Lufta në Ukrainë dhe efekti katastrofik në ekonominë shqiptare
Shqipëria do të dëmtohet në afatshkurtër në tre sektorë kryesorë: në energjitikë dhe minerale; drithëra; dhe turizëm
SHJ
27/02/2022 - 10:29
Në vitin 2021, vendi ynë importoi 12% të sasive të naftës nga Rusia. Edhe nafta e importuar nga Italia ka origjinë nga Rusia, por thjesht përpunohet në rafineritë e saj. Në vitin 2021, importet e lëndëve djegëse dhe mineraleve (nafta, gazi) arritën në rreth 1 milion tonë, por gati 70% e sasisë dominohet nga nafta. Aktualisht, një litër naftë në vend ka arritur në nivelin e 192-194 lekëve, por me zhvillimet e fundit, çmimet do të fluturojnë drejt 250 lekëve shumë shpejt.
Shqipëria importon nga Rusia 47% dhe 3.3% nga Ukraina të nevojave vjetore me grurë dhe 12% të naftës. Grosistët pohojnë se ka rezerva me naftë për tre muaj dhe me grurë, për 45 ditë, dhe thanë se furnizimet e reja do të jenë me çmime më të larta. Gjatë vitit 2021, Shqipëria realizoi 2.7% të tregtisë së jashtme me zonat në konflikt, Rusi dhe Ukrainë. Volumi tregtar i Shqipërisë arriti 701 miliardë lekë, ndërsa me Rusinë dhe Ukrainën, tregtia në vlerë ishte 19 miliardë lekë, ose 2.7% të totalit. Në vitin 2021, Shqipëria importoi nga Rusia dhe Ukraina 19 miliardë lekë mallra, që përbën 99.5% të volumit tregtar dhe pjesa tjetër, 0.5%, përfaqësohet nga eksportet shqiptare në këto vende, kryesisht prodhime bujqësore. Të dhënat nga doganat tregojnë se në vitin 2021 u importuan gjithsej 326 mijë tonë drithëra, 50% e të cilave ishin furnizime nga zonat në konflikt.
Shqipëria importoi 47% të drithërave nga Rusia në vitin 2021, 36% nga Serbia, 4% nga Franca dhe 3% nga Ukraina. Burimet e importit të drithërave dominohen nga Rusia, Ukraina dhe Serbia në 86% të totalit të nevojës për konsum. Vitin e fundit, pesha e turistëve ukrainas në turizmin vendas ishte rritur. Sipas të dhënave nga TIA, vitin e shkuar, në korrik – gusht fluturuan drejt Rinasit dhe anasjelltas, 38.5 mijë pasagjerë nga Ukraina, ose 65% më shumë se e njëjta periudhë e para pandemisë. Turistët nga Ukraina zunë 22% të lëvizjeve me charter dhe ishin grupi i dytë më i madh pas polakëve.
Për Rusinë, Ukraina njihet si baza industriale, që prodhon që nga makinat, anijet, helikopterët, armatimi, deri tek impiantet e termocentraleve bërthamore, ndërsa për Europën, Ukraina është furnizuesi kryesor i shportës së ushqimeve dhe është një nga dhjetë prodhuesit kryesorë botërorë të disa kulturave të tilla si gruri dhe misri. Ukraina është prodhuesi më i madh në botë i vajit të lulediellit, një prodhues i madh global i drithërave dhe sheqerit, dhe lojtar global në tregjet e mishit dhe të qumështit. Është gjithashtu një nga prodhuesit më të mëdhenj të arrorëve, mjaltë natyral, etj.
Pesha e Ukrainës në furnizimin me ushqime të Europës është shumë e lartë. Për këtë arsye, zgjatja e konfliktit do të sjellë vështirësi në tregjet europiane, ose në rastin më të mirë, do të rrisë çmimin e artikujve bazë të shportës, pasi Europa do të përpiqet të gjejë burime të reja furnizimi në kontinente më të largëta dhe kjo do të rrisë koston.
Shkurtimisht nga Monitor
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 134 reads



