[3] Nuk është e rastit që në Britani përdorimi i gëlqeres —sidomos në ndërtim— është rregulluar me ligj. Fibrat e gëlqeres janë përdorur dhe për prodhimin e eternitit. Vetëm së fundmi u pranua nga ndërmarrjet britanike se ato e dinin se çfarë shkaktonte eterniti: kancer! Por dija nuk i pengoi ta shisnin shekullin e kaluar në vende si Shqipëria.[4] Megjithëse vendi ynë mund të jetë furnizuar nga Rusia—një vend tjetër eksportues i eternitit. Ndërmarrjet në Britani shfrytëzonin një ligj të errët që i lejonte të tregëtonin në sekret prodhime me gëlqere. Ligji në fjalë i bëri ndërmarrjet britanike eksportueset më të mëdha në nivel botëror—me një material që vret më shumë se 100,000 njerëz çdo vit!

Mirëpo, RTSH-së këto studime e të tjerë si këta, nuk i hyjnë në sy! Madje ajo e quan dyoksidin e silikonit “pleh gjethor” kur studiuesit e quajnë fibër minerale pikërisht për shkak të natyrës së saj. Dhe për të njëjtën arsye, ai konsiderohet si gjithë mineralet e tjerë fibrikë, kancerogjenik! Duke e quajtur ndryshe RTSH-ja i ndryshon natyrën dhe e bën më të pranueshëm nga njerëzit! Argumentin e saj e mbështet me argumentet e ‘ekspertëve’—hamendësisht, nëpunës të angazhuar nga Pe…leshi kur ishte ministër! Si duket, PS-ja kërkon ta mbulojë dhe këtë krim dhe dikton reportazhe në televizionin publik.

Sidoqoftë, fakt është se dyoksidi i silikonit është një mineral fibrik që shkakton një sërë sëmundjesh sepse ka të njëjtën natyrë me gëlqeren: kristalor—grimcat e të cilit kur thithen përmes frymëmarrjes ngecen në alveolat e mushkrive—si gëlqerja— dhe nuk dalin përmes sistemit limfatik. Për pasojë, ato shkaktojnë infeksion dhe inflamacion dhe në afatgjatë, kancer!

Qoftë edhe “Top Channel”, televizioni që e ka ngritur si çështje, e ka shtrembëruar karakterin e tij: e quan pesticid! Si duket, ngaqë i përmbahet terminologjisë së ‘ekspertëve’ që përfshin në reportazhe. Duhet thënë se sulmet e televizionit përkatës janë të karakterit ‘selektiv’—domethënë, sulmojnë individë nga të cilët nuk kanë përfituar! Për të njëjtën arsye, ai është një televizion që vërteton edhe një herë se nuk i shërben të vërtetës dhe popullit: sepse nuk është e vështirë ta hetojë këtë çështje një gazetar duke shfrytëzuar literaturën e huaj apo duke vendosur përballë “ekspertët” dhe duke kërkruar të vërtetën apo të duke vepruar njëherësh në të gjithë frontet. As është e vështirë kjo çështje të hetohet nga prokuroria. Peleshi, rrjedhimisht, duhet të hetohet dhe të dënohet për lejimin e një substance kancerogjene.  

Duhet thenë, gjithashtu, se gjithë ministrat e kësaj qeveria dhe qeverive pararendëse, nuk kanë zhvilluar aftësi studimore. Për pasojë, ata mashtrohen nga “ekspertët” e establishmentit—nga pedagogët parazitë të fushave përkatëse. Në rastin e Peleshit ai kishte një arsye më shumë që ta lejonte: kishte vëllain të angazhuar në sektorin e plehrave kimike. Kështuqë, ca nga padija dhe ca nga dëshira për t`u pasuruar, lejoi një substancë të përdorësh në bujqësi. Kujtoj se kjo substancë është vetëm maja e ajsbergut lidhur me tërësinë e substancave që përdoren në bujqësi. Ajo përdoret kryesisht për të ulur koston e prodhimit dhe rritur fitimet—domethënë, që kultivuesit të rrinë nën hije dhe të mos angazhojnë shumë punëtorë…i spërkasin me kimikate dhe kështu me një gur godasin disa zogj!               



[1]What to know about silicon dioxide, MedicalNewsToday, 7 May 2019.

[2]Silica, asbestos, man-made fibers, and cancer, Steenland K, Stayner L, NCBI, 1997.

[3]Testing the water: asbestos in old pipes raises a call for action, FT, March 31, 2019.

[4]British firms secretly send killer asbestos to world`s poor, The Times, July 14 2019.

Ja si e paraqt RTSH-ja:

Debati për Silicon Mix, plehun gjethor që hyri në tregun shqiptar rreth një vit më parë u rikthye sërish. Pak pas hyrjes së tij në treg ai u bllokua nga AKU për verifikime mbi sigurinë e tij, pas një debati të hapur papritur mbi ndikimet negative të tij në shëndetin e njerëzve.

Por, bllokimi sipas Ministrisë së Bujqësisë nuk ishte bërë konform legjislacionit në fuqi për importimin dhe vendosjen në treg të plehrave “EC Fertilizers”, pasi kjo kategori nuk i nënshtrohet regjistrimit sepse është në qarkullim të lirë, thuhet në shkresën e ministrisë ku kërkohet trajtimi i çështjes konform legjislacionit në fuqi.

Debati mbi këtë pleh bimor u rikthye sërish këto ditë duke sjellë edhe rritje të ndjeshmërisë në opinionin publik, por sa qëndrojnë akuzat mbi këtë produkt, çfarë përfaqëson ai në të vërtetë dhe sa i rrezikshëm është për shëndetin e njerëzve? Duke sqaruar në detaje përmbajtjen dhe funksionin e tij Profesor Doktor Shpend Shahini cilëson abuzive jehonën negative mbi Silicon Mix, produkt që sipas tij përdoret gjerësisht në vendet e BE.

Dhe në këtë funksion të tij kundër insekteve, sipas Shahinit, Silicon Mix vërteton epërsinë edhe ndaj insekticideve të përdorura deri më sot.

Debati mbi plehun gjethor Silicon Mix është përcjellë edhe me reagimin e një tjetër emër autoritar të mjekësisë shqiptare. Profesor Doktor Pëllumb Pipero, i cili cilëson të pabazë debatin e ngritur mbi këtë produkt.

“Po lexoja sot një lajm mbi rrezikun që sjell në shëndetin e qytetarëve një insekticid-pleh, Silikon Mix, dhe jo vetëm si mjek por dhe si konsumator u mundova të gjej ca referenca rreth tij, të mirave dhe të këqijave që sjell në shëndetin tonë për shkak të elementit bazë në përbërje të tij, Silicium. Duke mësuar nga kimia se siliciumi është një nga elementet përbërës kryesorë të tokës me të cilin biem në kontakt çdo ditë dhe në çdo rrethanë, duke kujtuar sëmundjen e silikozës te minatorët në minierat tona, lexova dhe me tej. Ka shumë artikuj dhe referenca, më pak në PubMed, e më shumë në agrikulturë, por në asnjërin prej tyre, së paku unë, nuk gjeta referenca bindëse, e mbi të gjitha statistikisht të besueshme për dëmin potencial të këtij insekticidi në shëndetin e qytetarëve, për më tepër në dëmtimin potencial të ADN dhe çrregullimet madhore që mund të vijnë si pasojë e saj. Gjeta shumë referenca për revolucionin që ka bërë në bujqësi, dhe kjo është arritje e madhe e shkencës besoj unë”, shkruan ndër të tjera në reagimin e tij Pipero, duke kërkuar nga nxitësit e këtij debati të mos hapin panik tek konsumatorët aq më tepër kur bëhet fjalë për ushqimet e përditshme, pa pasur referenca dhe rezultate statistikisht të provuara.   

Video: 
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA