LSI-ja sipas revistës amerikane “Mother Jones”: lobim në Uashington për të…
Synimi kryesor i kontratës me firmën Dorelita ishte që kryetarit të atëhershëm të LSI-së, Ilir Meta, t’i sigurohej akses te Presidenti Trump në formën e një takimi ose fotografie me të, përpjekje që nuk u realizua.
Voa
26/04/2018 - 20:12
Revista amerikane Mother Jones ka botuar një shkrim tjetër hulumtues, mbi përpjekjet për lobim të partive shqiptare në Uashington. Shkrimi hedh dyshime mbi burimin e parave të përdorura për këtë qëllim nga Lëvizja Socialiste për Integrim, LSI.
Autorë të artikullit janë Dan Friedman dhe Hannah Levintova.
Vitin e kaluar, thuhet në këtë shkrim, ish-kongresmeni republikan Howard “Buck” McKeon u kontraktua nga LSI-ja për t’i dhënë asaj akses tek administrata Trump dhe republikanët e Kongresit amerikan. Por pjesa më e madhe e punës së firmës së tij u financua nga një kompani fantazmë qipriote me emrin Dorelita. Sipas artikullit, burimi i parave që rrodhën nga Dorelita për tek firma lobuese e zotit McKeon mbetet i errët.
Artikulli i Mother Jones shtron pyetjen se kush pagoi për LSI-në, që ajo të lobonte pranë zyrtarëve amerikanë në prag të zgjedhjeve të vitit 2017 në Shqipëri.
Shkrimi e vë gishtin gjithashtu te ligjet amerikane të lobimit, që sipas autorëve, ua bëjnë të lehtë interesave të huaja të përdorin kompani fantazmë për të realizuar axhendat e tyre në Uashington pa zbuluar identitetet apo qëllimet e tyre.
Në janar 2017, shkruan Mother Jones, në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Shqipërisë, Grupi McKeon nënshkroi me LSI-në një kontratë lobimi prej 15 mijë dollarësh në muaj. Kontrata nuk u nënshkrua nga zyrtarët e LSI-së, por nga një avokat grek me emrin Iraklis Fidetzis, me të cilin kishte njohje njëri prej njerëzve të LSI-së, Vangjel Tavo.
Në shkurt 2017, Grupi McKeon njoftoi se po i jepte fund kontratës me LSI-në. Por një muaj më vonë, më 24 mars, ky grup nënshkroi një tjetër kontratë, të firmosur po nga avokati Fidetzis, kësaj here për të lobuar për kompaninë Dorelita. Sipas Mother Jones, një burim që kishte dijeni për kontratën, tha se Fidetzis kishte sugjeruar ta paguante Grupin McKeon që ky të vazhdonte lobimin për LSI-në përmes firmës Dorelita. Me kontratën e re të lobimit, që mbulonte një vit punë, shkruajnë autorët, pagesa për Grupin McKeon do të ishte 50 mijë dollarë në muaj, plus shpenzimet, pra mëse tri herë më e lartë sesa kontrata e mëparshme me LSI-në.
Sipas burimit, që autorët nuk e citojnë me emër, synimi kryesor i kontratës me firmën Dorelita ishte që kryetarit të atëhershëm të LSI-së, Ilir Meta, t’i sigurohej akses te Presidenti Trump në formën e një takimi ose fotografie me të, përpjekje që nuk u realizua.
Kontrata e 24 marsit dhe dokumentet e Grupit McKeon nuk e përmendin me emër LSI-në, shkruajnë autorët, të cilët thonë se Dorelita, si kompani fantazmë, kishte një qëllim të vetëm: të realizonte pagesat për Grupin McKeon në emër të LSI-së.
Autorët përmendin gjithashtu se në prill 2017, Grupi McKeon kontaktoi një numër republikanësh për të organizuar takime për llogari të firmës Dorelita, siç ka deklaruar vetë Grupi në dokumentet e paraqitura Departamentit të Drejtësisë. Por sipas Mother Jones, burime të shumta i kanë thënë revistës se disa nga këto takime lidhen me LSI-në.
Autorët hedhin gjithashtu dyshime se një vizitë e zotit Vangjel Tavo në Uashington në fund të prillit 2017 lidhet me takimet që Grupi McKeon po organizonte me republikanë të Kongresit për llogari të firmës Dorelita.
Autorët e shkrimit venë në dukje se ligji amerikan kërkon që firmat lobuese të deklarojnë qeveritë e huaja ose partitë politike për të cilat lobojnë, por Grupi McKeon nuk e identifikoi LSI-në apo Shqipërinë si përfitues të punës së tij për kompaninë Dorelita.
Autorët shkruajnë se nuk ka gjasa që Fidetzis ta ketë financuar vetë fushatën e shtrenjtë të lobimit të firmës Dorelita, por ka vepruar në emër të një pale tjetër. Pyetja që mbetet pa përgjigje, shkruajnë ata, është se kush e financoi lobimin e LSI-së dhe cili ishte objektivi prapa kësaj fushate ndikimi.
REAGON LSI
Lëvizja socialiste për Integrim hodhi poshtë të gjitha pretendimet e ngritura në shkrimin e revistës Mother Jones, duke e quajtur artikullin e botuar prej saj një manipulim, mashtrim, pa fakte dhe të shtrembëruar.
LSI-ja publikoi të plotë këmbimin e emaileve me gazetarët e Mother Jones, dhe përgjigjet e dhëna prej saj, ku ajo thekson në mënyrë të përsëritur se nuk ka asnjë njohje apo lidhje me shoqërinë “Dorelita Limited”, për të cilën revista ngre dyshime se është përdorur si mbulesë për lobimin në favor të LSI-së.
Zëri Amerikës u përpoq sot të kontaktonte dhe me deputetin e LSI-së Vangjel Tavo, për t’u interesuar për lidhjet e tij me avokatin grek Iraklis Fidetzis, i cili firmosi në emër të LSI-së kontratën e lobimit mes kësaj partie dhe grupit McKeon, apo dhe për faktin që sipas Revistës Mother Jones, ai dyshohet se kishte realizuar një vizitë në Uashington në muajin prill, si pjesë e lobimit përmes shoqërisë “Dorelita Limited”.
Zoti Tavo nuk ju përgjigj telefonatave dhe as mesazheve të korrespondentit tonë në Tiranë.
Përgjigjja e gazetarit:
Lidhja Socialiste për Integrim reagoi të mërkurën rreth shkrimit të revistës Mother Jones, duke e quajtur atë “manipulim, mashtrim, pa fakte dhe të shtrembëruar.” Lidhur me deklaratat e LSI-së, Ilir Ikonomi i Zërit të Amerikës mori reagimet e njërit prej autorëve të shkrimit të revistës Mother Jones, Dan Friedman:
Zëri i Amerikës: Zoti Friedman, zyra e shtypit e LSI-së e quan artikullin tuaj në Mother Jones një manipulim, mashtrim dhe të pa bazuar në fakte. Cila është përgjigjja juaj?
Dan Friedman: Provat që ne paraqesim janë në artikull. Pra provat janë dhe nuk ka mashtrim. LSI-ja kishte kohë të mjaftueshme për t’iu përgjigjur pyetjeve tona. Shumicës së tyre ata realisht nuk iu përgjigjën. Kjo ngre pyetjen se përse po u shmangen përgjigjeve dhe dalin me akuzën ne se po sajojmë gjëra të paqena.
Zëri i Amerikës: Si arrini ju në përfundimin se kontrata e Grupit McKeon e nënshkruar më 24 mars 2017 me firmën fantazmë Dorelita është në thelb një kontratë me LSI-në, kur ju bazoheni në një burim që nuk e identifikoni? Cili është ky burim?
Dan Friedman: Nuk mund ta identifikoj burimin përveç asaj që thuhet në artikull, por bëhet fjalë për një person që ka dijeni për këtë kontratë dhe hollësitë e saj si dhe mbi përpjekjet lobiste të zhvilluara në këtë rast. Së dyti, artikulli nuk mbështetet vetëm në këtë burim. Ne raportojmë gjithashtu se zyra e senatorit Mike Lee ka deklaruar se fjala ishte për një takim me politikanë shqiptarë dhe nuk kishte të bënte me firmën Dorelita, e cila qëndronte prapa lobimit. Vetë LSI-ja vë në dukje se zoti Tavo ka qenë në SHBA në këtë kohë dhe me sa duket ka qenë i pranishëm në takime. Do të doja të dija se përse ndodhej ai në SHBA.
Zëri i Amerikës: LSI-ja e akuzon revistën tuaj se paguhet nga Kryeministri Edi Rama, me paratë e tij të drogës dhe të krimit të organizuar, siç shprehet ajo. A keni komunikuar ju me partinë socialiste të zotit Rama ose me ndihmësin e tij Endri Fuga, siç thuhet në reagimin e LSI-së?
Dan Friedman: Jo. Nuk kemi komunikuar me Partinë Socialiste. Kur ne po përgatisnim një artikull të mëparshëm në lidhje me Shqipërinë, ne i dërguam pyetje Partisë Socialiste por nuk morëm përgjigje prej tyre, pra nuk kemi patur komunikime me ta. Ajo që thotë LSI-ja është krejtësisht e rreme. Ne nuk financohemi nga para droge dhe duket se ata po përpiqen të sajojnë. Artikulli ynë është i dokumentuar, pra ne citojmë dokumente të depozituara pranë qeverisë amerikane, ndërsa reagimi i tyre është se ne sajojmë. Përse e bëjnë ata këtë? Përse nuk përgjigjen me vërtetësi për atë që kanë bërë ose nuk kanë bërë?
Zëri i Amerikës: A keni qenë ju në kontakt me grupin lobues të zotit Rama këtu në Shtetet e Bashkuara?
Dan Friedman: Jo. Por për artikullin e mëparshëm unë kërkova kontakt me këtë grup që quhet Ballard Partners. Ata kanë një ish-kongresmen me emrin Robert Wexler. Unë u përpoqa të flas me të për shkrimin tonë të mëparshëm, por ai refuzoi të fliste. Po kështu u përpoqa të flisja edhe për këtë artikull. Pra, ne nuk kemi patur kontakte as me Partinë Socialiste dhe as me përfaqësuesit e tyre këtu në SHBA.
Zëri i Amerikës: Arësyeja që pyes është se ky është shkrimi i dytë hulumtues që ndërmer revista juaj për parti politike shqiptare. Por si shpjegohet që në radarin tuaj dalin dy herë parti politike shqiptare që i përkasin opozitës së sotme?
Dan Friedman: Ne kemi përmendur në artikujt tanë se Partia Socialiste përdor grupin Ballard Partners. Ne nuk jemi përqendruar tek ata, sepse nuk kemi dijeni që dikush të ketë përdorur kompani fantazmë për të paguar Ballard Partners. Ajo që ne hulumtojmë është përdorimi i firmave fantazmë në parajsa fiskale që nuk kanë funksione biznesi, për të financuar lobimin në Shtetet e Bashkuara. Nëse do të kisha dijeni se socialistët e kanë bërë këtë, unë mezi do të prisja për të shkruar rreth kësaj. Pra ne nuk shkruajmë rreth ekzistencës së përpjekjeve lobiste që paguhen nga partitë politike. Ne hulumtojmë rreth përdorimit të kompanive fantazmë për këtë qëllim si dhe rreth mungesës së transparencës.
Zëri i Amerikës: Nëse keni dijeni, a ka ndonjë hetim këtu në SHBA lidhur me lobistin Nick Muzin tek i cili u përqendruat në artikullin e mëparshëm të Mother Jones?
Dan Friedman: Nuk jam në dijeni për ndonjë hetim, por kjo funksionon kështu: zyra përkatëse në Departamentin e Drejtësisë mund t’i dërgojë atij një letër nëse ata mendojnë se deklarimet e tij janë të pamjaftueshme. Por një letër e tillë do të ishte private dhe ne nuk do të kishim akses. Ne i kemi pyetur dhe ata nuk kanë thënë nëse ekziston një letër e tillë, por kjo nuk do të thotë se ajo nuk ekziston.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 9 reads



