...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Mbi qendrimin e kryetarit të “Lëvizjes Bashkë” për procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi

Kryetari i “Lëvizjes Bashkë” mbajti një qendrim sot lidhur me përpjekjen e Kosovës dhe Serbisë për të arritur një marrëveshje për normalizmin e marrëdhënieve, të cilit i përgjigjet Ylli Përmeti

SHJ

29/01/2023 - 16:39

Qeveria e Republikës së Kosovës po gjendet nën një trysni ndërkombëtare mbytëse në lidhje me procesin e negociatave me Serbinë. Pika më e nxehtë është ndarja administrative me karakter etnik e vendit, si dhe niveli i autonomisë të bashkësisë së komunave serbe. Pa dashur të hyj në detajet e koklavitura të çështjes, është mirë të sqarohen disa fakte e parime elementare:

1. Historia e popullit të Kosovës është përplot masakra, shpërngulje masive, aparteid, burgosje, persekutime e diskriminim që regjimet e njëpasnjëshme shoviniste të Beogradit kanë ushtruar në intensitete të ndryshme gjatë shekullit XX.

2. Sot Serbia, fatkeqësisht, udhëhiqet nga e njëjta frymë politike shoviniste e patronizuese ndaj Kosovës dhe popullit të saj.

3. Sot Kosova udhëhiqet nga një forcë politike që, pavarësisht rezervave, është përfaqësuese e shumicës së popullit të saj dhe ka karakter përparimtar.

4. Presioni ndërkombëtar ndaj qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe veçanërisht ndaj kryeministrit Albin Kurti, është i njëanshëm, i padrejtë dhe i ka kaluar caqet e diplomacisë së shëndetshme. Në këtë kontekst, thirrja nga ambasada amerikane e një takimi me të gjithë faktorët politikë e shoqërorë në Kosovë, përveç përfaqësuesve të qeverisë, është skandaloze dhe të lë vend të dyshosh për minimin e një qeverie të ligjshme e legjitime.

5. Minoriteti serb në Kosovë duhet të gëzojë të gjitha të drejtat që u njihen sot minoriteteve në vendet më të përparuara. Ndoshta edhe diç më shumë, duke marrë parasysh kontekstin. Po rregullimi institucional i organizimit të tyre nuk mund të cenojë funksionalitetin e shtetit të Kosovës dhe karakterin e tij si shtet i të gjithë qytetarëve të saj, pavarësisht përkatësisë kombëtare.

6. Çdo proces negociator duhet të ketë për pikëmbërritje njohjen e plotë të shtetësisë së Kosovës nga përfaqësuesit e shtetit të Serbisë.

7. Mjerisht në Shqipëri asnjë faktor politik nuk po flet, madje as po mërmërin, për situatën aktuale në Kosovë. Edi Rama duket që vepron në të kundërt të drejtave të popullit të Kosovës ca “për inat të sime vjehrre”, ca për oportunizëm politik. Pseudo-opozita, që ka për borxh të valëvisë 100 herë në ditë flamurin kombëtar dhe t’i vizatojë kufijtë e Shqipërisë etnike deri në Panoni, s’pipëtin.

Kur në vitin 2021 Lëvizja Vetëvendosje fitoi zgjedhjet në Kosovë, unë nuk mbajta asnjë qëndrim publik. E kam pasur gjithnjë zët të hidhesha në karron e fitimtarit. Sidomos kur shihja asokohe se nuk mbeti parti, partizë a grupth pa i thurur lavde Albin Kurtit dhe VV, me shpresën budallaqe se suksesi politik është sëmundje ngjitëse. Por sot nuk mund të rri pa ngritur zërin për popullin e Kosovës dhe përfaqësuesit e tij legjitimë. --Arlind Qori

Përgjigjja e Ylli Përmetit:

Së pari, fakti që nuk hyjmë në “detajet e koklavitura të çështjes” mes Kosovës dhe Serbisë na bënë të padrejtë në qendrimet tona, sepse qendrimi ynë i drejtë varet pikërisht nga ato “detajet e koklavitura”. Ky është një paralajmërim i domosdoshëm në qendrime politike. Por ai nuk duhet të na ndalojë së kritikuari qendrimin.

Së dyti, trysnia e elitave perëndimore, që përmend Arlindi, po ushtrohet edhe mbi Serbinë dhe jo vetëm mbi Kosovën, nëse ajo nuk pranon propozimin franko-gjerman, dhe të dy vendet janë kërcënuar me sanksione.

Së treti, Serbia është e vërtetë se udhëhiqet nga fryma shoviniste e shekullit të kaluar por e bënë atë sepse gjen “shesh dhe bën përshesh”, me “shesh” shumicën e popullit serb, SHBA-në, BE-në dhe Rusinë, dhe “përshesh” shqiptarët.

Së katërti, VV nuk ka karakter përparimtar, për sa kohë që nuk e reflekton as në program, as në qendrimet e as në veprimet e saj.

Së pesti, qeveria “Kurti” vërtet mbështetet nga shumica e popullit dhe ky fakt duhet mbështetur, për hir të demokracisë, por ajo nuk mund t`i shmanget përgjegjësisë historike për qeverisje të drejtë. Në tensionet e muajve të fundit mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë Kurti shkaktar i tensioneve dhe jo Vuçiçi.

Së gjashti, trysnia nuk është e njëanshme por e dyanshme dhe përgjithësisht me qendrim më të butë ndaj Vuçiçit, për arsyet që kam përmendur dhe ripërmendur në analizat përkatëse.

Së shtati, veprimet e amabasadës amerikane për të mobilizuar shoqërinë civile për të kundërshtuar Kurtin, janë vërtet “skandaloze” por për to ka përgjegjësi dhe Kurti, sepse nuk mund të shkaktojë kriza ndëretnike dhe sa herë që zihet ngushtë kërkon ndihmën e tyre.

Së teti, minoriteti serb duhet të reflektojë kushtetutën e Kosovës, e cila është “multietnike”. Ai jo vetëm që i reflekton ato dhe gëzon të drejta në përputhje me kushtetutën por që kur mbaroi lufta ka bër “përshesh” me kursimet e popullit shqiptar atje.

Së nënti, nuk mund të ketë bisedime mes dy palëve dhe të kërkosh në fund të bisedimeve njohjen e Kosovës nga Serbia: sepse do të ishte e padrejtë―një njeri kur ulet përball teje ose të njeh ose s`të njeh dhe ai që s`të njeh dhe për më tepër ka përgjegjësi historike kriminale ndaj popullit përball të cilit qendron, çohesh dhe braktis bisedimet dhe akuzon palën “ulesë” për hipokrizi etj. Thënë ndryshe, njohja kërkohet që në fillim, menjëherë pasi palët ulen për bisedime.

Së fundmi, është e vërtetë se në Tiranë heshtin të gjithë por duhet të tregojmë dhe arsyet e vërteta, jo ato që përmend Arlindi...“për inat të sime vjehrre” apo për “oportunizëm”: ato vetëm arsye s`janë, sepse janë arsye të tjera që e bëjnë Tiranën të mos pipëtijë...

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA