...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Mashtrimi dhe blofi tjetër i madh i Ramës me perandorinë bankare (ABI-në)

Vetë faqja e bankës përkatëse pohon të kundërtën se ajo nuk mbikqyret nga enti amerikan por nga Banka Qendore e Shqipërisë

SHJ

01/02/2019 - 10:35

‘“ABI Bank” monitorohet drejtpërdrejt nga enti rregullator i shteteve të bashkuara të Amerikës’, pohoi në sherrnajën me Berishën, mes të tjerash, Rama në kuvend. Mirëpo, vetë faqja e bankës përkatëse pohon të kundërtën se ajo nuk mbikqyret nga enti amerikan por nga Banka Qendore e Shqipërisë! Rama pohoi, gjithashtu, se bashkëshortja e tij nuk është aksionere në bankën përkatëse kur pak javë më parë kishte argumentuar se ajo është aksionere por nuk është në konflikt interesi sepse nuk është BSH (Banka e Shqipërisë). “Nëse bashkëshortja ime do të ishte aksionere…mua nuk do të më lejonin ta kapërceja më oqeanin”, argumentoi Rama.  

Pas Ramës, drejtori i saj, Andi Ballta, argumentoi në një intervistë se “ne nuk jemi bankë në Amerikë por bankë e investitorëve të mirënjohur amerikanë në Shqipëri”. Më konkretisht, ajo është një bankë fondet e të cilës burojnë nga “NCH Capital Inc”­—një ndërmarrje ose firmë me qendër në Nju Jork dhe me dy bashkëthemelues, George Rohr dhe Moris Tabacinic. Ajo është regjistruar si një këshilltare investimesh në SEC-un amerikan dhe përgjithësisht ofron shërbime investimesh dhe është përqendruar kryesisht tek agrobiznesi dhe veçanërisht në Rusi dhe Ukrainë dhe vendet e tjerë të lindjes ish-socialiste. Por të dhënat e broshurës së saj nuk janë miratuar ose verifikuar nga intitucioni i aksioneve amerikane (United States Securities and Exchange Commission—“SEC”)!

Si rezultat, “NCH Capital” ka mbledhur rreth 1.7 milion akër (një akër është e barabartë me 4.046 ha) përgjatë më shumë se 80 ferma në Ukrainë dhe Rusi, duke e bërë atë një ndër operatorët më të madh botëror. Por siç sqaron FT, investimet në ferma hynë në ndërgjegjjen publike pas krizës së çmimit të ushqimit në 2007-2008, kur mungesat e drithit çuan në blerje paniku dhe investitorët stivuan miliona në ndërmarrjet e agrikulturës. Sipas një raporti të OECD-FAO , kriza shtyu disa investitorë “thjesht të spekulonin në çmimet e tokës”. Të gjitha këto kur disa shtete amerikane, duke përfshirë Iowa, kultivuesi më i madh i misrit, kanë ndaluar pronësinë e fermave nga korporatat. Investitorët në shumë pjesë të botës mund të marrin me qera por nuk mund të pronësojnë tokën.

Më tej drejtori sqaron se Linda Rama nuk është aksionere në bankën përkatëse përveç se anëtare bordi por...tani ajo do të zëvendësohet nga...profesionistë të shkëlqyer amerikanë! Pa shqyrtuar se sa të drejta janë politikat e korporatave të tilla investitore dhe ku mund të çojnë, është e qartë se kryeministri blofoi dhe si duket, sajoi dhe një histori tjetër se bashkëshortja e tij largohet dhe nga bordi i bankës. Në këtë blof është përfshirë dhe drejtori i bankës: sepse, sipas tij, “shqetësimi kryesor i përfaqësuesve të shtetit amerikan në Shqipëri është lidhur me detyrën e të gjithë institucioneve dhe individëve për të mbrojtur dhe stimuluar të gjithë investitorët e huaj dhe sigurisht ata amerikanë”. Ky është një blof sepse korporata në fjalë nuk paguan taksa në Amerikë por jashtë saj në kohën kur vetë Trampi po përpiqet të kthejë kapitalin amerikan në atdhe. Aktualisht korporatat amerikane po realizojnë fitime rekord duke u regjistruar në Bermudes, ishujt Kejman dhe ishujt British Virgin. Disa nga fitimet tejkalojnë PPB-në e vendeve ku janë regjistruar...          

   

Video: 
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA