...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Miliona tonë mbetje të papërpunuara: qeveria “Rama” kërkon të sjellë edhe mbetjet evropiane

Monitor

21/09/2017 - 15:18

Në vitin 2016 rezulton të jenë menaxhuar 1.3 milion tonë mbetje nga 1.4 milion tonë në vitin 2015, duke shënuar një rënie me rreth 8 pikë përqindje. Sasia vjetore e mbetjeve të gjeneruara për banorë në shkallë vendi ka pasur luhatje të vazhdueshme, kjo shifër ishte 373 kg/banor në vitin 2016, 396 kg/banor në vitin 2015.

Sasia në % e mbetjeve industriale të përziera në burim bashkë me ato urbane ka qenë jo-stabël me tendencë të lehte ulje në vitet e fundit. Në vitin 2016 sasia e mbetjeve jo urbane të menaxhuara bashkë me ato urbane ishte 17,0 %, në vitin 2015 ishte 19,0 % duke shënuar një rënie me 2 pikë përqindje.

Niveli i mbulimit të popullatës me shërbime komunitare për menaxhimin e mbetjeve urbane nuk ka qenë konstant në katër vitet e vrojtuara. Ky tregues ka shënuar 68,7 pikë përqindje me një rritje prej 8,7 pikë përqindje krahasuar me vitin 2015.

Në përbërjen e mbetjeve urbane komponent kryesor janë mbetjet organike. Në mbetjet e menaxhuara sasia e mbetjeve organike ka pasur luhatje të vogla raportuar ndaj sasisë totale. Në vitin 2016 mbetjet organike përbënin rreth 49,52 % të sasisë kundrejt 51,4 % që ishte në vitin 2015, 50,2 % në vitin 2014 dhe 41,0 % në vitin 2013.

Mbetjet e menaxhuara janë trajtuar kryesisht duke i depozituar ato në vendgrumbuj dhe vende të tjera depozitimi të miratuara nga organet përkatëse të pushtetit vendor. Në vitin 2016 u depozituan 77.7 % e sasisë totale të mbetjeve në vendgrumbuj, ndërsa në vitin 2015 u depozituan 68,8 %, duke shënuar një rritje rreth 9 pikë përqindje të sasisë totale të mbetjeve të menaxhuara në shkallë vendi.

Riciklimi i mbetjeve ka ruajtur afërsisht të njëjtin nivel treguesish me tendencë në rënie. Në vitin 2016 u ricikluan 17.2 % e sasisë totale, ndërsa në vitin 2015 u ricikluan 25,3 %, në vitin 2014 21,6 % dhe në vitin 2013 rreth 24,0 %. Vërehet një tendencë e lehtë ulje e sasisë së mbetjeve që digjen kryesisht për prodhim energjie termike.

Mbetjet totale të gjeneruara dhe mbetjet e pa menaxhuara me fonde publike: Nisur nga mbetjet e gjeneruara për banor dhe shkalla e mbulimit të popullatës me shërbime për menaxhimin e mbetjeve llogaritet që sasia e mbetjeve në total është më e madhe se sasia e mbetjet të menaxhuara. Në vitin 2016 sipas llogaritjeve metodologjike janë gjeneruar afërsisht 2.2 milion ton mbetje urbane, në vitin 2015 kjo shifër ishte 2.5 milion ton, në vitin 2014 janë gjeneruar 1.5 milion ton dhe në vitin 2013 janë gjeneruar 1.1 milion ton.

Struktura e subjekteve që menaxhojnë mbetje mbështetur në fonde publike. Në vitet 2013-2016 në shumë raste mbetjet janë menaxhuar nga vetë bashkitë dhe komunat, direkt pa kontraktuar subjekte të treta për këtë shërbim. Në vitin 2016 rreth 52,7 % të rasteve ky shërbim u realizua direkt nga vetë bashkitë, në vitin 2015 me 72,1 %, në vitin 2014 treguesi ishte 52,01 % dhe 47,83 % në vitin 2013. Ky tregues ka pësuar rënie vitin e fundit si rezultat i përqendrimit të shërbimeve nga Bashkitë e riorganizuara.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA