...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ndotja mbyt Kosovën - mushkritë e njerëzve, kafshëve dhe bimëve

Përveç kushteve atmosferike, termocentraleve të vjetra dhe gazrave që lëshojnë automjetet e vjetra në qarkullim, një faktor tjetër i ndotjes mbetet përdorimi i qymyrit për ngrohje

Voa

23/12/2019 - 07:53

Autoritetet vendase dhe Bashkimi Evropian kanë bërë të ditur se do të investojnë 80 milionë euro në përmirësimin e cilësisë së ajrit. Sipas studimeve të organizatave të ndryshme ndotja e mjedisit tejkalon normat e përcaktuara dhe përveç kushteve atmosferike, termocentraleve të vjetra dhe gazrave që lëshojnë automjetet e vjetra në qarkullim, një faktor tjetër i ndotjes mbetet përdorimi i qymyrit për ngrohje. 

Sipas matjeve të përditshme për cilësinë e ajrit në kryeqytet del se ditëve të fundit ka pasur rritje të grimcave të pluhurit disa herë më shumë sesa masa e lejuar. Prishtina ka lënë prapa shumë qytete të botës që shquhen për shkallën e lartë të ndotjes së mjedisit.

Luigi Brusa nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë thotë se gjatë ditëve të fundit ajri në Prishtinë ishte si ai i Pekinit, i konsideruar si një nga qytetet më të ndotur në botë.

"Kjo ndërhyrje e parë për një vlerë prej rreth 75 milion euro ka të bëjë me rinovimin, instalimin e filtrave të rinj në termocentralin Kosova B, për të zvogëluar pluhurin nga më shumë së 700 miligramë për metër kub në 20 miligramë për metër kub", tha ai duke nënvizuar se një ndërhyrje e tillë do të ndikoj në përmirësimin e ajrit në Prishtinë.

"Kjo do të thotë që Kosova B po përparon në mënyrë të vazhdueshme me direktivën për impiante të mëdha djegëse dhe direktivën për bimët industriale. Ky është një hap i madh për të përmirësuar cilësinë e ajrit në Prishtinë", tha zoti Brusa.

Investimet e Bashkimit Evropian do të përqendrohen në vendosjen e filtrave të rinj në termocentralin Kosova B, duke filluar nga muaji maj i vitit të ardhshëm, dhe për të rritur kapacitetin e sistemit qendror të ngrohjes për 2,000 familje të tjera, ose rreth 10,000 banorë, përfshirë shkolla dhe çerdhe.

Në shenjë pakënaqësie për nivelin e lartë të ndotjes, disa qytetarë i vendosën maska mbrojtëse statujës së Nënë Terezës, që ndodhet në qendër të Prishtinës si dhe bustit të ish Sekretarës amerikane të shtetit, Madeleine Albright.

Po ashtu, shumë fëmijë përdorën maska gjatë rrugës për të shkuar në shkollë.

Ndotja e lartë e ajrit ka ngjallur edhe reagimin e qytetarëve të cilët thonë se gjendja e mjedisit po përkeqësohet.

"Mbrëmë e lashë një dritare të hapur dhe i gjithë apartamenti po vinte erë tymi", tha Nysrete Doda.

"Personalisht mendoj se është më mirë të mbash maskën kur të dalim jashtë. Unë nuk e di me siguri nëse ka një rezultat pozitiv, por shpresoj kështu dhe mendoj se është më mirë me të sesa pa", tha Albion Shala.

Autoritetet në Kosovë thonë se janë të vetëdijshëm për gjendjen e rëndë me cilësinë e ajrit.

Ministri në largim i mjedisit, Fatmir Matoshi thotë se institucionet kanë vendosur nëpër Prishtinë monitora për të informuar vazhdimisht qytetarët me cilësinë e ajrit.

"Ne flasim me njerëzit, ua bëjmë me dije se sa e rrezikshme mund të jetë situata sidomos në dimër. Ne i kërkojmë njerëzve ndihmë, sepse çdo qytetar i vetëm në Prishtinë mund të ndihmojë në këtë problem, duke mos i përdorur shumë makinat, duke mos përdorur shumë ngrohje dhe aktivitete të ndryshme që ata mund të bëjnë për të kontribuar për ajër më të mirë në Prishtinë dhe Kosovë", tha ministri Matoshi.

Ndërsa, kryeshefi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morina, tregon arsyet e ndotjes së lartë me të cilën po përballet Kosova, e posaçërisht Prishtina.

"Arsyet janë shumë prej tyre, sepse Kosova nuk krijoi kushte që popullata të ketë ngrohje dhe të ketë kushte më të mira të transportit urban dhe kështu me radhë, prandaj ata po përdorin shumë qymyr dhe dru dhe gjëra të tjera që shkojnë në ajër", tha zoti Morina.

Ndotja e mjedisit në Kosovë sipas studimeve të organizatave të ndryshme tejkalon normat e përcaktuara me standardet evropiane. Përveç kushteve atmosferike, termocentraleve të vjetra dhe gazrave që lëshojnë veturat e vjetra në qarkullim, një faktor tjetër i ndotjes në Prishtinë është konstatuar të jetë edhe ngrohja me lëndë djegëse, siç është qymyri.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA