...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Makroni realizoi qëllimin e vizitës në Serbi: shiti armatime

Thuhet se gjatë kësaj vizite janë nënshkruar 20 marrëveshje të ndryshme, prej të cilave 5 janë të karakterit strategjik dhe ushtarak, për blerjen e armatimit dhe pajimeve ushtarake; sisteme radarësh dhe elektronikë, sistemin e mbrojtjes kundërajrore “Mistral”, helikopterë për policinë etj. Nga lëmi i ekonomisë dhe investimeve, si projekti më i madh do të jetë angazhimi i kompanive franceze në ndërtimin e Metrosë së qytetit të Beogradit

Adil Fetahu

18/07/2019 - 14:47

Në 16 korrik në mesditë përfundoi vizita dyditëshe e kryetarit të Francës, Emanuel Makronit, në kryeqytetin e Serbisë. Pikërisht në ora 13:35, aeroplanin e Makronit, në hapësirën ajrore të Serbisë e përcollën tre avionë luftarak “Mig”, të blerë nga Rusia.

Gjatë dy ditëve të vizitës së Makronit, atë e përcollën hap pas hapi më se 700 gazetarë të vendit e të huaj, duke raportuar në mënyrë selektive dhe ngazëllyer popullin me lajkat që i bënin njëri-tjetrit Makroni e Vuçiçi, për miqësinë e kahershme dhe të gjithëmonshme të të dy vendeve dhe të dy popujve. Mediat proqeveritare serbe, më së tepërmi i theksonin disa fjalë për “dashurinë platonike” që kultivon populli francez ndaj popullit serb, dhe ato fjalë Makroni ua paska thënë në gjuhën serbe, para mijëra qytetarëve të tubuar në Kalemegdan: “Francuska voli Srbiju i njene gradjane i da je Srbija u njihovim srcima danas i zauvek” (Franca e do Serbinë dhe qytetarët e saj dhe Serbia është në zemrat e tyre sot e gjithmonë).

Mediat e quajnë këtë vizitë historike pas 18 vjetëve që një kryetar i Francës viziton  vetëm Serbinë dhe asnjë vend tjetër të Ballkanit, fakt që dëshmon për miqësinë midis dy vendeve dhe atë që Franca e konsideron Serbinë vendin më të rëndësishëm të Ballkanit. Këtë mediat e ilustrojnë edhe me faktin se nga 30 minuta që ishte paraparë takimi kokë më kokë i dy presidentëve, ai takim e ka tejkaluar shumë protokollin dhe ka zgjatur një orë e gjysëm, gjë që nuk i ka ndodhur me asnjë president tjetër!

Në konferencën e përbashkët për media, pas takimit të djeshëm Makron-Vuçiç, raportohet që biseda e tyre më së tepërmi i është kushtuar problemit me Kosovën, pastaj procesit të integrimit të Serbisë në BE, çështjeve të tjera strategjike dhe ekonomike në marrëdhëniet mes dy vendeve. Vuçiçi ka thënë: “E luta Makronin të na ndihmojë në zgjidhjen e problemit të Kosovës dhe në procesin e integrimit në BE”. Mediat thonë se nga takimi me Vuçiçin, sa i përket problemit me Kosovën, Makroni ka premtuar se:

  •  do të angazhohet për rifillimin e dialogut;
  • duhet të arrihet marrëveshje gjithpërfshirëse dhe e përhershme;
  • për këtë qëllim do të mbajë takim special me udhëheqjen e Beogradit e të Prishtinës dhe me kancelaren Angela Merkel;
  • nuk ka një zgjidhje të gatshme as magjike për problemin e Kosovës, veçse duhet të arrihet një kompromis që do të thotë se palët në dialog nuk mund të qëndrojnë në pozitat fillestare diametralisht të kundërta.

Këtë fjalinë e fundit, Ivica Daçiçi e ka komentuar si lëvizje pozitive të politikës së Francës dhe mirëkuptimi për kërkesat e Serbisë.

Mediat kanë transmetuar kryesisht ato që iu kanë pëlqyer nga fjalët e Makronit, por ai ka thënë edhe diçka që i ngacmon që asnjë nga mediat proqeveritare nuk e ka përmendur. Kështu ato e kanë zbatuar një autoçenzurë, sa i përket fjalisë së Makronit, kur ua tha hapur: “Sipas mendimit tim, Sërbia dhe Kosova janë shtete evropiane dhe duhet të ndihmojmë që kjo të kthehet në realitet. Franca dhe unë do të angazhohemi muajt e ardhshëm që të arrihet dialog serioz. Gjetja e kompromisit do të thotë të mos kemi poteza të njëanshëm jokonstruktiv nga asnjëra palë. Ngjarjet e disa muajve të fundit na brengosin, ndërsa vendimet që janë në kundërshtim me marrëveshjet, duhet të hiqen”. (Këtu Makroni sigurisht e kishte fjalën për vendimin e Qeverisë së Kosovës për taksat në mallërat serbe, v.j.).

Këtë fjali të Makronit, për trajtimin “e barabartë” të Serbisë dhe Kosovës si dy shtete evropiane, e ka komentuar në gazetën opozitare “Danas” një deputet i pavarur i Kuvendit të Serbisë, i cili ia zë për të madhe diplomacisë serbe, që për hir të ruajtjes së konsideratës së miqësisë, nuk deshi të reagojë në mënyrë adekuate.

Përndryshe, thuhet se gjatë kësaj vizite janë nënshkruar 20 marrëveshje të ndryshme,  prej të cilave 5 janë të karakterit strategjik dhe ushtarak, për blerjen e armatimit dhe pajimeve ushtarake; sisteme radarësh dhe elektronikë, sistemin e mbrojtjes kundërajrore “Mistral”, helikopterë për policinë etj. Nga lëmi i ekonomisë dhe investimeve, si projekti më i madh do të jetë angazhimi i kompanive franceze në ndërtimin e Metrosë së qytetit të Beogradit.

Makroni ka zvilluar bisedime edhe me një grup studentësh dhe me disa artistë, ndërkaq nuk e ka pranuar kërkesën e opozitës serbe për të biseduar me ta, me arsyetimin se kërkesën e kanë paraqitur me vonesë, gjë që opozita e mohon. Sidoqoftë, vizita e Makronit ishte në stilin e Jul Cezarit: “Veni, Vidi, Vici”, ndërsa udhëheqja dhe opinioni në Serbi mbetën të ngazëllyer tej mase me disa fjalë që ua foli në “kirilicën” e tyre.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA